Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Kujt i Shërben Në të Vërtetë Ai Shërbyes?

Në Internet, software-i pronësor s’është mënyra e vetme për të humbur lirinë tuaj mbi punimin në kompjuter. Shërbime si Zëvendësim Software-i, (ose SaaSS), është një tjetër mënyrë për t’i dhënë dikujt pushtet mbi punimin tuaj me kompjuter.

Thelbi është se mund të keni kontroll mbi një program të shkruar nga dikush tjetër (nëse është i lirë), por s’mund të keni kurrë kontroll mbi një shërbim që e xhiron dikush tjetër, ndaj mos përdorni kurrë një shërbim atje ku, në parim, do të mbaronte punë xhirimi i një programi.

SaaSS do të thotë të përdorësh një shërbim të sendërtuar nga dikush tjetër, si zëvendësim të xhirimit të kopjes tuaj të një programi. Termi është i yni; nuk kanë për ta përdorur artikuj dhe reklama dhe nuk do t’ju rrëfejnë nëse një shërbim është apo jo SaaSS. Në vend të kësaj, ka gjasa të përdorin termin e vagullt dhe çoroditës “cloud” (“re”), me të cilin futen në një thes SaaSS-i tok me praktika të tjera të ndryshme, disa abuzive dhe disa jo. Dhe flasin për “livrimin e një programi përmes ofrimit të një shërbimi që e xhiron atë.” Me shpjegimin dhe shembujt e kësaj faqeje, mund të kuptoni nëse një shërbim është apo jo SaaSS.

Kuadër Më i Përgjithshëm: Si Ju Heq Lirinë Software-i Pronësor

Teknologjia dixhitale mund t’ju japë liri; por mundet edhe t’ua heqë lirinë. Kërcënimi i parë ndaj kontrollit tonë mbi punimin me kompjuter erdhi nga software-i pronësor: software të cilin përdoruesit s’e kontrollojnë dot, ngaqë e kontrollon i zoti (një kompani si Apple, ose Microsoft). I zoti shpesh përfiton nga ky pushtet jo i drejtë, duke futur veçori dashakeqe, f.v. spyware, deriçka, si dhe Administrim Dixhital Kufizimesh (DRM) (i quajtur “Administrim Dixhital të Drejtash” në propagandën e tyre).

Zgjidhja jonë për këtë problem është zhvillimi i software-it të lirë dhe mospranimi i software-it pronësor. Software-i i lirë ju jep, juve si përdorues, katër liri themelore: (0) ta xhironi programin si të keni qejf, (1) ta studioni dhe ndryshoni kodin burim që të bëjë atë që keni qejf, (2) të rishpërndani kopje ekzakte dhe (3) të rishpërndani kopje të versioneve tuaj të ndryshuar. (Shihni përkufizimin e software-it të lirë.)

Me software-in e lirë, ne, përdoruesit, rifitojmë kontrollin mbi punimin me kompjuter. Software-i pronësor prapë ekziston, por ne mund ta përjashtojmë nga jeta jonë dhe shumë prej nesh e kanë bërë. Por tani na ofrohet një tjetër rrugë joshëse për të hequr dorë nga kontrolli mbi punimin tonë me kompjuter: Shërbim si Zëvendësim Software-i (SaaSS). Për hir të lirive tonë, na duhet ta hedhim tej edhe këtë.

Si Duket Shërbimi si Zëvendësim Software-i?

Shërbimi si Zëvendësim Software-i (SaaSS) do të thotë përdorimi i një shërbimi si zëvendësim i xhirimit të kopjes tuaj të një programi. Konkretisht, do të thotë që dikush ujdis një shërbyes rrjeti që kryen një punë që mund të bëhet me kompjuter—për shembull, ndryshimi i një fotoje, përkthim teksti në një gjuhë tjetër, etj.—mandej fton përdoruesit ta lënë shërbyesin të bëjë për ta punën që do të bënin në kompjuter. Një përdorues i shërbyesit do t’i dërgonte të dhënat e veta te shërbyesi, i cili kryen përllogaritjen mbi të dhënat e furnizuara dhe mandej ju dërgon përfundimet ose ndryshe vepron drejtpërsëdrejti si mëkëmbësi juaj.

Për Cilat Veprimtari Ka Vend Problemi SaaSS?

Çështja SaaSS-apo-jo-SaaSS ka kuptim për një veprimtari kompjuterike që është punim i juaji në kompjuter. Ç’do të thotë kjo, saktësisht? Do të thotë se askush tjetër s’është e nevojshme, për nga natyra e veprimtarisë, të përfshihet në të. Për të qartësuar kuptimin e “përfshirjes për nga natyra” ne paraqesim një eksperiment mendor në të cilin përqendrohemi mbi një veprimtari imagjinare të papërcaktuar kompjuterike.

Le të supozojmë se krejt pjesët e një veprimtaria janë sendërtuar me software të lirë dhe se keni kopje dhe se keni çfarëdo të dhënash që mund t’ju duhen, si dhe kompjutera të çfarëdo shpejtësie, funksionesh dhe kapaciteti që mund të duhet. A do të mund të bënit (nëse ju plotësohen këto parakushte) këtë veprimtari të caktuar kompjuterike tërësisht brenda këtyre kompjuterave, pa komunikuar me kompjutera të kujtdo tjetër?

Nëse mundeni, atëherë veprimtaria është në thelb e juaja. Ndaj, për hir të lirisë tuaj, e keni hak ta kontrolloni. Koncepti SaaSS është i zbatueshëm për veprimtari të tilla dhe jo veprimtari të tjera.

Për një veprimtari të tillë, nëse e zhvilloni duke xhiruar kopje programesh të lirë, kontrollin e keni ju. Ky mbron lirinë që keni hak. Por, zhvillimi i saj përmes shërbimit të dikujt tjetër do t’i jepte kontroll mbi pjesë të veprimtarisë tuaj kompjuterike këtij dikujt tjetër. Kjo e mohon kontrollin që keni hak, ndaj themi se është e padrejtë. Këtë skenar ne e quajmë SaaSS.

Përkundrazi, nëse, për vetën natyrën e punë në kompjuter që duhet kryer, s’do të mund ta bënit atë veprimtari tërësisht në kompjuterat tuaj, atëherë veprimtaria s’është krejtësisht e juaja, ndaj çështja e SaaSS-it nuk ka vend për atë veprimtari. Në përgjithësi, këto veprimtari kanë të bëjnë me komunikimin me të tjerët, pra në të përfshihen të tjerë. Blerja e diçkaje në një dyqan është një shembull tipik i një veprimtarie që lyp përfshirjen e një pale të tretë (dyqanin).

Nëse njëfarë veprimtarie është në thelb e juaja, atëherë pasja e kontrollit të plotë mbi të lyp që ju ta kryeni duke përdorur kopje programesh të lirë, xhirimin e tyre në kompjutera nën kontrollin tuaj. Kryerja e saj në çfarëdo mënyre tjetër përbën SaaSS, ngaqë ju mohon kontrollin që meritoni. Krejt kjo pavarësisht arsyeve tuaja për kryerjen e saj në mënyrë tjetër. Nëse zgjidhni ndonjë mënyrë tjetër për shkak të ndonjë leverdie, përbën SaaSS. Nëse ndodh ngaqë s’mund të kini programe të lira, apo kompjuterin kontrollin e të cilit do të duhej ta kishit ju, prapë përbën SaaSS.

Përdorimi i SaaSS Krahasuar me Xhirimin e Software-it Jo të Lirë

Shërbyesit SaaSS ua rrëmbejnë kontrollin përdoruesve edhe më pakthyeshëm se sa software-i pronësor. Me software-in pronësor, përdoruesit zakonisht marrin një kartelë të ekzekutueshme programi, por jo kodin burim. Kjo e bën të vështirë studimin e kodit që xhirohet, ndaj është e vështirë të përcaktohet se ç’bën në të vërtetë programi dhe e vështirë të ndryshohet.

Me SaaSS-in, përdoruesit nuk ka as kartelën e ekzekutueshme të programit që bën punën për ta: programi gjendet në shërbyesin e dikujt gjetkë, ku përdoruesit s’mund ta shohin apo të fusin duart. Ndaj për ta është e pamundur të sigurohen se çfarë bën në të vërtet dhe e pamundur ta ndryshojnë.

Për më tepër, SaaSS shpie automatikisht në pasoja të njëvlershme me veçoritë dashakeqe të disa prej software-it pronësor.

Për shembull, disa programe pronësorë janë “spyware”: programi dërgon të dhëna mbi veprimtari kompjuterike të përdoruesve. Microsoft Windows dërgon te Microsoft-i të dhëna mbi veprimtaritë e përdoruesve. Windows Media Player raporton se çfarë sheh apo dëgjon çdo përdorues. Amazon Kindle raporton se cilat faqe të librave shohin përdoruesit dhe ku. Angry Birds raporton historik gjeovendndodhjeje të përdoruesit.

Ndryshe nga software-i pronësor, SaaSS-i nuk kërkon kod të maskuar për të përfituar të dhëna të përdoruesit. Në vend të kësaj, struktura e tij lyp që përdoruesit të dërgojnë të dhëna të tyret te shërbyesi, që të mund ta përdorin. Kjo ka të njëjtin efekt si spyware-i: operatori i shërbyesit merr të dhënat — pa mundim të veçantë, nga vetë natyra e SaaSS-it. Amy Webb, që kurrë nuk kish në mendje të postonte ndonjë foto të së bijës, bëri gabimin e përdorimit të një SaaSS-i (Instagram) për përpunim të fotove të saj. Dhe më pas fotot rrodhën prej andej në internet.

Teorikisht, fshehtëzimi homomorfik një ditë mund të përparojë deri në atë pikë sa shërbime SaaSS të ardhshme të mund të ndërtohen për të qenë të paafta të kuptojnë disa nga të dhënat që përdoruesit dërgojnë në ta. Shërbime të tilla mundet të ujdisen për të mos futur hundët te përdoruesit; kjo s’do të thotë ama që nuk do të futen hundët. Gjithashtu, futja e hundëve është vetëm një nga padrejtësitë dytësore të SaaSS-it.

Disa sisteme operative kanë deriçka të pasme universale, që i lejojnë dikujt të instalojë që nga larg ndryshime software-i. Për shembull, Windows ka një të tillë përmes të cilës Microsoft-i mundet të ndryshojë me detyrim çfarëdo software-i në makinë. Thuajse krejt telefonat portativë kanë të tilla gjithashtu. Deriçka universale kanë edhe disa aplikacione pronësore; për shembull, klienti Steam për GNU/Linux i lejon programuesit të instalojë që nga larg versione të ndryshuara.

Me SaaSS-in, operatori i shërbyesit mund të ndryshojë software-in në përdorim te shërbyesi. Përdoruesit do të duhej të qe në gjendje ta bëjë këtë, ngaqë është kompjuteri i tij; përfundimi ama është i njëjtë si me përdorimin e një programi aplikacioni pronësor me deriçkë universale: dikush ka fuqinë të imponojë heshtazi ndryshime se si përdoruesi kryen punimin me kompjuter.

Është e zakonshme për çshërbime SaaSS të aplikojnë një tarifë mujore për përdorimin. Zakonisht një sajt SaaSS nuk zëvendëson një tjetër, kështu që nëse përdoruesit bëhen të pakënaqur me një çshërbim, s’është punë e lehtë të kalohet te një tjetër. Kur përdoruesit bëhen të varur nga një i tillë, mund t’i rrjepë sipas dëshirës me rritje të vogla të përsëritura të çmimeve, që përgjatë kohës shpien te një vlerë e madhe. Ne e shohim humbjen e lirisë, çka është në natyrën e SaaSS-it, si më të keqe se sa kostoja në para, por kur një çshërbim ju vë koburen në ballë, kostoja mund të jetë e dhimbshme. Ndaj, edhe përdoruesit që nuk shohin më tutje se sa si del hesapi, duhet të jenë të ndërgjegjshëm për SaaSS-in.

SaaSS-i është i barasvlershëm me xhirim software-i pronësor me spyware dhe deriçkë universale. I jep operatorit të shërbyesit fuqi të padrejtë mbi përdoruesin dhe kjo fuqi e padrejtë është diçka të cilës duhet t’i rezistojmë.

SaaSS dhe SaaS

Fillimisht kësaj praktike problematike iu referuam si “SaaS”, që do të thotë “Software as a Service” - Software si Shërbim. Është një term i përdorur rëndom për ujdisjen e një software-i në një shërbyes, në vend të ofrimit të kopjeve të tij përdoruesve dhe menduam se përshkruante në mënyrë të përpiktë rastet kur ndodh ky problem.

Më pas vumë re se termi SaaS ndonjëherë përdoret për shërbime komunikimi — veprimtari për të cilat kjo çështje nuk ka vend. Veç kësaj, termi “Software-i si Shërbim” nuk shpjegon pse praktika është e keqe. Ndaj sajuam termin “Shërbim si Zëvendësim Software-i”, që i përkufizon më qartë praktikat e dëmshme dhe e shpreh se ku qëndron e keqja.

Ndarja e Çështjes së SaaSS-it nga Çështja e Software-it Pronësor

SaaSS-i dhe software-i pronësor shpien në përfundime të dëmshme të ngjashme, por mekanizmat janë të ndryshëm. Me software-in pronësor, mekanizmin e përbën pasja dhe përdorimi i një kopje e cila është e vështirë dhe/ose e paligjshme të ndryshohet. Me SaaSS-in, nuk e keni kopjen që kryen përllogaritjet për ju.

Këto dy çështje shpesh ngatërrohen dhe jo vetëm padashur. Zhvilluesit Web përdorin termin e vagullt “aplikacion web” për të vënë në një thes software shërbyesi tok me programe të xhiruar në makinën tuaj përmes shfletuesit tuaj. Disa faqe web instalojnë në shfletuesin tuaj programe JavaScript jo më triviale, madje të mëdhenj, pa ju informuar fare. Kur këto programe JavaScript janë jo të lira, ato shkaktojnë të njëjtën lloj padrejtësie si çfarëdo software tjetër jo i lirë. Këtu, ama, problemin e kemi me çështjen e përdorimit të shërbimit në vetvete.

Shumë përkrahës të software-it të lirë mendojnë se problemi i SaaSS-it do të zgjidhet duke zhvilluar software të lirë për shërbyesit. E mira e operatorit të shërbyesit është që programet në shërbyes më mirë të ishin të lirë; nëse janë pronësorë, zhvilluesit/të zotët e tyre kanë pushtet mbi shërbyesin. Kjo është e padrejtë kundrejt operatorit të shërbyesit dhe nuk i ndihmon fare përdoruesit e shërbyesit. Por nëse programet në shërbyes janë të lirë, kjo nuk i mbron përdoruesit e shërbyesit nga efektet SaaSS. Këto programe çlirojnë operatorin e shërbyesit, por jo përdoruesit e shërbyesit.

Hedhja në qarkullim e kodit burim të software-it të shërbyesit është me përfitim për bashkësinë: u bën të mundur përdoruesve me aftësitë e duhura të ndërtojnë shërbyes të ngjashëm, ndoshta edhe duke e ndryshuar software-in. Rekomandojmë përdorimin e GNU Affero GPL-së si licencën për programe të përdorur shpesh në shërbyes.

Por asnjë prej këtyre shërbyesve nuk do t’ju jepte kontroll mbi përllogaritjet që bëni në të, veç në qoftë shërbyesi juaj (një i tillë për të cilin kontrolloni software-in që xhiron, pavarësisht nëse makina është pronë e juaja apo jo). Mund të mos ketë problem t’i besoni shërbyesit të një miku për disa punë, ashtu siç mund të lini shokët tuaj të mirëmbajnë software-in në kompjuterin tuaj. Jashtë kësaj shtrirjeje, krejt shërbyesit nga ju duhen konsideruar SaaSS. SaaSS-i përherë ju nënshtron ndaj pushtetit të operatorit të shërbyesit dhe kura e vetme është: Mos përdorni SaaSS! Mos përdorni shërbyesin e dikujt tjetër për të bërë përllogaritjet tuaja mbi të dhëna që i furnizoni ju vetë.

Kjo çështje demonstron thellësinë e dallimit mes “burimit të hapët” dhe “software-it të lirë”. Kodi burim që është me burim të hapët është, thuajse përherë, i lirë. Megjithatë, ideja e një shërbimi “software-i me burim të hapët”, duke nënkuptuar një për të cilin software-i i shërbyesit është me burim të hapët dhe/ose i lirë, dështon t’i japë zgjidhje çështjes së SaaSS-it.

Shërbimet janë në thelb të ndryshme nga programet dhe çështjet etike që shpërfaqin shërbimet janë në thelb të ndryshme nga çështjet që shpërfaqin programet. Për të shmangur ngatërrimin, e shmangim përshkrimin e një shërbimi si “të lirë” ose “pronësor”.

Bërja e Dallimit Mes SaaSS-it dhe Shërbimeve të Tjera Rrjeti

Cilat shërbime internetore janë SaaSS? Shembulli më i qartë është një shërbim përkthimi, i cili përkthen tekst (le të themi) Anglisht në tekst Spanjisht. Përkthimi i një teksti për ju është një akt kompjuterik që ju takon thjesht juve. Mund ta bënit duke xhiruar një program në kompjuterin tuaj, vetëm të kishit programin e duhur. (Për të qenë etik, ky program do të duhej të ishte i lirë.) Shërbimi i përkthimit e zëvendëson këtë program, pra është një Shërbim si Zëvendësim Software-i, ose SaaSS. Ngaqë ju mohon kontrollin mbi punimin tuaj në kompjuter, ju bën dëm.

Një tjetër shembull është përdorimi i një shërbimi si Flickr apo Instagram për të ndryshuar një foto. Modifikimi i fotove është një veprimtari që njerëzit kanë me dhjetëra vjet që e bëjnë në kompjuterat e tyre; bërja tani në një shërbyes që nuk e kontrolloni, në vend se në kompjuterin tuaj, përbën SaaSS.

Të mos pranosh SaaSS nuk do të thotë të refuzosh të përdorësh çfarëdo shërbyesi rrjeti të xhiruar nga kushdo tjetër veç jush. Shumica e shërbyesve nuk janë SaaSS, ngaqë punët që bëjnë janë një lloj komunikimi me vizitorët, në vend se punim kompjuterik për secilin vizitor.

Ideja origjinale për shërbyesit web nuk qe të bënin punë kompjuterike për ju, një vizitor; qe botimi, për ju, i të dhënave, që të mund t’i përdorni. Madje edhe sot, kjo është ajo çka bëjnë shumica e sajteve dhe nuk shtrohet problemi SaaSS, ngaqë përdorimi i informacioneve të dikujt, të botuara në një sajt, nuk përbën kryerje pune kompjuterike tuajën. As përdorimi i një blogu për të botuar vepra tuajat, apo përdorimi i një shërbimi mikroblogimi si Twitter ose StatusNet s’përbën SaaSS. (Këto shërbime mund të kenë ose jo probleme të tjera, në varësi të hollësive që merren në shqyrtim.) E njëjta gjë vlen edhe për komunikime të tjera që nuk janë konceptuar për të qenë private, b.f. grupe fjalosjesh.

Në thelbin e saj, lidhja përmes rrjetesh shoqërore është një formë botimi dhe komunikimi, jo SaaSS. Sidoqoftë, një shërbim që përbërëse bazë ka lidhjen mes një rrjeti shoqëror, mund të ketë veçori ose zgjerime që janë SaaSS.

Nëse një shërbim s’është SaaSS, kjo nuk do të thotë se është në rregull. Ka çështje të tjera etike rreth shërbimeve. Për shembull, Facebook-u lyp xhirim kodi JavaScript jo të lirë në kompjuterin tuaj dhe u jep përdoruesve një përshtypje të shtrembër privatësie, ndërkohë që i josh ata t’i shfaqin Facebook-ut lakuriq jetën e tyre. Këto janë probleme të rëndësishme, por të ndryshme nga problemi SaaSS.

Shërbime të tillë si motorët e kërkimeve grumbullojnë të dhëna nga anembanë web-i dhe ju lejojnë t’i merrni në shqyrtim. Këqyrja e koleksioneve të tyre të të dhënave s’është e njëjtë me përllogaritje që do të bënit ju, në kuptimin e rëndomtë të fjalës — atë koleksion nuk e furnizuat ju — ndaj përdorimi i atij shërbimi për të bërë kërkime në internet nuk është SaaSS. Por, përdorimi i shërbyesit të dikujt tjetër për të sendërtuar funksione kërkimi për sajtin tuaj është SaaSS.

Blerjet internetore nuk përbëjnë SaaSS, ngaqë përllogaritjet nuk janë veprimtari e juaja; ato kryhen në bashkëpunim me ju dhe për ju, nga ju dhe dyqani. Problemi i vërtetë me blerjet internetore është t’ua besoni apo jo palëve të tjera paratë tuaja dhe të tjera të dhëna personale (duke filluar me emrin tuaj).

Sajte depozitimesh, të tillë si Savannah dhe SourceForge nuk janë nga natyra SaaSS, ngaqë puna e një depoje është botimi i të dhënave që i furnizohen.

Disa sajte ofrojnë shumë shërbime njëherësh dhe nëse njëri s’është SaaSS, tjetri mund të jetë. Për shembull, shërbimi kryesor i Facebook-ut përfaqëson lidhjet përmes një rrjeti shoqëror dhe kjo nuk është SaaSS; megjithatë ai mbulon aplikacione nga palë të treta, disa prej të cilave përbëjnë SaaSS. Shërbimi kryesor që bën Flickr's është shpërndarja e fotove, që nuk përbën SaaSS, por ai ka edhe veçori për përpunim fotosh, çka është SaaSS. Po njësoj, përdorimi i Instagramit për postimin e një fotoje, nuk përbën SaaSS, por përdorimi i tij për të transformuar foton është SaaSS.

Google Docs tregon se sa i ndërlikuar mund të bëhet vlerësimi i një shërbimi të caktuar. Në të njerëzit ftohen të përpunojnë një dokument përmes xhirimit të një programi jo të lirë JavaScript, të madh, haptazi të padrejtë, por jo SaaSS. Megjithatë, ai ofron një API për ngarkim dhe shkarkim dokumentesh në formate standard. Një përpunues tekstesh që është software i lirë mund ta bëjë këtë përmes kësaj API. (Nëse mundet a jo të kihet një llogari për Google Docs pa xhiruar kod JavaScript jo të lirë, ne nuk e dimë.) Sido qoftë, ky skenar përdorimi nuk përbën SaaSS, ngaqë e përdor Google Docs thjesht si një depo të rëndomtë. Dhënia një shoqërie e të dhënave me të cilat merreni është gjë e keqe, por është çështje privatësie, jo SaaSS; të qenët i varur nga një shërbim për hyrje në të dhënat tuaja është gjë e keqe, por është çështje rreziqesh, jo SaaSS.

Më anë tjetër, përdorimi i Google Docs për shndërrime formatesh dokumentesh është SaaSS, ngaqë është diçka që do të mund ta bënit duke xhiruar për këtë punë një program (me shpresë, i lirë) në kompjuterin tuaj.

Përdorimi i Google Docs përmes një përpunuesi të lirë është i rrallë, sigurisht. Në shumicën e rasteve, njerëzit i përpunojnë dokumentet e tyre Google Docs përmes programit JavaScript jo të lirë që dërgohet, që është i dëmshëm, si cilido program jo i lirë. Ky skenar mund të përfshijë SaaSS, gjithashtu; kjo varet se cila pjesë e përpunimit kryhet në programin JavaScript dhe cila pjesë në shërbyes. Nuk e dimë, por ngaqë SaaSS-i dhe software-i pronësor i bëjnë dëm të ngjashëm përdoruesit, mund të japim gjykim për krejt skenarin pa ditur se cila pjesë është apo s’është.

Botimi i diçkaje përmes depos së dikujt tjetër nuk sjell në lojë probleme privatësie, por botimi përmes Google Docs ka një problem special: është e pamundur madje të shihet teksti i një dokumenti Google Docs në një shfletues pa xhiruar kod JavaScript jo të lirë. Ndaj, s’duhet të përdorni Google Docs për të botuar gjë — por arsyeja nuk hyn te SaaSS-i.

Industria TI i shkurajon përdoruesit të bëjnë këto dallime. Për këtë shërben fjala në modë “cloud computing”. Ky term është kaq nebuloz sa që mund t’i referohet thuajse çfarëdo përdorimi të Internetit. Përfshin SaaSS, si dhe mjaft praktika të tjera përdorimi të rrjeteve. Në çfarëdo konteksti të dhënë, gjasat janë që, një autor që shkruan “cloud” (në qoftë person teknik), të ketë në mendje një domethënie specifike, por zakonisht nuk shpjegon që në artikuj të tjetër termi ka domethënie të tjera specifike. Termi i shpie njerëzit të bëjnë përgjithësime mbi praktika të cilat do të duhej t’i shqyrtonin tek e tek.

Nëse “cloud computing” ka një kuptim, ky nuk është ndonjë mënyrë e kryerjes së përllogaritjeve, por një rrugë të menduari rreth përllogaritjeve: një trajtim moskokëçarës që thotë, “Mos pyet. Mos u bëj merak se kush i kontrollon përllogaritjet tuaja ose kush i mban të dhënat tuaja. Mos kontrollo për karrem të fshehur brenda shërbimit tonë, përpara se ta përtypësh. Besoju pa ngurrim kompanive”. Me fjalë të tjera, “Ji leshko”. Mjegulla në mendje është pengesë për të menduarit e qartë. Për hir të të menduarit të qartë rreth punimit me kompjuter, le ta shmangim termin “cloud”.

Marrja Me Qera e një Shërbyesi Që Ndryshon Nga SaaSS-i

Nëse merrni me qira një shërbyes (real apo virtual), mbi ngarkesën software të të cilit keni kontrollin, këtu nuk kemi SaaSS. Në SaaSS, dikush tjetër vendos se çfarë software-i xhiron në shërbyes dhe prandaj kontrollon përllogaritjet që ai bën për ju. Në rastin kur instaloni software në shërbyes, se ç’përllogaritje bën ky për ju, e kontrolloni ju. Ndaj, shërbyesi i marrë me qira është në fakt kompjuter i juaji. Për këtë çështje, merret si i juaji.

dhënat në shërbyes të largët të marrë me qira janë më pak të sigurta se sa po ta kishit shërbyesin në shtëpi, por kjo është një çështje më vete nga SaaSS.

Kjo lloj dhënie me qira e shërbyesit quhet ndonjëherë “IaaS”, por ky term hyn në një strukturë konceptuale që i minimizon problemet të cilat i konsiderojmë të rëndësishme.

Kur Përdoruesi Është një Veprimtari Kolektive Apo një Ent

Deri këtu kemi shpjeguar se si hyn SaaSS në punën me kompjuter të një individi. Për këto raste, kemi sqaruar konceptin SaaSS në mënyrë goxha shteruese. SaaSS është gjithashtu një problem për punimin në kompjuter të kryer nga një veprimtari grupi, e cila mund të jetë informale (fjala vjen, zhvillimi i programi të lirë shpesh është), ose formale (një shoqatë bamirëse, si FSF-ja, ose një biznes). Në thelb është i njëjti koncept, por s’kemi sqaruar kufijtë për tërë llojet e rasteve.

Ja disa piketa që kemi vënë deri sot.

Veprimtaria kolektive ka shumë gjasa të përfshijë faqe web, të cilat do të strehohen në ca shërbyes. Trajtimi prej atij shërbyesi i vizitorëve ngre çështjet e zakonshme morale: nëse dërgojnë kod JavaScript jo të lirë, çka është një padrejtësi dhe nëse ofrojnë të bëjnë punën kompjuterike të vizitorit, bëhet fjalë për SaaSS.

Por, veprimet e vetë shërbyesit mundet të ngrenë gjithashtu çështjen e SaaSS-it, me veprimtarinë kolektive si viktimë. Një shërbyes shpesh u ofron vizitorëve një mënyrë për të kërkuar nëpër faqe web; si sendërtohet kjo? Nëse veprimtaria kolektive zhvillohet me një program të lirë në kompjuterat e tyre për të gjetur përputhje për vargun e kërkimit, veprimtaria kolektive ka kontrollin mbi të, siç do të duhej. Por nëse pyetet Google (apo çfarëdo tjetër motor kërkimi) se ku gjenden përputhjet dhe shfaqet ç’u gjet, veprimtaria kolektive po bazohet në SaaSS dhe heq dorë nga liria për të.

Përdorimi i shërbyesve të një projekti të përbashkët për t’u marrë me atë projekt s’është SaaSS, ngaqë përllogaritjet që bëhen në këtë mënyrë, s’ju përkasin juve - janë të projektit. Për shembull, nëse përpunoni faqe në Wikipedia, nuk bëni përllogaritje tuajat; në vend të kësaj, po bashkëpunoni në përllogaritje të Wikipedia-s. Wikipedia ka kontrollin e shërbyesve të vet, por entet dhe po ashtu edhe personat individualë, problemin e SaaSS-it e hasin nëse kryejnë në shërbyesin e dikujt atë që mund ta bënin në kompjuterin e tyre.

Përdorimi i depove të thjeshta të software-it s’është SaaSS, ngaqë pjesa dërrmuese e punës faktike (në dallim nga rishpërndarja) bëhet në kompjuterat e kontribuesve. Por, kur një depo fillon të bëjë për përdoruesit e vet lloje të tjera punimi në kompjuter, bie fjala, xhirim testesh, atëherë zë e shkel vijën ndarëse. Kur përdoruesit japin ndihmesë te projekti, që puna të jetë punë e projektit, në vend se puna e kontribuesit, këtu ende nuk bëhet fjalë për SaaSS për përdoruesit. Por mund të jetë SaaSS për projektin. Por, nëse testimi nënkupton xhirimin e programeve që zhvillon projekti, s’është SaaSS, ngaqë projekti kontrollon software-in kyç që po xhirohet.

Trajtimi i Problemit SaaSS

Vetëm një pjesë e vogël e krejt sajteve realizojnë SaaSS; për shumicën nuk shtrohet problemi. Por ç’duhet të bëjmë me ata për të cilët shtrohet?

Për rastin e thjeshtë, kur bëni përllogaritje mbi të dhëna që i keni vetë në dorë, zgjidhja është e thjeshtë: përdorni kopjen tuaj të një aplikacioni software të lirë. Bëni përpunim tekstesh me kopjen tuaj të një përpunuesi të lirë tekstesh, të tillë si GNU Emacs ose një fjalëpërpunues i lirë. Bëni përpunim fotosh tuajat me kopjen tuaj të një software të lirë, të tillë si GIMP. Po kur s’ka program të lirë? Një program pronësor, ose SaaSS-i do t’ju hiqte lirinë, ndaj s’duhet t’i përdorni. Mund të kontribuoni me kohë ose me para që të zhvillohet një zëvendësim i lirë i tij.

Po për bashkëpunim me individë të tjerë si një grup? Hëpërhë mund të jetë e zorshme të bëhet kjo pa përdorur një shërbyes dhe grupi juaj mund të mos dijë si të xhirojë shërbyesin e vet. Nëse përdorni shërbyesin e dikujt tjetër, të paktën mos i besoni një shërbyesi të xhiruar nga një kompani. Një kontratë e thjeshtë klienti nuk është mbrojtje, veç nëse mund të kapni një shkelje dhe vërtet mundeni të paditni dhe gjasat janë që kompania e shkruan kontratën për të lejuar një gamë të gjerë abuzimesh. Shteti, nën kërcënimin e ndjekjes ligjore, mund t’i kërkojë kompanisë të dhënat tuaja dhe të kujtdo tjetër, ashtu siç ka bërë Obama me kompani telefonike, duke hamendësuar që kompania nuk e bën këtë vullnetarisht, ashtu si kompanitë telefonike të ShBA-ve që përgjuan ilegalisht klientët e tyre për Bush-in. Nëse duhet të përdorni një shërbyes, përdorni një shërbyes operatori i të cilit ju jep një bazë besueshmërie tej marrëdhënies së thjeshtë komerciale.

Sidoqoftë, në shtrirje më të gjatë kohore, mund të krijojmë alternativa ndaj përdorimit të shërbyesve. Për shembull, mund të krijojmë një program peer-to-peer përmes të cilit bashkëpunëtorët të mund të shkëmbejnë të dhëna të fshehtëzuara. Bashkësia e software-it të lirë duhet të zhvillojë zëvendësime peer-to-peer për “aplikacione web” të rëndësishme. Hedhja e tyre në qarkullim nën licencën GNU Affero GPL mund të ishte veprim i mençur, ngaqë do të ishin kandidatë për shndërrim nga dikush tjetër në programe me bazë shërbyes. Projekti GNU kërkon vullnetarë për të punuar për zëvendësime të tilla. Ne i ftojmë edhe projektet e tjera të software-it të lirë ta shohin këtë problem në hartimin e tyre.

Ndërkohë, nëse një kompani ju fton të përdorni shërbyesit e saj për të kryer punë tuajat me përllogaritje, mos u dorëzoni; mos përdorni SaaSS. Mos blini apo instaloni “thin clients”, që janë thjesht kompjutera kaq të dobët, sa ju bëjnë të kryeni punën tuaj reale në një shërbyes, veç në i përdorshi me shërbyesin tuaj. Përdorni një kompjuter tuajin dhe mbajini të dhënat tuaja aty. Kryejeni punën me kopjen tuaj të një programi të lirë, për hir të lirisë.