90
500 members

Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Udhëzime për Shpërndarje Sistemi të Lirë (GNU FSDG)

This page is maintained by the Free Software Foundation's Licensing and Compliance Lab. You can support our efforts by making a donation to the FSF. Have a question not answered here? Check out some of our other licensing resources or contact the Compliance Lab at licensing@fsf.org.

Hyrje

Qëllimi i këtyre udhëzimeve është të shpjegojë se ç’do të thotë për një shpërndarje sistemi të instalueshëm (të tillë si, një shpërndarje GNU/Linux të kualifikohet si e lirë (libre), dhe të ndihmojë zhvilluesit e shpërndarjeve t’i bëjnë të kualifikueshme shpërndarjet e tyre.

Këto udhëzime s’janë të plota. Kemi përmendur çështjet për të cilat kemi dijeni, por jemi të sigurt se ka të tjera. Do t’i shtojmë dora-dorës që i ndeshim.

Do të donim të falënderonim Projektin Fedora për ndihmën e tyre për t’u përqendruar në këto rregulla, dhe që na lejoi të përdorim udhëzimet e veta mbi licenca shpërndarjesh si bazë e këtij dokumenti.

Shpërndarje të Plota

Lista jonë e shpërndarjeve është një udhërrëfyes për sisteme që mund të instaloni në një kompjuter. Ndaj, përmban vetëm shpërndarje që janë të plota në vetvete dhe gati për përdorim. Nëse një shpërndarje është e paplotë — nëse lyp zhvillim të mëtejshëm, ose nënkupton instalim software-i tjetër gjithashtu — atëherë nuk paraqitet këtu, edhe pse është software i lirë.

Një përjashtim nga kjo domosdoshmëri dhe nga domosdoshmëria e vetë-strehimit më sipër bëhet për shpërndarje sistemesh të vegjël, të cilat janë shpërndarje të konceptuara për pajisje me burime të kufizuara, bie fjala, një rrugëzues pa fill. Shpërndarjet e lira për sistemve të vegjël s’ka nevojë të jenë të vetëstrehuara apo të plota, ngaqë është jopraktike të bëhet zhvillim në një sistem të tillë, por duhet të jetë i tillë që të mund të zhvillohet dhe ndërtohet përmbi një shpërndarje të plotë sistemi të lirë prej listës sonë të shpërndarjeve, ndoshta me ndihmën e mjeteve të lira të shpërndara tok me vetë shpërndarjen e sistemit të vogël.

Rregulla Licence

“Informacion për përdorim praktik” përfshin software, dokumentim, lloje shkronjash, dhe të dhëna të tjera që kanë zbatim të drejtpërdrejta praktike. Nuk përfshin vepra artistike, që kanë një qëllim estetik (në vend se funksional), ose pohime opinionesh apo gjykimesh.

Krejt informacioni për përdorim praktik në një shpërndarje të lirë duhet të jetë i passhëm në formën burim. (“Burim” do të thotë forma e informacionit që është e parapëlqyer për të bërë ndryshime në të.)

Informacioni, dhe burimi, duhet dhënë nën një licencë të lirë të përshtatshme. Ne shqyrtojnë licenca specifike dhe i radhitim përcaktimet tona te lista jonë e licencave, me ndarje më vete për licenca që janë të përshtatshme për software, dokumentim, lloje shkronjash, dhe vepra të tjera të dobishme. Nëse një vepër e tillë hidhet në qarkullim nën një kryqëzim licencash, vepra është e lirë për sa kohë që të paktën një nga licencat e saj është e lirë; zhvilluesit e sistemit duhet të ndjekin kushtet e licencës(ave) të lirë që ka vend, kur e shpërndajnë dhe/ose ndryshojnë.

Një shpërndarje sistemi të lirë s’duhet t’i shpjerë përdoruesit drejt marrjes së çfarëdo informacioni jo të lirë, për qëllime praktike, ose t’i nxisë të bëjnë kështu. Sistemi s’duhet të ketë depo software-i jo të lirë dhe receta specifike për instalim programesh të veçantë jo të lirë. As duhet t’u referohet depove nga palë të treta, të cilat s’i janë përkushtuar përfshirjes në to vetëm të software-it të lirë; edhe nëse sot kanë vetëm software të lirë, kjo mund të mos jetë më e vërtetë në të ardhmen. Programet në sistem s’duhet të sugjerojnë instalimin e shtojcave, dokumentimit, etj, jo të lirë.

Për shembull, një shpërndarje sistemi jo të lirë s’duhet të përmbajë shfletues që sendërtojnë EME-n, veçorinë e shfletuesit e konceptuar për të ngarkuar module DRM.

Një shpërndarje sistemi të lirë duhet të jetë e vetëstrehuar. Kjo do të thotë që duhet të jeni në gjendje të zhvilloni dhe montoni sistemin me mjete që sistemi ju furnizon. Si pasojë, një shpërndarje sistemi të lirë s’mund të përmbajë software jo të lirë i cili mund të montohet vetëm duke përdorur software jo të lirë.

Në shumicën e shpërndarjeve të sistemeve të lirë të sotshëm ka një sasi të madhe kodi; sasi e përpjekjeve që do të hante auditimi i krejt atij drejtpërsëdrejti është jo praktike për shumicën e ekipeve. Në të kaluarën, ca kod jo i lirë ka qenë përfshirë aksidentalisht në shpërndarje sistemesh të lirë. Nuk i zhgradojmë shpërndarjet për shkak të kësaj; në vend të kësaj, vetëm u kërkojmë zhvilluesve të një shpërndarjeje të bëjnë një përpjekje në mirëbesim për të shmangur përfshirjen e software-it jo të lirë, dhe të japin fjalën se do të heqin programe të tillë, në u zbuloftë ndonjë.

Disa lloje situatash me licencat meritojnë kujdes të veçantë nga personat që krijojnë ose peshojnë shpërndarje sistemesh të lirë; këto diskutohen në ndarjet më poshtë.

Firmware Jo i Lirë

Disa aplikacione dhe përudhës lypin firmware që të funksionojnë, dhe ndonjëherë ai firmware shpërndahet vetëm në formën object code, nën një licencë jo të lirë. Këto programe firmware i quajmë “blobs”. Në shumicën e sistemeve GNU/Linux, zakonisht këta do t’i gjeni si shoqërues të disa përudhësave në kernelin Linux. Firmware i tillë duhet hequr nga një shpërndarje sistemi të lirë.

Blob-et mund të jenë në shumë forma. Ndonjëherë, do të jepen në kartela më vete. Herë të tjera, mund të jenë përfshirë te burimi i vetë përudhësit—për shembull, mund të jetë koduar si një matricë e madhe numrash. Por pavarësisht se si është koduar, çfarëdo firmware-i duhet të hiqet nga një sistem i lirë.

(Për të qenë të qartë, jo çdo matricë numrash në një përudhës është firmware. Është e rëndësishme të kuptohet qëllimi i të dhënave, përpara se të vendoset nëse janë apo jo të përshtatshme për një sistem të lirë)

Brian Brazil, Jeff Moe, dhe Alexandre Oliva kanë zhvilluar një varg programthesh për heqje firmware-i jo të lirë nga një version i paprekur i kernelit Linux. Mund t’ju jenë të dobishëm, nëse doni të zhvilloni shpërndarjen tuaj të lirë GNU/Linux—edhe pse rekomandojmë të bëheni pjesë e zhvillimit të një shpërndarjeje ekzistuese, në vend se të fragmentoni përpjekjet duke filluar një të re. Është gjithashtu i passhëm burimi i plotë për një version pa blob-e të kernelit Linux; më tepër rreth këtij projekti mund të lexoni te Free Software Directory.

Të dhëna Jo-funksionale

Të dhënat që s’janë funksionale, që s’bëjnë një punë praktike, janë më shumë një zbukurim i software-it të sistemit, se sa pjesë e tij. Ndaj, nuk këmbëngulim në një licencë të lirë për të dhënat jofunksionale. Mund të përfshihen në një sistem të lirë, për sa kohë që licenca e tyre ju jep lejen t’i kopjoni dhe rishpërndani, për të dy rastet, komercial dhe jokomercial. Për shembull, disa mekanizma lojërash të hedhur në qarkullim sipas GNU GPL kanë informacion shoqërues mbi lojën—një hartë të një bote imagjinare, elementë grafikë të lojës, e me radhë—të hedhur në qarkullim nën një licencë të tillë shpërndarjeje verbatim. Ky lloj të dhënash mund të jetë pjesë e një shpërndarjeje sistemi të lirë, edhe pse licenca për to nuk kualifikohet si e lirë, ngaqë janë jo funksionale.

Shenja Tregtare

Ka shenja tregtare që përshoqërojnë ca software. Për shembull, emri i programit mund të jetë nën shenjë tregtare, ose ndërfaqja e tij mund të shfaqë një stemë nën shenjë tregtare. Shpesh, përdorimi i këtyre shenjave kontrollohet në një farë mënyre; në veçanti, zhvilluesve u kërkohet rëndom të heqin prej software-i referenca ndaj shenjash tregtare, kur e ndryshojnë atë.

Në raste të skajshme, këto kufizime mund ta bëjnë efektivisht jo të lirë programin. S’është e drejtë që dikush t’ju kërkojë të hiqni një shenjë tregtare nga kod i ndryshuar, nëse ajo shenjë tregtare gjendet gjithandej në burimin origjinal. Për sa kohë që kërkesat praktike janë të arsyeshme ama, shpërndarjet e sistemeve të lirë mund të përfshijnë programe të tillë, me ose pa shenjat tregtare.

Në mënyrë të ngjashme, vetë shpërndarja mund të jetë në pronësi shenjash të veçanta tregtare. S’është problem, nëse ndryshimi lyp heqjen e këtyre shenjave tregtare, për sa kohë që mund të hiqen pa humbur funksione.

Por, është e papranueshme të përdoren shenja tregtare për të kufizuar kopjimin verbatim (fjalë për fjalë) dhe rishpërndarjen e krejt shpërndarjes, ose të çfarëdo pjese prej saj.

Dokumentim

Krejt dokumentimi në një sistem të lirë duhet hedhur në qarkullim nën një licencë të lirë të përshtatshme. Për më tepër, duhet të bëjë kujdes të mos rekomandojë software jo të lirë.

Në përgjithësi, diçka që i ndihmon njerëzit të cilët përdorin tashmë software jo të lirë të përdorin më mirë software të lirë me të është e pranueshme, por diçka që i nxit përdoruesit e software-it të lirë të instalojnë software jo të lirë s’është e pranueshme.

Për shembull, një shpërndarje sistemi të lirë mund të përmbajë dokumentin për rregullime përdoruesi lidhur me ujdisje sistemesh dual boot. Mund të shpjegojë se si të përdoren sisteme kartelash të sistemit operativ pronësor, si të importohen rregullime prej tij, e me radhë. Kjo do t’i ndihmonte njerëzit të instalojnë një shpërndarje sistemi të lirë në një makinë që ka tashmë software pronësor, dhe kjo është gjë e mirë.

Ç’do të ishte e papranueshme për dokumentimin është t’u japë njerëzve udhëzime për instalim te sistemi të një programi jo të lirë, ose të përmendë leverdira që mund të kenë duke bërë këtë.

Për një rast në mëdyshje, një nxitje e qartë dhe serioze për të mos përdorur programin jo të lirë do ta kalonte rastin në anën e pranueshme të vijës ndarëse.

Patenta

Në të vërtetë, për zhvilluesit dhe shpërndarësit e software-it jo të lirë është e pamundur të dinë nëse cenon apo jo ndonjë patentë një copë e dhënë software-i: ka shumë shumë të tilla, janë të ndryshme nga vendi në vend, shpesh janë të formuluara në mënyrë të tillë për ta bërë të vështirë të thuhet se çfarë mbulojnë dhe çfarë jo, dhe s’është e lehtë të thuhet se cilat janë të vlefshme. Prandaj, në përgjithësi s’u kërkojmë shpërndarjeve të sistemeve të lira të përjashtojnë për shkak rreziqesh të mundshme prej patentash. Më anë tjetër, s’jemi kundër që një shpërndarës zgjedh të lërë jashtë ndonjë software me qëllim që të shmangë rrezik patentash.

Pa Malware

Shpërndarja s’duhet të përmbajë DRM, as deriçka të pasme, dhe as spyware.

Përkushtim për Ndreqje Gabimesh

Shumica e e ekipeve të zhvillimit të shpërndarjeve nuk i kanë burimet për kontrolluar në mënyrë shteruese se shpërndarja e tyre i plotëson të tëra këto kritere. As ne i kemi. Ndaj e presim që shpërndarjet me raste të kenë gabime: software jo të lirë që ka kaluar nëpër të, etj. Nuk e hedhim poshtë një shpërndarje për shkak gabimesh. Kërkesa jonë për zhvilluesit e shpërndarjeve është të keni një përkushtim të palëvizur ndaj ndreqjes menjëherë të çfarëdo gabimi që u njoftohet.

Mirëmbajtje

Për të qenë pjesë e listë, një shpërndarje duhet të mirëmbahet në mënyrë aktive, dhe duhet t’i japë Projektit GNU një rrugë të qartë dhe specifike për të njoftuar probleme software-i jo të lirë që gjejmë për të. Duhet gjithashtu të na njoftojë, kur problemet që kemi njoftuar të jenë zgjidhur.

Konfuzion Emrash

S’do të përfshijnë në listë një shpërndarje emri i të cilës krijon konfuzion me shpërndarje jo të lira. Për shembull, Filanka Light është një shpërndarje e lirë dhe Filanka është një shpërndarje jo e lirë, s’do ta përfshijmë në listë Filankën Light. Kjo ngaqë presim që dallimi mes të dyjave të humbë rrugës gjatë procesit të komunikimit të mesazhit.

Veçanërisht, emri kryesor i shpërndarjes së lirë (“Filanka”, në këtë shembull) s’duhet të jetë pjesë e emrit të çfarëdo shpërndarjeje jo të lirë.

Disa vetë menduan t’i shtojnë emrin “GNU” një emri të një shpërndarjeje të lirë, për ta dalluar nga një jo e lirë. Kjo ka dy probleme. E para, dy emrat s’do të ishin të ndryshëm në mënyrë të mjaftë, ngaqë fjala kryesore në të dy emrat do të ishte e njëjtë.

Së dyti, kjo do të përhapte keqkuptim se ç’do të thotë “GNU”. GNU-ja është një sistem operativ, zakonisht i përdorur me Linux-in si kernel, dhe në thelb krejt të ahtuquajturat shëprndarje “Linux” janë në fakt shpërndarje GNU/Linux. Në këtë skenaro, që të dy versionet janë GNU/Linux, dhe do të ishte ngatërruese të lihet jashtë “GNU”-ja nga emri i njërës prej tyre.

Lidhja Me Ata Sipër, Nëse Jeni Poshtë

Për zhvilluesit (ose këdo tjetër) që ka dërguar një njoftim të rëndësishëm të mete për një paketë GNU: nëse s’i është vënë veshi nga mirëmbajtësi i paketës pas një kohe të arsyeshme (ju lutemi, pritni të paktën dy javë), mund ta përshkallëzoni punën duke i shkruar <maintainers@gnu.org>. Kjo është veçanërisht e pritshme, nëse s’gjeni dot evidencë veprimtari së fundi prej mirëmbajtësit të paketës.

Ju lutemi, Mësojuni Përdoruesve rreth Software-it të Lirë

Për të vendosur liri jetëgjatë, s’mjafton t’u jepet liri përdoruesve. Është e nevojshme edhe t’u mësohet atyre të kuptojnë ç’do të thotë kjo dhe që ta kërkojnë. Ndaj, sugjerojnë dhe kërkojmë me forcë që shpërndarjet e lira të shpalosin dukshëm në ekran, para hyrjes në llogarinë e përdoruesit dhe te desktopi parazgjedhje, pas hyrjes, një pohim me peshë rreth lirisë, bie fjala, “Ky sistem është software i lirë/libre që respekton lirinë ” ose diçka të ngjashme, dhe të japin një lidhje ose një ikonë që shpie te gnu.org ose gnu.org/philosophy, për më tepër informacion rreth problemit.

Ju Lutemi, Shmangni Përsëritje Propagande dhe Konfuzioni

Ju lutemi, shihni listën tonë të fjalëve që duhen shmangur, që ose janë të njëanshme, të gabuara ose ngatërruese, dhe përpiquni t’i shmangni ato në deklarata publike dhe në diskutime me publikun.

Shënime Përfundimtare

Mbajmë një listë të shpërndarjeve sistemi të lirë GNU për të cilat kemi dijeni. Nëse dini një shpërndarje të lirë që s’është këtu, ju lutemi, kërkojini zhvilluesve të saj të na shkruajnë te <webmasters@gnu.org> me një përshkrim të sistemit të tyre dhe një lidhje për te faqja e tyre në web.

Paraqesim edhe shpërndarje sistemi të lirë jo-GNU sipas po të njëjtave kushte.

Nëse keni pyetje ose komente rreth vetë këtyre udhëzimeve, mos ngurroni të na i dërgoni te <licensing@fsf.org>. Shpresojmë se do të ndihmojnë këdo të kuptojë më mirë problemet që janë të rëndësishme për shpërndarje sistemi të lirë, dhe shpresojmë të promovojmë më tepër të tilla në të ardhmen.


Gati për këtë faqe:

[en] English   [ar] العربية   [de] Deutsch   [es] español   [fr] français   [hr] hrvatski   [it] italiano   [ja] 日本語   [lt] lietuvių   [ml] മലയാളം   [pl] polski   [pt-br] português   [ro] română   [ru] русский   [sq] Shqip   [tr] Türkçe   [uk] українська   [zh-cn] 简体中文  

 [Logo FSF-je]  “The Free Software Foundation (FSF) është një ent jofitimprurës me një mision mbarëbotëror: promovimin e lirisë së përdoruesit të kompjuterit. Ne mbrojmë të drejtat e krejt përdoruesve të software-it.”