Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Pyetje të Bëra Rëndom mbi Mbikëqyrjen

nga Richard Stallman

Ky është një koleksion pyetjesh që i janë bërë Richard Stallman-it mbi subjekte të lidhura me mbikëqyrjen dhe përgjigjet e tij.

Cili është rreziku kryesor i telefonave celularë?

Telefonat celularë janë pajisje mbikëqyrjeje dhe ndjekjeje. Sistemi i telefonit gjen në mënyrë të pandërprerë se ku gjendet telefoni. Shërbimi përgjithësisht mban një regjistër për këtë, për muaj të tërë, ose vite dhe ky informacion është i passhëm nga Big Brother, shumë kollaj. Këtë e konsideroj shtypëse. Por ka edhe më keq: telefonat mund të shndërrohen së largëti në pajisje përgjuese, ngaqë, edhe kur s’janë telefona “të mençur”, përmbajnë software që mund të ndryshohet së largëti, përmes çka quhet një “deriçkë e pasme”. Kjo do të thotë se telefoni merr urdhra nga dikush tjetër për të bërë diçka. Kjo deriçkë e pasme mundet, për shembull, të instalojë ndryshime software-i pa lejen e të zotit të supozuar. Kjo është përdorur së largëti për të shndërruar telefona në pajisje përgjimi. Libri Murder in Samarkand, nga Craig Murray, përshkruan një shembull të kësaj. Pra, në thelb, pasi një telefon është shndërruar, përgjon gjithë kohës dhe transmeton gjithë kohës dhe nëse provoni ta fikni… s’fiket përnjëmend, pretendon të jetë i fikur dhe vazhdon të përgjojë dhe të transmetojë.

A është gjithnjë një gjë e keqe mbikëqyrja?

S’jam kundër aftësisë së shtetit të hetojë persona, kur ka ca baza, nëse një gjykatë miraton hetimin. Na duhet kjo, që të kapen shkelësit e ligjit dhe të procedohen. (Mjerisht, shtetet plutokratike të sotëm duan vetëm të kapin keqbërës të vegjël; keqbërësit gjigantë janë shumë të mëdhenj për burg. Por, na duhet kjo dhe s’dëshiroj që kjo të bëhet e pamundur). Ajo që kundërshtoj është krijimi i një dosjeje për këdo gjithë kohën, sepse atëherë, nëse shteti dëshiron të shtjerë në dorë dikë, qoftë për një arsye të gabuar, mund të marrë sasi të frikshme të dhënash dhe mundet përherë të gjejë diçka për ta dënuar atë person. Pra, duhet t’i konceptojmë sistemet tona dixhitale të tilla që të mos regjistrojnë të dhëna rreth gjithkujt, gjithë kohën, sepse kjo fillon të ngjajë me atë çka bënte policia e fshehtë dhe, në fakt, mund të jetë ende duke bërë në mjaft vende.

A është faktike mbikëqyrja e krejt popullatës në Shtetet e Bashkuara?

Më 2013-n, Snowden na tregoi se ç’po bënin përnjëmend qeveria e ShBA-s dhe disa qeveri të tjera. Kam thënë për shumë vjet se ligji Pat-Riot Act—s’do ta quaj “patriot” ngaqë është aq jopatriotik sa mund të bëhet në një vend të bazuar në idenë e lirisë—lejon grumbullim të krejt të dhënave për këdo, rregullisht, mjaftueshëm shpejt, pra s’fshihen mes grumbullimesh. Por ky qe thjesht një hamendësim. Falë Snowden-it, ne dimë se në disa raste, me thirrjet telefonike posaçërisht, qeveria e ShBA-s po e bën faktikisht këtë dhe dimë se ka edhe qeveri që realizojnë mbikëqyrje pa as edhe kufijtë e brishtë të ligjit të ShBA-s.

Shihni edhe “Sa Mbikëqyrje Mund të Përballojë Demokracia?

S’po bëj ndonjë gjë të keqe, ndaj ku është e keqja e të qenit i mbikëqyrur?

Së pari, ideja se nëse s’po bëni ndonjë gjë të keqe, s’keni ç’të fshihni, është qesharake. Plot njerëz kanë gjëra që dëshirojnë t’i fshehin nga dikush. Disa vetë, për shembull, janë homoseksualë dhe në disa vende mund të përndiqen për këtë. Mund të mendoni se bëni diçka që padroni juaj s’do ta pëlqente, po ta dinte. Ndoshta s’do t’i pëlqente partia për të cilën votuat. Plot njerëz kanë arsye për të mos dashur që gjithkush të njohë gjithçka për ta. Me mbikëqyrje tërësore, ama, shteti njeh gjithçka dhe disa shoqëri njohin thuajse gjithçka dhe mund t’i komunikojnë atë që dinë gjithkujt që duan.

Sa larg mund të shtyhem për të penguar mbikëqyrjen dhe ndjekjen time personalisht?

Duhet të bëni më tepër se sa po bëni tani. Shihni për sisteme për të reshtur së përdoruri. Mos pranoni argumentin se nëse “gjithkush tjetër” e toleron mbikëqyrjen, kjo e bën atë OK!

Ç’ligje sugjeroni për reduktimin e mbikëqyrjes së njerëzve në përgjithësi?

Duhet të kemi ligje që kufizojnë se çfarë të dhënash personale mund të grumbullojë apo regjistrojë cilido biznes. Të dhëna personale, po u grumbulluan, do të keqpërdoren; ndaj duhet të hartojmë hardware për të kufizuar çfarë të dhënash mundet të grumbullohen, për shembull, për ta bërë të pamundshëm identifikimin e kujtdo.

Ligjet duhet të ndalojnë çfarëdo produkti që ka një marrës GPS (apo tjetër sistem lokalizimi bazuar në sinjale) të regjistrojnë vendndodhjet tuaja të dikurshme, hiq rastin kur ju kërkoni shprehimisht të bëhet kjo. Veçoria e ligjshme do të ishte të prodhohet një listë e vendndodhjeve të dikurshme, përgjatë një periudhe të shkurtër kohe, të cilën mund ta depozitoni në një pajisje që zgjidhni vetë.

A mund të kemi sukses në kthimin mbrapsht të sistemit të mbikëqyrjes?

S’e di. Varet nga ju. S’më intereson pyetja “A do të fitojmë?” apo “A mundet të fitojmë?”; më intereson të bëj ç’të mundem që të fitoj. Liria jonë është në lojë dhe kjo është e vërtetë për persona anembanë botës. Do të thoja që çdo vend po e shton mbikëqyrjen përmes teknologjisë dixhitale në një nivel që është pa të ngjashëm në historinë e botës. Veç po të kishim pasur një mungesë të madhe mbikëqyrjeje më parë, këtë duhet ta shohim si të patolerueshme. Duhet të zëmë e t’i hedhim tej shërbimet internet që kërkojnë të dinë gjithçka rreth nesh. Kështu, mos përdorni Facebook, Instagram, WhatsApp ose TikTok, fjala vjen. Ka disa shërbime që janë të rëndësishme dhe na duhet të sigurojmë që mbikëqyrja që mund të bëjnë te njerëzit të jetë e kufizuar.

Pse duhet të luftojmë mbikëqyrjen tani?

Duhet të merrni pjesë në betejë sot, nëse doni të keni mundësinë e ca privatësie ndonjë ditë. Tani është çasti kur mund të sillni një ndryshim. Nëse prisni deri ditën kur do të donit të kishit ca privatësi dhe vetëm atëherë të provoni të bëni diçka… atë ditë do të jeni një nga ata pak vetë që e bëjnë dhe kaq s’do të jetë e mjaftueshme. Duhet të ndihmoni të krijohet një masë kritike, kur e bëjnë njerëz të tjerë—dhe kjo është sot.

Por po qe se përfundoj i padëshiruar, si Assange apo Snowden?

Assange dhe Snowden s’janë të padëshiruar nga shoqëria, ngaqë miliona vetë në ShBA dhe gjetkë i admirojnë ata. Janë rrethuar nga perandoria, por s’janë mundur. Vendosën të rrezikojnë për lirinë tonë, por të vetëm s’fitojnë dot. Është në dorën tonë të shpiem betejën më tej.

Sa afër janë shoqëri dhe qeveri? Ç’marrëdhënie ka mes tyre?

S’ka përgjigje të thjeshtë, por punojnë krah për krah. Në ShBA, për shkak të Pat-Riot Act, shoqëritë janë të detyruara t’i japin FBI-it krejt të dhënat që grumbullojnë rreth njerëzish, pa madje urdhër gjykate. FBI thjesht mjafton të thotë “Duam këto të dhëna, themi se është me rëndësi për diçka” dhe mandej shoqërisë i duhet t’i japë fshehtazi. Pra, sa herë që një shoqëri grumbullon të dhëna rreth jush, i grumbullon për qëllime të vetat, por edhe për shtetin. Ndaj duhet ta shohim mbikëqyrjen tonë nga korporatat si pjesë të mbikëqyrjes nga shteti. Sigurisht, që të dyja mundësitë janë të këqija. S’dua që shoqëritë të kenë sasi të mahnitshme informacioni mbi mua dhe përgjithësisht s’i përdor shërbimet që do t’u jepnin atyre këtë informacion.

Përdorimi i platformave të mediave shoqëror, fjala vjen Facebook, për të komunikuar me persona të tjerë s’është edhe aq i keq, apo jo?

Është i tmerrshëm. Facebook-u është një mekanizëm i përbindshëm mbikëqyrjeje.

Si do të ishte një alternativë ndaj Facebook-ut dhe tjetër media shoqërore?

Një alternativë që do të ishte shumë e ngjashme me Facebook-un? Në asnjë mënyrë! Alternativa ime për një sistem të shpifur është të shmanget. Nëse ia filloni me parakushtin se ju duhet të përdorni një nga ato gjërat e shpifura, praktikisht po vendosni që në fillim të humbni. S’e përdor Facebook-un dhe s’dua alternativë për Facebook-un.

Media shoqërore lidh njerëzit. A s’është kjo një gjë e mirë?

Njerëzit mund të lidhen nëpër mjaft rrugë. Por, nga sa kam lexuar në librin Alone Together, nga Sherry Turkle, ajo që njerëzit bëjnë në Facebook është ngritja me kujdes e një figure të rreme të vetes.

A s’duhet të pranojmë se kontributi i Microsoft-it dhe Apple-it në krijimin e kësaj bashkësie mbarëbotërore qe i çmuar?

Teknologjinë dashakeqe s’mund ta shfajësojmë, edhe kur ka disa efekte të mbara. Na duhet të kuptojmë së pari se krejt software-i Microsoft dhe Apple është pronësor. Kjo do të thotë se përdoruesit nuk kontrollojnë programin, por se programi kontrollon përdoruesit. Kjo është një padrejtësi. Dhe ekzistenca e software-it pronësor—edhe pse atëherë s’qe fjala për Microsoft apo Apple—qe arsyeja pse fillova lëvizjen e software-it të lirë. Veç bërjes së gjërave në mënyrë të tillë që të kontrollojnë programin dhe programi kontrollon përdoruesit, filluan të vendosin funksione dashakeqe që spiunojnë përdoruesit dhe t’i kufizojnë me dashje ata. Madje ka edhe deriçka të pasme në atë software. Ndaj, e thënë troç, software-i Apple dhe Microsoft është malware. Që me Windows 8.1—ne e quajtëm “Windows Prison Edition”;—Windows ka kërkuar doemos nga përdoruesit të dërgojnë të dhëna te shërbyesit e Microsoft-it. Sigurisht, Microsoft-i do t’ia japë këto të dhëna qeverisë së ShBA-s, po iu kërkua. I vendos përdoruesit në njëfarë burgu. Ky është përfundimi natyror i lënies së një shoqërie të ketë kontroll mbi software-in që përdorin përdoruesit, në vend se vetë përdoruesit. Ndaj do të doja që Microsoft dhe Apple të mos patën bërë asgjë, edhe pse e kuptoj që dikush tjetër do ta bënte, nëse s’e bënin ata. Prapëseprapë, s’është shfajësim për ç’bëjnë ata.

Mund të prodhojë software-i i lirë po aq risi dixhitale sa software-i pronësor?

Është pyetje dytësore. Mendoj se liria është më e rëndësishme se novacioni. Dhe kur shihni te mjaft novacione që prodhon software-i pronësor, ato janë të dëmshme, fjala vjen Xbox, që ka një kamerë e cila është hartuar për të përcaktuar se cili gjendet në dhomë, sa vetë janë të paktën dhe nëse po shohin te Xbox-i. Kjo qe një risi—një e tillë për të cilën s’duhet të pajtohemi. Sigurisht, Xbox-i është i shpifur për shumë arsye të tjera. Ky është një shembull mes shumë të tillësh se si është gabim të bëhet novacioni synimi ynë.

A heqin dorë vullnetarisht njerëzit nga liria e tyre për çikërrima dhe leverdi?

Pjesërisht, por shoqëritë i devijojnë duke u thënë “Mund të keni këtë leverdi, por vetëm nëse na lejoni të jemi të shpifur me ju në atë mënyrë”. Njerëzit që s’janë të sqaruar për problemin, mund të pajtohen, por s’ka arsye thelbësore pse kjo leverdi duhet të kërkojë doemos atë shpifësi. Arsyeja e vërtetë është se një shoqëri sheh se mund t’ju bëjë të pranoni atë shpifësi duke ia bashkëngjitur kësaj leverdie. Po të kishim kontrollin mbi se si ndërtohen gjërat, mund të kishim leverdinë në shumicën e rasteve, pa shpifësi. Në disa raste është e vështirë, por në pjesën dërrmuese këto të dyja janë të lidhura artificialisht. Pra, ideja është se na duhet më tepër kontroll mbi teknologjinë tonë.

A s’duhet të jetë përparësi e njerëzve suksesi personal?

Mendoj se është gabim. Synoj për diçka më lart. Dua të jetoj një jetë që të jem krenar që e jetova.

A ka gjithkush potencialin për t’u bërë luftëtar i lirisë?

Kush e di? Unë s’qeshë një luftëtar i lirisë deri më 1983-shin dhe po të më kishit takuar më 1970-n, s’do ta kishit menduar kurrë se e pata këtë brenda vetes dhe s’do të kisha menduar se e kisha në atë kohë. Gjithkush mund të habisë veten.

A do të tejkalojë apo zëvendësojë software-i i lirë atë pronësor?

Varet nga ju, në thelb. Kur ju duhet të merrni një vendim praktik, varet nga fakti nëse thoni “Do ta përdor këtë program pronësor, ngaqë bën diçka për mua që dua të bëj sot”, apo “Jo, s’do ta përdor, ngaqë çmimi është liria ime dhe kaq është shumë për të paguar”.

Software-i i lirë është i fuqishëm dhe i gatshëm. Pse e përdorin vetëm pak njerëz?

Pjesërisht për shkak të plogështisë shoqërore. Do të vini re se shumica e PC-ve shiten me Windows-in tashmë në ta. Kjo çon ujë në mullirin e Windows-it dhe shumica e njerëzve e lënë veten t’i marrë uji me vete. Shkollat u mësojnë njerëzve software-in pronësor. S’ka ndryshim nëse është nga Microsoft apo nga Apple, që të dyja janë të këqija. Ideja është se me kaq shumë rrymë të prodhuar artificialisht, njerëzve u duhet të notojnë kundër saj, nëse duan të arrijnë te liria. Jo gjithkush është i vendosur në mënyrë të mjaftueshme. Në lëvizjen e software-it të lirë përpiqemi ta bëjmë më të lehtë për njerëzit; provojmë të ndryshojmë rrymën. Do të fitojmë? Kush e di? Ideja është le të bëjmë më të mirën për këtë.

A ka qenë një sukses Projekti GNU?

Pjesërisht. Sistemin operativ GNU e përdorin shumë vetë. Ngaqë GNU-ja është një sistem operativ dhe asnjë kompjuter s’do të bëjë ndonjë gjë pa një sistem operativ në të. Në fakt, miliona vetë përdorin sistemin operativ GNU, por shumica s’e dinë, ngaqë mendojnë se është Linux. Linux-i është faktikisht një përbërës thelbësor që përdoret te sistemi sot, ndaj në fakt është GNU + Linux. Po, arritëm synimin tonë fillestar dhe patëm sukses të konsiderueshëm, por s’kemi çliruar gjithkënd.

Ç’është e gatshme për përdorues për fshehtëzim email-i?

Kemi software të lirë për fshehtëzim email-i apo kartelash të tjera. S’duhet t’i besoni një programi fshehtëzimi, veç në qoftë software i lirë dhe veç nëse fshehtëzimi kryhet në kompjuterin tuaj nga kopja juaj e software-it. Fshehtëzimi në një shërbyes s’është i besueshëm. Si ta dini se s’po ruajnë një kopje para se ta fshehtëzojnë dhe s’po ia japin NSA-së? Pra, duhet ta fshehtëzoni në makinën tuaj. Programi ynë për ta bërë këtë quhet GNU Privacy Guard, ose GnuPG.

Cilat metoda pagesash duhet të përdorim për të shmangur të qenët të gjurmuar?

Si rregull të përgjithshëm, përdorni para në dorë. Në disa raste të veçanta (pagim faturash, blerje biletash avioni), s’bën dëm të përdorni një çek, apo një kartë krediti, ngaqë jeni prapëseprapë i identifikuar te letrat e atij që paguhet.

Pse të mos paguani me bitkoin?

Bitkoini duket si një zgjidhje e disa problemeve, por s’është anonim. Neve na duhet një sistem ku paguesi të jetë anonim. Ai që paguhet s’ka pse të jetë anonim, por duhet të jetë, që të mund të paguani për të përdorur një faqe web dhe të bëni kështu në mënyrë anonime.

A është e mundshme të paguhet në anonimitet të plotë?

Është, në teori. Por unë s’po them se na duhet anonimitet tërësor, na duhet anonimitet për personin që po paguan për hyrje në një sajt. Por është e pranueshme që operatorët e sajtit të mos jenë anonimë, për sa i përket marrjes së pagesës. Tek e fundit, duam që ata të paguajnë taksat e tyre.

A ka marrë fund privatësia?

Njerëzit që mendojnë se po, janë disfatistë. Ose ndoshta po vuajnë nga ndonjë goditje që i shtyn në dëshpërim. Fakti është se privatësia ka tani një shans më të mirë se sa kishte në dy dhjetëvjeçarët e shkuar, ngaqë tanimë kemi plot njerëz që e dinë se ka një problem dhe se sa i madh është. Na duhet të vendosim privatësi të mjaftueshme në komunikimet tona, që një zyrtar qeveritar të mund të bisedojë me një gazetar pa u kapur. Kjo është sasia e privatësisë që një shoqëri ka absolutisht nevojë, nëse duam të mbajnë kontrollin mbi çka bën qeveria.