Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Copyleft-i: Idealizëm Pragmatik

Çdo vendim që merr një njeri rrjedh nga vlerat dhe synimet e personit. Njerëzit mund të kenë synime dhe vlera të shumta të ndryshme; fama, fitimet, dashuria, mbijetesa, zbavitja dhe liria janë vetëm disa nga synimet që një person i mbarë mund të ketë. Kur synimi është çështje parimesh, këtë e quajmë idealizëm.

Puna ime me software-in e lirë motivohet nga një synim idealist: përhapjen e lirisë dhe të bashkëpunimit. Dua të nxis përhapjen e software-it të lirë, duke zëvendësuar software-in pronësor që ndalon bashkëpunimin, për ta bërë kështu më të mirë shoqërinë tonë.

Kjo është arsyeja bazë pse licenca GNU General Public License është shkruar siç është shkruar - si një copyleft. Krejt kodi i shtuar te një program që mbulohet nga GPL-ja duhet të jetë software i lirë, edhe nëse vendoset në një kartelë më vete. Kodin tim e bëj të passhëm për përdorim si software të lirë dhe jo për përdorim në software pronësor, me qëllim që të nxis persona të tjerë që shkruajnë software ta bëjnë edhe ata të lirë. Mendoj se meqë zhvilluesit e software-it pronësor përdorin të drejtat e kopjimit për të na penguar të ndajmë gjëra me njëri-tjetrin, ne bashkëpunuesit mund t’i përdorim të drejtat e kopjimit për t’u dhënë të tjerë bashkëpunuesve një përparësi për veten: mund të përdorin kodin tonë.

Jo gjithkush që përdor GNU GPL ka këtë synim. Shumë vjet më parë, një shokut tim i qe kërkuar që një program nën copyleft ta rihidhte në qarkullim nën kushte jo copyleft dhe ai u përgjigj pak a shumë kështu:

“Ndonjëherë merrem me software të lirë dhe ndonjëherë merrem me software pronësor - por kur merrem me software pronësor, pres që prej kësaj të paguhem.”

Ishte i gatshëm ta ndante veprën e vet me bashkësinë që ndan software, por nuk pa arsye pse t’i jepte falas diçka një biznesi që krijon produkte të cilat bashkësia jonë nuk i merr dot. Synimi i tij qe i ndryshëm nga i imi, por vendosi që GNU GPL-ja qe e dobishme edhe për synimin e tij.

Nëse doni të arrini diçka në botë, idealizmi nuk mjafton - për të arritur synimin, lypset të zgjidhni një metodë që funksionon. Me fjalë të tjera, lypset të jeni “pragmatik”. A është pragmatike GPL-ja? Le të shohim përfundimet prej saj.

Le të marrim rastin e GNU C++. Pse kemi një përpilues të lirë C++? Vetëm sepse GNU GPL thotë se duhej të ishte i lirë. GNU C++ qe zhvilluar nga një konsorcium i industrisë përkatëse, MCC, duke zënë fill prej përpiluesit GNU C. MCC-ja normalisht i bën krijimet e saj aq pronësore sa s’bëhet. Por krijuan software-in e lirë front end për C++, ngaqë GNU GPL thoshte se ishte rruga e vetme për ta hedhur në qarkullim. Front end-i për C++ përfshinte mjaft kartela të reja, por meqë qenë menduar për t’u lidhur me GCC-në, mbi to aplikohej GPL-ja. Përfitimi i bashkësisë tonë është i dukshëm.

Le të marrim GNU Objective C. NeXT-i fillimisht donte ta bënte pronësor këtë front end; propozuan ta hedhin në qarkullim si kartela .o dhe të liheshin përdoruesit ta lidhnin me pjesën tjetër të GCC-së, duke menduar se kjo mund të ishte një rrugë për të anashkaluar domosdoshmëritë e GPL-së. Por juristët tanë thanë se kështu s’u shmangeshe dot domosdoshmërive, se nuk ishte e lejuar. Ndaj krijuan software-in e lirë front end Objective C.

Këto shembuj ndodhën vite më parë, por GNU GPL-ja vazhdon të na sjellë më tepër software të lirë.

Mjaft biblioteka GNU mbulohen nga licenca GNU Lesser General Public License, por jo të gjitha. Një bibliotekë GNU që mbulohet nga GNU GPL-ja e zakonshme është Readline, që sendërton përpunim në rresht urdhrash. Një herë mësova mbi një program jo të lirë që qe hartuar për të përdorur Readline-in dhe i thashë zhvilluesit se kjo nuk lejohej. Mund të kish hequr nga programi përpunimin në rresht urdhrash, por ajo që bëri aktualisht qe ta hidhte në qarkullim nën GPL. Tani është software i lirë.

Programuesit që shkruajnë përmirësime për GCC-në (ose për Emacs, ose për Bash, ose për Linux, ose për çfarëdo programi të mbuluar nga GPL) shpesh janë të punësuar nga shoqëri apo universitete. Kur një programues dëshiron t’i kthejë bashkësisë së tij përmirësimet e veta dhe e sheh kodin e vet pjesë të hedhjes së ardhshme në qarkullim, padroni mund të thotë, “Pa dale - kodi juaj na përket ne! Nuk duam ta ndajmë me të tjerë; kemi vendosur ta kthejmë versionin tuaj të përmirësuar në një produkt software-i pronësor”.

Këtu shpëtimi vjen nga GNU GPL-ja. Programuesi i tregon padronit se ky software pronësor mund të jetë shkelje të drejtash kopjimi dhe padroni kupton se ka vetëm dy zgjidhje: kodin e ri ta hedhë në qarkullim si software të lirë, ose të mos ta hedhë fare. Thuajse përherë, ai e lejon programuesin të bëjë siç kishte menduar gjithë kohën dhe kodi bëhet pjesë e hedhjes pasuese në qarkullim.

GNU GPL-ja s’është z. Rob i Mirë. Thotë jo për disa gjëra që njerëzit duan të bëjnë ndonjë herë. Ka përdorues që thonë se kjo është gjë e keqe - se GPL-ja “përjashton” disa zhvillues software-i pronësor që “është e nevojshme të sillen te bashkësia e software-it të lirë”.

Por s’po i përjashtojmë ne nga bashkësia jonë; ata po zgjedhin të mos hyjnë në të. Vendimi i tyre për ta bërë software-in pronësor, është një vendim për të qëndruar jashtë bashkësisë tonë. Të qenët brenda bashkësisë tonë do të thotë të përqafosh bashkëpunimin me ne; s’mund “t’i sjellim te bashkësia jonë”, nëse s’duan të vinë.

Ajo që mund të bëjmë është t’u ofrojmë një shtysë për të ardhur. GNU GPL-ja është hartuar për ta dhënë këtë shtysë përmes software-it tonë ekzistues: “Nëse software-in tuaj e bëni të lirë, mund të përdorni këtë kod”. Sigurisht, nuk do t’u mbushë mendjen të tërëve.

Zhvillimi pronësor i software-it nuk kontribuon në bashkësinë tonë, por zhvilluesit e tij shpesh duan gjëra falas prej nesh. Përdoruesit e software-it të lirë mund t’u ofrojnë zhvilluesve të këtij software-i këndellje për egon - mirënjohje dhe falënderim - por mund të jetë shumë tunduese kur një biznes ju thotë “Le ta vëmë paketën tuaj në programin tonë pronësor dhe programi juaj do të përdoret nga mijëra vetë”! Tundimi mund të jetë i fuqishëm, por parë me të ardhmen në mendje, jemi më mirë nëse i rezistojmë.

Tundimi dhe presioni janë të zorshëm për t’u dalluar, kur vijnë tërthorazi, përmes entesh software-i të lirë që kanë adoptuar një politikë përkujdesjeje për software-in pronësor. X Consortium (dhe pasuesi i tij, Open Group) ofron një shembull: i financuar nga shoqëri që krijon software pronësor, u rrekën një dhjetëvjeçar për t’i bindur programuesit të mos përdorin copyleft. Kur Open Group provoi ta bëjë X11R6.4 software jo të lirë, ata prej nesh që i kishin rezistuar këtij presioni, qenë të gëzuar që patëm bërë ashtu.

Në shtator të 1998-s, disa muaj pasi X11R6.4 qe hedhur në qarkullim me kushte shpërndarjeje jo të lirë, Open Group e përmbysi vendimin e vet dhe e rihodhi në qarkullim nën të njëjtën licencë software-i të lirë, jo copyleft që qe përdorur për X11R6.3. Faleminderit, Open Group - por përmbysja që pasoi nuk bën të pavlefshme përfundimet që nxjerrim nga fakti se shtimi i kufizimeve qe i mundshëm.

Duke folur si pragmatikë, të menduarit rreth synimeve afatgjata do të forcojë vullnetin tuaj për t’i rezistuar kësaj trysnie. Nëse mendjen e përqendroni te liria dhe bashkësia që mund të krijoni duke qëndruar i palëkundur, do të gjeni forcë ta bëni. “Mbroni diçka, ose do humbni gjithçka”.

Dhe nëse cinikët përqeshin lirinë, përqeshin bashkësinë… nëse “realistë të regjur” thonë se fitimi është i vetmi ideal… mos u vini veshin dhe përdorni prapëseprapë copyleft-in.