Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

“Pronësi Intelektuale” Thatë? Është Mirazh Joshës

Është bërë e modës të hidhen të drejtat e kopjimit, patentat dhe shenjat tregtare - tre gjëra të ndara dhe të ndryshme, që lidhen me tre grupe të ndara dhe të ndryshme ligjesh - plus një duzinë ligjesh të tjera në një kazan dhe të quhen “pronësi intelektuale”. Ky term shtrembërues dhe ngatërrues s’u bë rastësisht i rëndomtë, E promovuan shoqëri që përfitojnë prej ngatërrimit. Rruga më e qartë për të dalë nga ngatërrimi është të hidhet poshtë tërësisht termi.

Sipas profesorit Mark Lemley, tani i Shkollës Juridike të Stanford-it, ky përdorim i përhapur i termit “pronësi intelektuale” është një modë që pasoi themelimin më 1967-n të Entit Botëror të “Pronësisë Intelektuale” (WIPO) dhe u bë vërtet i rëndomtë vetëm vitet e fundit. (WIPO është formalisht një organizatë e OKB-së, por në fakt përfaqëson interesat dhe zotëruesve të të drejtave të kopjimit, patentave dhe shenjave tregtare.) Përdorimi i gjerë zë fill prej aty nga 1990. (Kopje vendore figure)

Termi bart një njëanësi që s’është e vështirë të vihet re: sugjeron të mendohet rreth të drejtave të kopjimit, patentave dhe shenjave tregtare në analogji me të drejta pronësie për objekte fizike. (Kjo analogji bie ndesh me filozofi juridike të ligjeve të të drejtave të kopjimit, të ligjeve të patentave dhe atyre të shenjave tregtare, por këtë e dinë vetëm specialistët.) Këto ligje në fakt s’janë dhe aq shumë si ligjet e pronësisë materiale, por përdorimi i këtij termi i shpie ligjvënësit t’i ndryshojnë për t’i bërë më të tillë. Ngaqë ky është ndryshimi i dëshiruar nga shoqëritë që ushtrojnë të drejta kopjimi, që shfrytëzojnë patenta dhe shenja tregtare, njëanësia e sjellë nga termi “pronësi intelektuale” u bën punë.

Njëanësia është arsye e mjaftueshme për ta hedhur poshtë termin dhe më kanë kërkuar shpesh të propozoj ndonjë emër tjetër për kategorinë në përgjithësi - ose kanë propozuar alternativat e tyre (shpesh me humor). Në sugjerimet përfshihet PIM, për Privilegje të Imponuara Monopolesh, apo MDLANQ për Monopole të Detyruara Legalisht të Ardhura Nga Qeveria. Disa të tjerë flasin për “regjime të drejtash përjashtues”, por t’u referohesh kufizimeve si “të drejta” është prapë mungesë vijueshmërie logjike.

Disa nga këta emra alternativë do të ishin një përmirësim, por është gabim të zëvendësohet “pronësi intelektuale” me çfarëdo termi tjetër. Një emër tjetër s’do të prekte problemin më të thellë të termit: teprimin në përgjithësim. S’ka ndonjë gjë të unifikuar të tillë si “pronësi intelektuale”- është një mirazh. Arsyeja e vetme pse njerëzit mendojnë se ka kuptim si një kategori koherente është fakti se përdorimi i përhapur i termit i ka ngatërruar lidhur me ligjet në fjalë.

Termi “pronësi intelektuale” është, në rastin më të mirë, një përgjithësim për të bërë tok ligje krejt të ndryshëm. Ata që s’janë juristë, kur dëgjojnë në term të aplikuar mbi këto ligje të ndryshëm priren të marrin të mirëqenë se bazohen në një parim të përbashkët dhe funksionojnë në mënyrë të ngjashme.

Asgjë s’mund të jetë më larg të vërtetës. Këto ligje zunë fill ndarazi, evoluan ndarazi, mbulojnë veprimtari të ndryshme, përmbajnë rregulla të ndryshme dhe ngrenë probleme të ndryshme politikash publike.

Për shembull, ligji i të drejtave të kopjimit qe hartuar për të promovuar autorësinë dhe artin dhe mbulon hollësitë e shprehjes së një vepre. Ligji i patentave qe synuar të promovojë publikimin e ideve të dobishme, me çmimin e dhënies atij që e publikonte idenë një monopol të përkohshëm mbi të - një çmim që në disa fusha mund t’ia vlejë të paguhet dhe në të tjera jo.

Ligji i shenjave tregtare, përkundrazi, nuk qe menduar për të promovuar ndonjë rrugë të caktuar sjelljeje, por thjesht për t’u bërë të mundur blerësve të dinë se ç’po blejnë. Por, ligjvënësit, nën ndikimin e termit “pronësi intelektuale”, e kanë shndërruar në një skemë që ofron përfitime për reklamat. Dhe këta janë vetëm tre nga mjaft ligje të cilave u referohet termi.

Ngaqë këto ligje qenë hartuar në mënyrë të pavarur, janë të ndryshëm në çdo hollësi, si dhe në qëllimet dhe metodat bazë. Ndaj, nëse mësoni ca fakte mbi ligjin e të drejtave të kopjimit, do të ishit të mençur të mendonit se ai ligj patentash është tjetër gjë. Rrallë do të ishit gabim!

Në praktikë, thuajse krejt pohimet e përgjithshme që ndeshni, që janë formuluar duke përdorur “pronësi intelektuale” do të jenë të rreme. Për shembull, do të shihni pretendime se qëllimi i “tij” është të “promovojë novacionin”, por kjo hyn vetëm te ligji i patentave dhe mbase te monopole varietetesh bimësh. Ligji i të drejtave të kopjimit nuk shqetësohet për novacionin; një këngë pop apo një roman është nën të drejta kopjimi edhe kur s’ka asgjë risore në të. Ligji i shenjave tregtare nuk merret me novacionin; nëse unë hap një dyqan çaji dhe e quaj “rms tea”, kjo do të ishte një shenjë e fortë tregtare, edhe pse unë shes të njëjtat çaje, në të njëjtën mënyrë si gjithkush tjetër. Ligji i të fshehtave tregtare nuk merret me novacionin, hiq në mënyrë tangjente; lista ime e klientë ve të çajit do të ishte një e fshehtë tregtare pa asnjë lidhje me novacionin.

Do të shihni gjithashtu pohime se “pronësia intelektuale” bëhet merak për “frymën krijuese”, por në të vërtetë kjo hyn vetëm te ligji i të drejtave të kopjimit. Për të krijuar një novacion që mund të patentohet, duhet më tepër se frymë krijuese. Ligji i shenjave tregtare dhe ligji i të fshehtave tregtare s’kanë punë fare me frymën krijuese; emri “rms tea” s’ka hiç frymë krijuese, ashtu si edhe lista e fshehtë e klientëve të mi të çajit.

Njerëzit shpesh thonë “pronësi intelektuale”, kur në fakt nënkuptojnë një grup më të madh ose më të vogël ligjesh. Për shembull, vende të pasura shpesh imponojnë ligje të padrejta në vende të varfra, për të rrjepur para prej tyre. Disa prej këtyre ligjeve janë mes atyre të quajtur ligje “pronësie intelektuale”, të tjerë nuk janë; pavarësisht, kritikët e praktikës shpesh shpesh e marrin atë etiketë ngaqë u është bërë familjare. Duke e përdorur, paraqesin shtrembër natyrën e problemit. Do të ishte më mirë të përdorej një term më i përpiktë, bie fjala, “kolonizim legjislativ”, që shkon në zemër të problemit.

Populli i rëndomtë s’është i vetmi i ngatërruar nga ky term. Deri edhe profesorë të juridikut, që i japin mësim këto ligje, janë të joshur dhe të shpërqendruar nga tërheqja e termit “pronësi intelektuale” dhe bëjnë pohime të përgjithshme që bien ndesh me faktet që dinë. Për shembull, një profesor shkroi më 2006-n:

Ndryshe nga pasardhësit e tyre që tani merren me çikërrima në WIPO, hartuesit e kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishin një qëndrim parimor, pro konkurrencë, ndaj pronësisë intelektuale. E dinin që të drejtat mund të jenë të nevojshme, por…ia lidhën duart kongresit, duke e kufizuar fuqinë e tij në disa rrugë.

Ai pohim i referohet Nenit 1, Ndarjes 8, Klauzolës 8 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që autorizon ligj të drejtash kopjimi dhe ligj patentash. Ajo klauzolë, ama, s’ka punë fare me ligjin e shenjave tregtare, ligjin e të fshehtave tregtare apo të tjerë të ndryshëm. Termi “pronësi intelektuale” e shpuri atë profesor të bëjë një përgjithësim të rremë.

Termi “pronësi intelektuale” shpie gjithashtu në të menduar thjeshtëzues. I shpie njerëzit të përqendrohen te e përbashkëta e dobët në formë që këto ligje të ndryshme kanë - pra se krijojnë privilegje artificiale për disa palë - dhe për të mos parë hollësitë që formojnë thelbin e tyre: kufizimet specifike që çdo ligj vendos mbi publikun, si dhe pasojat që vijnë prej kësaj. Ky fokus i thjeshtëzuar te forma nxit një trajtim “prej ekonomisti” për krejt këto probleme.

Ekonomia këtu vepron, siç bën shpesh, si një bartës hamendësimesh të pashqyrtuara. Këto përfshijnë hamendësime mbi vlera, bie fjala, se sasia e prodhimit ka rëndësi, ndërsa liria dhe mënyra e jetesës nuk kanë, si dhe hamendësime faktike të cilat kryesisht janë të rreme, bie fjala, se të drejtat e kopjimit mbi muzikën janë në të mirë të muzikantëve, ose se patentat mbi barna mbështesin punë kërkimore për shpëtim jetësh.

Një tjetër problem është se, te ajo çka nënkupton termi “pronësi intelektuale” në shkallë të gjerë, problemet specifike, të lindura nga ligje të ndryshme, bëhen thuajse të padukshëm. Këto probleme lindin prej specifikash të çdo ligji - pikërisht ajo çka termi “pronësi intelektuale” i nxit njerëzit ta shpërfillin. Për shembull, një problem që lidhet me ligjin e të drejtave të kopjimit është nëse duhet lejuar apo jo ndarja me të tjerët e muzikës; ligji i patentave nuk ka punë kund me këtë. Ligji i patentave nxjerr probleme të tilla si, nëse duhen lejuar vende të varfra të prodhojnë barna që shpëtojnë jetën dhe t’i shesin ato lirë për të shpëtuar jetë; ligji i të drejtave të kopjimit s’ka punë në gjëra të tilla.

Asnjë prej këtyre problemeve s’është thjesht i natyrës ekonomike dhe aspektet e tyre joekonomike janë krejt të ndryshme; duke e tepruar në përgjithësime të cekëta ekonomike si bazë për t’i marrë parasysh do të thotë të shpërfillen dallimet. Hedhja e këtyre dy ligjeve në kazanin e “pronësisë intelektuale” pengon të menduarit e qartë mbi secilin prej tyre.

Ndaj, çdo opinion mbi “çështjen e pronësisë intelektuale” dhe çfarëdo përgjithësimi rreth kësaj kategorie të supozuar janë thuajse me siguri të pamend. Nëse mendoni se këto ligje janë një problem, do të prireni t’i zgjidhni opinionet tuaja prej një përzgjedhje të gjerë përgjithësimesh të tepruara, asnjë prej të cilëve s’është për të mirë.

Hedhja poshtë e “pronësisë intelektuale” s’është thjesht zbavitje filozofike. Termi shkakton dëm të njëmendtë. Apple-i e përdorni për të deformuar debatin mbi ligjin e Nebraskës për “të drejtën për të riparuar”. Koncepti i rremë i dha Apple-it një rrugë për të maskuar parapëlqimin e vet për fshehtësi, çka bie ndesh me të drejtat e përdoruesve të saj, si një parim të supozuar të cilit duhet t’i binden klientët dhe shteti.

Nëse doni të mendoni qartë mbi problemet e dala nga patentat, apo të drejtat e kopjimit, apo shenjat tregtare, apo një larmi ligjesh të tjera të ndryshme, hapi i parë është të harrohet ideja e futjes së tyre në një thes dhe të trajtohen ato si subjekte të veçantë nga njëri-tjetri. Hapi i dytë është të hidhen poshtë këndvështrimet e ngushta dhe pamja thjeshtëzuese që sugjeron termi “pronësi intelektuale”. Merrini në shqyrtim secilën prej këtyre problemeve më vete dhe do të keni shansin t’i merrni drejt në shqyrtim.

Dhe kur vjen puna për të reformuar WIPO-n, ja një propozim për ndryshimin e emrit dhe thelbit të WIPO-s.


Shihni gjithashtu Historia e Çuditshme e Përbashkistanit (Shkërmoqje e termit “pronësi intelektuale”).

Vende në Afrikë janë shumë më të ngjashme se sa këto ligje dhe “Afrika” është një koncept gjeografik koherent; prapëseprapë, të flasësh mbi “Afrikën”, në vend se për një vend të caktuar, shkakton shumë ngatërrim.

Rickard Falkvinge përkrah hedhjen poshtë të këtij termi.

Cory Doctorow dënon gjithashtu termin “pronësi intelektuale”.