Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Përmbledhje e Sistemit GNU

Sistemi operativ GNU është një sistem software-i i plotë dhe i lirë, i përputhshëm me Unix-in. GNU do të thotë “GNU’s Not Unix”. Shqiptohet si një rrokje e vetme me një g të dëgjueshme. Richard Stallman bëri Njoftimin Fillestar të Projektit GNU në shtator të 1983-shit. Një version më i gjatë, i quajtur GNU Manifesto u botua në mars të 1985-s. Është përkthyer në disa gjuhë të tjera.

Emri “GNU” u zgjodh sepse plotësonte disa kushte; së pari, qe akronim ripërsëritës për “GNU’s Not Unix”, së dyti, ngaqë qe fjalë e njëmendtë dhe së treti, është e lezetshme ta thuash (ose ta këndosh).

Fjala “i lirë” te “software i lirë” ka të bëjë me lirinë, jo çmimin. Mund të paguani ose jo një çmim që të keni software GNU. Me ose pa pagesë, pasi ta keni software-in, me përdorimin e tij gëzoni katër liri specifike. Lirinë për ta xhiruar programin si t’ju pëlqejë; lirinë për ta kopjuar programin dhe për t’ua dhënë atë miqve dhe kolegëve tuaj; lirinë për ta ndryshuar programin si të doni, duke patur hyrje të plotë te kodi burim; lirinë për shpërndarjen e çfarëdo versioni të përmirësuar të tij duke ndihmuar kështu në krijimin e një bashkësie. (Nëse rishpërndani software GNU, mund të kërkoni pagesë kundrejt aktit fizik të shpërnguljes së një kopjeje të tij, ose mund t’i jepni falas kopjet.)

Projekti për zhvillimin e sistemit GNU quhet “Projekti GNU”. Projekti GNU u konceptua më 1983-shin si një rrugë për të risjellë frymën e bashkëpunimit, e cila mbizotëronte në bashkësinë e shkencave kompjuterike në fillimet e veta - për ta bërë sërish të mundur bashkëpunimin, duke hequr pengesat e vëna ndaj tij me detyrim nga pronarët e software-it pronësor.

Më 1971, kur Richard Stallman filloi karrierën e vet në MIT, punoi në një grup që përdorte vetëm software të lirë. Madje edhe kompanitë e kompjuterave shpesh shpërndanin software të lirë. Programuesit qenë të lirë të bashkëpunonin me njëri tjetrin dhe kështu bënë shpesh.

Në vitet ’80, thuajse krejt software-i qe pronësor, që do të thotë se për të kishte pronarë, të cilët e ndaluan dhe e penguan bashkëpunimin mes përdoruesve. Kjo e bëri Projektin GNU të domosdoshëm.

Çdo përdorues kompjuteri ka nevojë për një sistem operativ; po qe se nuk ka sistem operativ të lirë, atëherë as që mund të filloni të përdorni një kompjuter pa i kthyer sytë nga software-i pronësor. Kështu që hapi i parë në rrugën e software-it të lirë pa dyshim qe një sistem operativ i lirë.

Vendosëm të bënim një sistem operativ të përputhshëm me Unix-in ngaqë konceptimi i tij në përgjithësi qe tashmë i provuar dhe i ndërkalueshëm dhe ngaqë përputhja do ta bënte të lehtë për përdoruesit e Unix-it të hidheshin nga Unix në GNU.

Një sistem operativ i ngjashëm me Unix-in përfshin kernelin, përpiluesit, përpunuesit, formatuesit e teksteve, software poste, ndërfaqe grafike, biblioteka, lojëra dhe mjaft gjëra të tjera. Ndaj, shkrimi i një sistemi të plotë operativ është punë shumë e madhe. Ia filluam më janar të 1984-s. Free Software Foundation u themelua në tetor 1985, fillimisht për të mbledhur fonde për zhvillimin e GNU-së.

Aty nga 1990-a, ose i kishim siguruar, ose i kishim shkruar krejt përbërësit kryesorë, hiq një - kernelin. Ndërkohë, Linux, një kernel i ngjashëm me ata Unix, po zhvillohej nga Linus Torvalds më 1991 dhe u shndërrua në software të lirë më 1992. Ndërthurja e Linux-it me sistemin thuajse të plotë GNU solli një sistem operativ të plotë: sistemin GNU/Linux. Sipas vlerësimesh, sistemet GNU/Linux përdoren nga dhjetëra milionë vetë sot, zakonisht në formë shpërndarjesh GNU/Linux. Versioni kryesor i Linux-it tani përmban “bloobs”; firmware jo të lirë ; aktivistët e software-it të lirë tani mirëmbajnë një version të lirë, të ndryshuar të Linux-it, të quajtur Linux-libre.

Megjithatë, Projekti GNU nuk kufizohet me thelbin e sistemit operativ. Synimi ynë është të ofrojmë një spektër të plotë software-i, për çfarëdo që duan të bëjnë një shumicë përdoruesish. Këtu përfshihen software aplikacione. Për një katalog programesh aplikacione software-i të lirë, shihni Listën e Software-it të Lirë .

Duam gjithashtu të ofrojmë software për përdorues që nuk janë ekspertë kompjuteri. Ndaj edhe kemi zhvilluar desktopin grafik (të quajtur GNOME) si ndihmë për fillestarët në përdorimin e sistemit GNU.

Duam gjithashtu të ofrojmë lojëra dhe gjëra të tjera për kalimin e kohës së lirë. Ka tashmë plot lojëra të lira.

Sa larg mund të shkojë software-i i lirë? Nuk ka kufij, hiq rastin kur ligje të tillë si sistemi i patentave e ndalon software-in e lirë krejtësisht. Synimi përfundimtar është të ofrohet software i lirë që të kryejë në kompjuter krejt llojet e punëve që duan të kryejnë përdoruesit—dhe për ta bërë kështu software-in pronësor diçka të së kaluarës.