Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Një Përgjigje për Bashkëngjitjet Word

Kjo letër rekomandon OpenOffice-in; LibreOffice atëherë s’ekzistonte. LibreOffice është ajo që rekomandojmë.


Më ndjeni, por s’qeshë në gjendje të lexoj dokumentin Microsoft Word që më dërguat. Microsoft-i e ka ndryshuar pa pushim formatin .doc përgjatë hedhjeve në qarkullim të Microsoft Word-it (4.0, 95, 97, 2000 dhe tani XP). Microsoft-i me dashje ka refuzuar të bëjë publik për bashkësinë specifikimin e formatit .doc, duke e bërë Microsoft Word-in të vetmin aplikacion që mund hapë si duhet këtë format. Ekziston aplikacioni Microsoft Word Viewer, por xhiron vetëm në sisteme operativë Microsoft Windows dhe nuk lejon dikë të përpunojë dokumentin.

Ekipi i zhvillimit që konceptoi software-in që zgjedh të përdor (OpenOffice.org), është rrekur fort të kuptojë se si është krijuar dhe interpretohet formati .doc, me qëllim për ta bërë të përdorshëm nga më shumë vetë. Ata besojnë se krejt njerëzit duhet të jenë në gjendje të shkëmbejnë informacion në mënyrë elektronike dhe .doc është një nga formatet më të rëndomtë. Ndaj, provuan të krijojnë OpenOffice.org, konkurrenti kryesor i suitës Office të vetë Microsoft-it, as më të përputhshëm që mundej me formatin e vetë Microsoft-it. Por kjo nuk i pëlqeu Microsoft-it, ngaqë do të thoshte se personat që s’kanë blerë Microsoft Windows dhe Microsoft Office do të ishin në gjendje të lexonin dhe shkruanin dokumente .doc.

Mjerisht, duket se ndonjëherë Microsoft-i është i suksesshëm. Aplikacioni im jo-Microsoft s’qe në gjendje të hapë dokumentin .doc që më dërguat. SI pasojë, s’mund të shkëmbejmë informacion, deri sa të ndodhë një nga sa më poshtë:

[0] Informacioni i menduar për t’u lexuar/përpunuar nga unë të shndërrohet në një format të hapët që njerëzit të cilët nuk përdorin Microsoft Windows dhe Microsoft Office të jenë në gjendje ta përpunojnë.

[1] Unë të blej dhe instaloj Microsoft Windows, Microsoft Word dhe, me deduksion, krejt aplikacionet e tjera të nevojshme për të bërë punën time.

Ngaqë më parë do puqet toka me qiellin, se sa të bëj këtë të dytën, do të sugjeroja që të gjejmë një rrugë tjetër shkëmbimi informacioni.

--A

P.S.: Shpresoj ta kuptoni që s’kam gjë kundër jush si person. Thjesht s’përdor dot dokumentin që më dërguat dhe provova të shpjegoj pse marrja të nënkuptuar si të fakt të mirëqenë se do të jem në gjendje ta lexoj, qe e gabuar.

P.P.S.: Kur provova të hap dokumentin që më dërguat, fjalëpërpunuesi im u vithis, merret me mend ngaqë s’qe në gjendje të interpretojë si duhet formatin .doc. Fjalëpërpunuesi im po merrej me 4 dokumente të tjerë në atë çast. Dy prej tyre qenë bashkëngjitje dhe krejt ndryshimet që s’i kisha ruajtur, humbën. Përmbledhtas, rreth dy orë punë të miat humbën ngaqë zhvilluesit e OpenOffice.org-ut s’qenë në gjendje të kapërcejnë pengesat që ka vënë Microsoft-i dhe ta rikrijojnë dokumentin si duhet. Besoj se janë të fundit që duhen bërë me faj për këtë dështim.

P.P.P.S.: Për arsye të tjera pse .doc s’duhet të jetë formati i zemrës kur shkëmbehet informacion në mënyrë elektronike, ju ftoj të lexoni gnu.org/philosophy/no-word-attachments.html. Mund të jetë i gjatë, por sigurisht që ekspozon kompromiset që të dy ne, ju si dërgues dhe unë si marrës po bëjmë duke shkëmbyer dokumente Microsoft Word.