Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Linux, GNU dhe Liri

Ngaqë artikulli i Joe Barr-it kritikoi tratativat e mia me SIGLINUX-in, do të doja të thosha troç se ç’ndodhi vërtet dhe të deklaroj arsyet e mia.

Kur SIGLINUX më ftoi të flisja, qe një “Grup Përdoruesish Linux”; pra, një grup përdoruesish të sistemit GNU/Linux që e quan krejt sistemin “Linux”. Ndaj u përgjigja me mirësjellje se nëse do të donin dikë nga Projekti GNU të mbajë një fjalë për ta, duhej ta trajtonin Projektin GNU drejt dhe ta quanin sistemin “GNU/Linux”. Sistemi është një variant i GNU-së dhe Projekti GNU është zhvilluesi kryesor i tij, ndaj logjika shoqërore thotë të thirret me emrin që ne zgjodhëm. Hiq rastet kur ka arsye të fuqishme për një përjashtim, unë zakonisht hedh poshtë të mbaj fjalë për ente që s’do t’i japin hakën GNU-së në këtë mënyrë. E respektoj lirinë e tyre të fjalës, por edhe unë gëzoj lirinë të mos mbaj një fjalë.

Më pas, Jeff Strunk-u i SIGLINUX-it provoi të ndryshojë rregullat e grupit dhe i kërkoi FSF-së ta paraqesë grupin e vet në faqen tonë të grupeve të përdoruesve të GNU/Linux-it. Përgjegjësi i sajtit tonë i tha se ne s’do ta paraqisnim nën emrin “SIGLINUX”, ngaqë ai emër nënkupton se grupi është për Linux. Strunk-u propozoi ta ndryshonte emrin në “SIGFREE” dhe përgjegjësi i sajtit tonë pranoi se kjo do të ishte në rregull. (Artikulli i Barr-it thoshte se ne e hodhëm poshtë këtë propozim.) Por, grupi në fund vendosi të rrijë me emrin “SIGLINUX”.

Në këtë pikë, çështja më doli sërish përpara dhe sugjerova të shohin mundësinë e emrave të tjerë. Ka plot emra që mund të zgjidhnin për të mos e quajtur sistemin “Linux” dhe shpresoj se do të dalin me një të cilin e pëlqejnë. Këtu mbaron ai muhabet, me aq sa di.

A është e vërtetë, siç shkruan Barr-i, se disa persona i shohin këto veprime si një “aplikim force”, të krahasueshëm me pushtetin monopolist të Microsoft-it? Mbase. Hedhja poshtë e një ftese s’është shtrëngim, por njerëzit që janë të vendosur të besojnë se sistemi i tërë është “Linux”, ndonjëherë arrijnë në vizion të shtrembëruar në mënyrë mahnitëse. Për ta bërë atë emër të duket i përligjur, u duhet t’i bëjnë pirgjet e dheut male dhe malet, pirgje dheu. Nëse mund të shpërfillni faktet dhe besoni se Linus Torvalds-i zhvilloi tërë sistemin duke filluar më 1991-shin, ose, nëse shpërfillni parimet tuaja të zakonshme mbi paanshmërinë dhe besoni se Torvalds-i duhet të marrë tërë meritën, edhe pse s’e bëri këtë, nga këtu e deri të besoni se ju kam borxh një fjalë, kur kërkoni të tillë, i ndan një hap i vockël.

Thjesht mendoni: Projekti GNU zuri të zhvillojë një sistem operativ dhe vite më vonë Linus Torvalds shton një pjesë të rëndësishme. Projekti GNU thotë, “Ju lutemi, jepini projektit tonë po aq përmendje”, por Linusi thotë “Mos u jepni një pjesë të hakës; quajeni krejt sistemin vetëm me emrin tim”! Tani përfytyroni mendësinë e një personi që mundet të shohë këto ngjarje dhe të akuzojë Projektin GNU për egoizëm. Lypset paragjykim i fortë për të gjykuar shtrembër në mënyrë kaq drastike.

Një person me kaq paragjykim mund të thotë gjithçka mbi Projektin GNU dhe të mendojë se janë të përligjura; pasuesit e tij do ta përkrahin, ngaqë u duhet përkrahja e njëri-tjetrit për të mbajtur në këmbë atë paragjykim. Ata që s’mendojnë si ta, mund t’i fyejnë; kështu që, nëse hedh poshtë të marr pjesë në një veprimtari nën rubrikën “Linux”, kjo mund të duket e pafalshme dhe të më bëjnë përgjegjës për dashakeqësinë që ndjejnë më pas. Kur kaq shumë vetëm duan që ta quaj sistemin “Linux”, si mundem unë, që thjesht nisa zhvillimin e tij, të mos u shkoj pas avazit? Dhe mohimi me forcë i mbajtjes së një fjale për ta është t’i bësh forcërisht të palumtur. Ky është shtrëngim, po aq i keq sa i Microsoft-it!

Tani, mund të pyesni, pse nuk i shmangem problemit dhe të shpëtoj nga gjithë ky hidhërim. Kur SIGLINUX më ftoi të flas, thjesht mund të kisha thënë “Jo, më ndjeni” dhe puna do të kish mbaruar me aq. Pse s’e bëra? Dëshiroj të marr në sy rrezikun e të qenit personalisht i abuzuar, me qëllim që të kem një shans të ndreq gabimin që minimizon përpjekjet e Projektit GNU.

Ta quash “Linux” këtë variant të sistemit GNU. shpie ujë në mullirin e njerëzve që e zgjedhin software-in e tyre bazuar vetëm në përparësi teknike, pa çarë kryet nëse respekton apo jo lirinë e tyre. Ka njerëz si Barr-i, që e duan software-in e tyre “të lirë nga ideologjitë” dhe që kritikojnë këdo që thotë se liria ia vlen. Ka persona si Torvalds-i që do të ushtrojnë trysni mbi bashkësinë tonë drejt përdorimit të një programi jo të lirë dhe sfidojnë, këdo që ankohet, të sjellë menjëherë një program (teknikisht) më të mirë, ose ta qepë gojën. Ka persona që thonë se vendimet teknike s’duhen “politizuar” nga marrja në shqyrtim e konsekuencave të tyre shoqërore.

Në vitet ’70, përdoruesit e kompjuterave humbën liritë të shpërndajnë dhe ndryshojnë software-in, ngaqë s’vlerësuan lirinë e tyre. Përdoruesit e kompjuterave i rifituan këto liri në vitet ’80 dhe ’90, ngaqë një grup idealistësh, Projekti GNU, besoi se liria është ajo çka e bën më të mirë një program dhe qenë të gatshëm të punonin për atë çka besonin.

Sot kemi pjesërisht liri, por liria jonë s’është e sigurt. Kërcënohet nga CBDTPA (ish- SSSCA), nga Broadcast “Protection” Discussion Group (shihni www.eff.org) që propozon të ndalohet software-i i lirë të përdorë transmetime TV-je dixhitale, nga patentat mbi software-in (Evropa tani po shqyrton të ketë a jo patenta mbi software-in), nga marrëveshjet për mosnxjerrje sekreti të Microsoft-it për protokolle jetikë dhe nga cilido që na josh me një program jo të lirë që është “më i mirë” (teknikisht) se sa programet e lirë të gatshëm. Mund ta humbim sërish lirinë, ashtu si e humbëm herën e parë, nëse s’kujdesemi sa duhet për ta mbrojtur.

A do të bëhen merak një numër i mjaftë prej nesh? Kjo varet nga shumë gjëra; mes tyre, sa ndikim ka Projekti GNU dhe se sa ndikim ka Linus Torvalds-i. Projekti GNU thotë “Çmoni lirinë tuaj!”, Joe Barr-i thotë “Zgjidhni programe jo të lirë a të lirë vetëm mbi baza teknike”! Nëse njerëzit i japin Torvalds-it hakën si zhvilluesi kryesor i sistemit GNU/Linux, kjo s’është thjesht e pasaktë, kjo e bën mesazhin e tij më ndikues—dhe ai mesazh thotë, “Software-i jo i lirë është OK; unë vetë e përdor dhe e zhvilloj”. Nëse pranojnë rolin tonë, do të na dëgjojnë më tepër dhe mesazhi që do t’u japim është, “Ky sistem ekziston për hir të njerëzve që kujdesen për lirinë. Ejani me ne, çmoni lirinë tuaj dhe tok mund ta ruajmë”. Për hollësi historike, shihni Projektin GNU.

Kur u kërkoj njerëzve ta quajnë sistemin GNU/Linux, disa prej tyre përgjigjen me shfajësime mendjelehta dhe sofizma straw men. Por, sipas gjasash, s’kemi humbje, ngaqë mundet që të kenë qenë jomiqësor ndaj nesh, për t’ia filluar. Ndërkohë, të tjerë persona i pranojnë arsyet që jap dhe përdorin atë emër. Duke bërë kështu, ndihmojnë për t’i bërë të tjerët të ndërgjegjshëm pse ekziston vërtet sistemi GNU/Linux dhe kjo rrit aftësinë tonë për të përhapur idenë se liria është një vlerë e rëndësishme.

Kjo është arsyeja pse vazhdoj të përplas kryet kundër anësisë, shpifjes dhe keqardhjes. Ato më lëndojnë, por kur jam i suksesshëm, kjo përpjekje ndihmon fushatën e Projektit GNU për lirinë.

Meqë kjo doli në kontekstin e Linux-it (kernelit) dhe Bitkeeper-it, sistemi jo i lirë i kontrollit të versioneve që përdor tani Linus Torvalds-i, do të doja ta trajtoja edhe këtë çështje.

Çështja Bitkeeper

(Shihni përditësimin më poshtë.)

Përdorimi i Bitkeeper-it për burimet e Linux-it ka një efekt të rëndë mbi bashkësinë e software-it të lirë, ngaqë, cilido që dëshiron të ndjekë nga afër arnimet që i bëhen Linux-it, mund ta bëjë vetëm duke instaluar atë program jo të lirë. Duhet të ketë me dhjetëra, në mos me qindra hacker-a kerneli që kanë bërë kështu. Shumica e tyre po e bindin gradualisht veten se, të përdorësh software jo të lirë, s’ka problem, me qëllim që të shmangin ndjenjën e disonancës konjitive lidhur me praninë e Bitkeeper-it në makinat e tyre. Ç’mund të bëhet për këtë?

Një zgjidhje është të ujdiset një tjetër depo për burimet e Linux-it, duke përdorur CVS-në, ose tjetër sistem të lirë kontrolli versionesh dhe duke e sistemuar të ngarkojë automatikisht versionet e rinj. Kjo mund të përdorë Bitkeeper-in për të pasur hyrje te rishikimet më të reja, mandej të instalojë rishikimet më të reja në CVS. Ky proces përditësimi mund të kryhet automatikisht dhe shpesh.

FSF-ja s’mund ta bëjë këtë, ngaqë s’mund të instalojmë Bitkeeper-in në makinat tona. Tanimë në to s’kemi sisteme apo aplikacione jo të lira dhe parimet tona thonë se kështu duhet t’i mbajmë. Mbajtja në punë e kësaj depoje do të duhej bërë nga dikush tjetër që pranon të ketë Bitkeeper në makinën e tij, veç nëse dikush mund të gjejë ose krijojë një mënyrë për ta bërë këtë duke përdorur software të lirë.

Burimet e Linux-it në vetvete kanë një problem edhe më serioz me software-in jo të lirë: përmbajnë të tillë faktikisht. Një dorë përudhësish pajisjesh përmbajnë vargje numrash që përfaqësojnë programe firmware për t’u instaluar te pajisja. Këto programe s’janë software i lirë. Ndoca numra për t’u depozituar te regjistra pajisjesh janë një gjë; një program jo i pakët, në format dyor, është një gjë tjetër.

Prania e këtyre programeve vetëm-dyorë në kartela “burim” të Linux-it krijon një problem dytësor: vë në pyetje mundësinë e rishpërndarjes së ligjshme të dyorëve Linux. GPL-ja lyp “kodin e plotë burim përkatës” dhe një sekuencë numrash të plotë s’është kod burim. Me të njëjtën monedhë, shtimi i një dyori të tillë te burimet Linux shkel GPL-në.

Zhvilluesit e Linux-it kanë në plan t’i kalojnë këto programe firmware në kartela ndarazi; do të duhen ca vite që kjo punë të piqet, por, kur të ketë mbaruar, do të zgjidhë problemin dytësor; do të mund të krijonim një version “të lirë të Linux-it” që s’përmban kartela firmware-i jo të lirë. Kjo, në vetvete, s’do të sillte ndonjë të mirë të madhe, nëse shumica e njerëzve përdorin version jo të lirë “zyrtar” të Linux-it. Kjo edhe mund të ndodhë, ngaqë në mjaft platforma, versioni i lirë s’do të xhirojë pa firmware jo të lirë. Projektit “Linux i lirë” do t’i duhet të kuptojë se ç’bën firmware-i dhe të shkruajë kod burim për të, ndoshta në gjuhën asembler, për çfarëdo procesori të trupëzuar në të cilin xhiron. Është një punë që të tremb pak. Do të ishte më pak e tillë, nëse do ta kishim bërë pak nga pak përgjatë vitesh, në vend se ta linim të shtohej. Për rekrutim personash për të kryer këtë punë, do të na duhet të kapërcejmë idenë, e përhapur nga disa zhvillues të Linux-it, se kjo punë s’është e nevojshme.

Linux-i, kerneli, shpesh mendohet si maja e software-it të lirë, por prapë versioni i vet i tanishëm është pjesërisht jo i lirë. Si ndodhi kështu? Ky problem, si me vendimin për të përdorur Bitkeeper-in, pasqyron qëndrimin e zhvilluesit origjinal të Linux-it, një person që mendon se, “më e mirë nga ana teknike” është me më tepër rëndësi, se sa liria.

Historia na mëson “Çmojeni lirinë tuaj, ose do ta humbni”. “Mos na bezdis me politikë”, përgjigjen ata që s’duan të mësojnë.

Përditësim: Që nga 2005, BitKeeper s’përdoret më për të administruar pemën burim të kernelit të Linux-it. Shihni artikullin, Faleminderit, Larry McVoy. Burimet e Linux-it ende përmbajnë blobs firmware-i jo të lirë, por që nga janari i 2008-s, tanimë mirëmbahet një version i lirë i Linux-it për përdorim në shpërndarje të lira GNU/Linux.