Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

E-Libra: Liri Ose Të Drejta Kopjimi

Një herë e një kohë, në kohën e shtypit në shtypshkronjë, qe vendosur një rregullore industriale për të mbuluar biznesin e shkrimit dhe botimit. Qe quajtur të drejta kopjimi. Qëllimi i të drejtave të kopjimit, i deklaruar në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, qe të “promovohej progresi”—pra, të nxiteshin botimet. Metoda e përdorur qe të bëheshin botuesit të merrnin leje nga autorët për përdorim veprash të kohëve të fundit.

Lexuesit e rëndomtë kishin pak arsye për të mos e miratuar këtë, ngaqë të drejtat e kopjimit kufizonin vetëm botimin, jo gjërat që mund të bënte një lexues. Nëse rriste çmimin e një libri me një vlerë të vockël, kjo qe vetëm punë parash, nuk shformonte mënyrën e jetesës së lexuesve. Të drejtat e kopjimit sillnin një përfitim publik, siç qe konceptuar, me një peshë të vockël mbi publikun. E bënë mirë punën e tyre—atëherë.

Mandej, erdhi një rrugë e re e shpërndarjes së informacionit: kompjuterat dhe rrjetet. Përparësia e teknologjisë dixhitale të informacionit është se lehtëson kopjimin dhe manipulimin e informacionit, përfshi software-in, regjistrime muzikore dhe libra. Rrjetet ofruan mundësinë e një hyrje të pakufizuar në të dhëna të çfarëdo lloji, një utopi informacioni.

Por kjo rrugë kishte një pengesë: të drejtat e kopjimit. Lexuesit që përdornin kompjutera për të ndarë me të tjerë informacion të botuar qenë teknikisht cenues të të drejtave të kopjimit. Bota përreth këtij ligji kishte ndryshuar, pra ajo që dikur qe një rregullore industriale mbi botuesit, ishte bërë një kufizim mbi publikun të cilit supozohej t’i shërbente.

Në një sistem me demokraci të njëmendtë, një ligj që pengon një veprimtari popullore, të natyrshme dhe të dobishme, zakonisht zbutet pa humbur kohë. Por lobi i fuqishëm i botuesve qe i vendosur ta pengonte publikun të përfitonte nga fuqia e kompjuterave të tyre dhe i pa të drejtat e kopjimit si një armë të përshtatshme. Nën ndikimin e tyre, në vend se të zbuteshin të drejtat e kopjimit, për t’ua përshtatur rrethanave të reja, qeveritë i bënë më kufizuese se kurrë, duke imponuar dënime të rënda mbi lexuesit që kapen duke ndarë me të tjerë vepra nën të drejta kopjimi.

Por s’mbaron me kaq. Kompjuterat mund të jenë mjete të fuqishme zotërimi, kur pak vetë kontrollojnë ç’mund të bëjnë kompjuterat e të tjerëve. Botuesit kuptuan se duke i detyruar përdoruesit të përdorin software të konceptuar enkas për të lexuar e-libra, mund të fitonin fuqi të panjohura më parë: mund t’i bënin lexuesit të paguanin për të lexuar dhe të identifikonin veten, sa herë që lexonin nëj libër! Kjo është ëndrra e botuesve.

Kështu i mbushën mendjen qeverisë së Shteteve të Bashkuara t’u japë Digital Millennium Copyright Act të 1998-s, një ligj që u jep fuqi të plotë ligjore mbi thuajse gjithçka që një lexues mund të dojë të bëjë me një e-libër. Qoftë edhe leximi i tij pa autorizim është krim.

Kemi ende të njëjtat liri të dikurshme me përdorimin e botimeve të shtypur. Por nëse e-librat zëvendësojnë botimet e shtypura, ky përjashtim do të sjellë pak përfitim. Me “bojën e shkrimit elektronike”, e cila bën të mundur të shkarkohet tekst i ri në një copë letër në dukje të shtypur, edhe gazetat mund të bëhen diçka fare e përkohshme. Përfytyroni: pa dyqane librash të përdorur; pa dhënie të një libri një shoku tuaj për ta lexuar; pa marrje librash në një bibliotekë publike—pa “leaks” që mund t’i japin dikujt shansin të lexojë diçka pa paguar. Dhe duke gjykuar nga reklamat për Microsoft Reader, pa blerje anonime të librave. Kjo është bota që botuesit kanë në mendje për ne.

Pse ka kaq pak debat publik rreth këtyre ndryshimesh me rëndësi për të ardhmen? Shumica e qytetarëve s’janë marrë ende me çështjet politike të dala nga kjo teknologji e të ardhmes. Veç kësaj, publikut i është mësuar se të drejtat e kopjimit ekzistojnë “për të mbrojtur” zotëruesit e të drejtave të kopjimit, me nënkuptimin se interesat e publikut nuk kanë punë në to.

Por kur publiku fillon të përdorë në masë e-libra dhe zbulon regjimin që botuesit kanë përgatitur për ta, do të fillojnë të rezistojnë. Njerëzimi s’do ta pranojë për gjithmonë këtë zgjedhë.

Botuesit do të donin të besonim se të drejta shtypëse kopjimi është e vetmja rrugë për të mbajtur gjallë artin, por neve s’na duhet një Luftë Kundër Kopjimit për të nxitur një larmi veprash të botuara; siç edhe u tregua nga Grateful Dead, kopjimi mes fansave s’është problem për artistin. Duke legalizuar kopjimin jokomercial të e-librave, mund t’i kthejmë të drejtat e kopjimit atje ku ishin dikur si rregullore industriale.

Për disa lloje të shkruari duhet të shkojmë dhe më tutje. Për artikuj akademikë dhe monografi, gjithkush duhet të nxitet t’i ribotojë ato verbatim në internet, kjo ndihmon të mbrohen arkivat universitare, teksa i bën më të përdorshme. Për tekste shkollore dhe shumicën e veprave referencë, botimi i versioneve të ndryshuara duhet lejuar edhe ky, ngaqë jo nxit shoqërinë t’i përmirësojë.

Parë në perspektivë, kur rrjetet e kompjuterave të japin një rrugë të lehtë për t’i dërguar dikujt një sasi të vogël parash, krejt baza logjike për kufizimin e kopjimit verbatim do të bjerë. Nëse ju pëlqen një libër dhe ky ju shfaq një kutizë ku thuhet “Klikoni këtu, t’i jepni autorit një dollar”, a s’do të klikonit? E drejta e kopjimit për libra dhe muzikë, siç aplikohet mbi shpërndarjen verbatim kopjesh të pandryshuara, do të jetë tërësisht e vjetruar. Më në fund!