Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Ç’është Copyleft-i?

Copyleft-i është një metodë e përgjithshme për ta bërë një program (ose vepër tjetër) të lirë (në kuptimin e lirisë, jo atë të “çmimit zero”) dhe për të kërkuar doemos që krejt versionet e ndryshuara dhe të zgjeruara të programit të jenë gjithashtu të lira.

Rruga më e thjeshtë për ta bërë software të lirë një program është të kalohet nën përkatësi publike, pa të drejta kopjimi fare. Kjo u lejon njerëzve të ndajnë me të tjerë programin dhe përmirësime të tij, nëse e gjykojnë kështu. Por kjo u lejon gjithashtu personave që s’duan bashkëpunim ta shndërrojnë programin në një software pronësor. Këta mund të bëjnë ndryshime, shumë ose pak dhe përfundimin ta shpërndajnë si një produkt pronësor. Njerëzit që e marrin programin në këtë formë të ndryshuar nuk e gëzojnë lirinë që u dha autori origjinal; këtë ua hoqi personi në mes.

Synimi ynë në projektin GNU është t’u japim krejt përdoruesve lirinë për të rishpërndarë dhe ndryshuar software-in GNU. Nëse dikush në mes do t’i hiqte lirinë, kodi ynë mund “të kishte shumë përdorues”, por s’do t’u jepte liri. Ndaj, në vend të vënies së software-it GNU në përkatësi publike, ne e kalojmë nën “copyleft”. Copyleft-i thotë se cilido që rishpërndan software-in, me ose pa ndryshime, duhet të japë bashkë me të lirinë për ta kopjuar dhe ndryshuar më tej. Copyleft-i garanton që çdo përdorues gëzon liri.

Copyleft-i u ofron gjithashtu programuesve të tjerë një shtysë për të shtuar software të lirë. Programe të rëndësishme të lira, bie fjala, GNU C++, ekzistojnë vetëm prej kësaj.

Copyleft-i ndihmon gjithashtu programues që dëshirojnë të japin ndihmesë me përmirësime te software-i i lirë të përfitojnë leje për ta bërë këtë. Këta programues shpesh punojnë për shoqëri apo universitete që do të bënin thuajse gjithçka për të nxjerrë më shumë para. Një programues mund të dojë të kontribuojë te bashkësia përmes ndryshimeve të tij të programit, por punëdhënësi mund të dojë t’i shndërrojë këto ndryshime në një produkt software-i pronësor.

Kur i shpjegojmë punëdhënësit që është e paligjshme ta shpërndajë versionin e përmirësuar, hiq veçse si software të lirë, punëdhënësi zakonisht vendos ta hedhë në qarkullim si software të lirë, në vend se ta hedhë tutje.

Për ta kaluar një program nën copyleft, së pari deklarojmë se gjendet nën të drejta kopjimi; mandej shtojmë kushte shpërndarjeje, që janë një mjet ligjor që i jep kujtdo të drejtën të përdorë, ndryshojë dhe rishpërndajë kodin e programit, ose çfarëdo programi të rrjedhur prej tij, por vetëm nëse kushtet e shpërndarjes mbeten të pandryshuara. Kështu, nga pikëpamja ligjore, kodi dhe liritë bëhen të pandashme.

Zhvilluesit e software-it pronësor i përdorin të drejtat e kopjimit për t’u marrë lirinë përdoruesve; ne i përdorim të drejtat e kopjimit për t’u garantuar atyre lirinë. Kjo është arsyeja pse e kthejmë emrin së prapthi, duke e ndryshuar nga “copyright” në “copyleft”.

Copyleft-i është një rrugë e përdorimit të të drejtave të kopjimit mbi programin. Nuk do të thotë braktisje e të drejtave të kopjimit; në fakt, po të bëhej kjo, copyleft-i do të bëhej i pamundur. Pjesa “left” te “copyleft” s’është ndonjë referencë ndaj foljes “to leave” - është vetëm një referencë ndaj kahut që është pamja në pasqyrë e “right”-it.

Copyleft-i është një koncept i përgjithshëm dhe një koncept të përgjithshëm s’mund ta përdorni drejtpërdrejt; mund të përdorni vetëm një sendërtim specifik të konceptit. Në Projektin GNU, kushtet specifike të shpërndarjes që përdorim për shumicën e software-it përmbahen te licenca GNU General Public License. GNU General Public License shpesh thirret edhe GNU GPL, për shkurt. Ka gjithashtu një faqe Pyetje të Bëra Rëndom mbi GNU GPL-në. Mundeni edhe të lexoni rreth pse FSF-ja merr dhënie të drejtash kopjimi nga kontribues.

Një formë alternative e copyleft-it, licenca GNU Affero General Public License (AGPL) është konceptuar për programe që ka gjasa të përdoren në shërbyes. Ajo garanton që versionet e ndryshuar, të përdorur për sendërtime shërbimesh të passhme nga publiku, të hidhen në qarkullim si kod burim për publikun.

Një formë kompromisi i copyleft-it, GNU Lesser General Public License (LGPL) aplikohet mbi pak (por jo të gjitha) biblioteka GNU. Që të mësoni më tepër rreth përdorimit si duhet të LGPL-së, ju lutemi, lexoni “Pse për bibliotekën tuaj të ardhshme s’duhet të përdorni Lesser GPL.”

Licenca GNU Për Dokumentin të Lirë (FDL) është një formë copyleft-i e menduar për përdorim mbi një doracak, libër shkollor ose dokument tjetër, për t’i bërë të mundur gjithkujt lirinë efektive për ta kopjuar dhe rishpërndarë, me ose pa ndryshime, në rrugë komerciale ose jo.

Licenca e duhur përfshihet në shumë doracakë dhe te çdo shpërndarje e kodit burim të GNU-së.

Krejt këto licenca janë hartuar që të mund t’i zbatoni lehtësisht në punët tuaja, duke pranuar se jeni mbajtësi i të drejtave të kopjimit. Për ta bërë këtë, nuk ju duhet të ndryshoni licencën, thjesht përfshini një kopje të licencës në veprën tuaj dhe shtoni te kartelat burim shënime që i referohen licencës siç duhet.

Përdorimi i të njëjtave kushte shpërndarjeje për shumë programe të ndryshëm e bën të lehtë kopjimin e kodit mes disa programesh të ndryshëm. Kur ata kanë të njëjtat kushte shpërndarjeje, nuk ka problem. Licenca Lesser GPL, version 2, përfshin një klauzolë që ju lejon të ndryshoni kushtet e shpërndarjes te GPL-ja e zakonshme, që të mund të kopjoni kod te një tjetër program i mbuluar nga GPL-ja. Versioni 3 i licencës Lesser GPL është ndërtuar si një përjashtim shtuar versionit 3 të GPL-së, duke e bërë automatike përputhjen.

Nëse doni ta vini nën copyleft programin tuaj përmes licencës GNU GPL apo GNU LGPL, ju lutemi, për t’u këshilluar, shihni faqen e udhëzimeve për licencën. Ju lutemi, mbani shënim se duhet të përdorni krejt tekstin e licencës që zgjidhni. Secila është një e tërë integrale dhe nuk lejohen kopjime të pjesshme.

Nëse doni të kaloni nën copyleft doracakun tuaj me GNU FDL, ju lutemi, shihni udhëzimet te fundi i tekstit të FDL-së dhe faqen e udhëzimeve për GFDL-në. Sërish, nuk lejohen kopje të pjesshme.

Është gabim juridik të përdoret një C së prapthi brenda një rrethi, në vend se të simbolit të të drejtave të kopjimit. Copyleft-i bazohet ligjërisht në të drejtën e kopjimit, ndaj vepra duhet të ketë një shënim të drejtash kopjimi. Një shënim të drejtash kopjimi lyp ose simbolin e të drejtave të kopjimit (një C brenda një rrethi), ose fjalën “Të drejta kopjimi”.

Një C së prapthi brenda një rrethi nuk ka domethënie speciale ligjore, ndaj nuk përbën një shënim të drejtash kopjimi. Mund të jetë zbavitës në kopertina librash, afishe e me radhë, por bëni kujdes si e përfaqësoni në një faqe web!