Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Android-i dhe Liria e Përdoruesit

Deri në ç’shkallë e respekton Android-i lirinë e përdoruesve të tij? Për një përdorues kompjuteri që vlerëson lirinë, kjo është pyetja më e rëndësishme që duhet bërë për çfarëdo sistemi software.

lëvizjen për software të lirë/libre, zhvillojmë software që respekton lirinë e përdoruesve, që ne dhe ju t’i rrimë larg software-it që nuk e respekton. Përkundrazi, ideja e “burimit të hapët” përqendrohet te se si zhvillohet kodi; bëhet fjalë për një tjetër rrymë mendimi, vlera kryesore e së cilës është cilësia e kodit, në vend se liria. Ndaj, shqetësimi këtu s’është nëse është apo jo “i hapët” Android-i, por nëse i lejon përdoruesit të jenë të lirë.

Android-i është një sistem operativ kryesisht për telefona dhe pajisje të tjera celulare, që përbëhet nga Linux (kerneli i Torvalds-it), disa biblioteka, një platformë Java dhe disa aplikacione. Hiq Linux-in, software-i i versioneve 1 dhe 2 të Android-it qe zhvilluar kryesisht nga Google; Google e hodhi në qarkullim nën licencën Apache 2.0, e cila është një licencë dorëlëshuar software-i të lirë, pa copyleft.

Versioni i Linux-it i përfshirë në Android s’është tërësisht software i lirë, ngaqë përmban “binary blobs” jo të lirë (njësoj si versioni Linux i Torvalds-it), disa prej të cilëve përdoren vërtet në disa pajisje Android. Platformat Android përdorin gjithashtu të tjerë firmware jo të lirë dhe biblioteka jo të lira. Veç tyre, kodi burim i versioneve 1 dhe 2 të Android-it, siç hidhet në qarkullim nga Google, është software i lirë—por ky kod është i pamjaftueshëm për ta vënë pajisjen në punë. Disa nga aplikacionet që përgjithësisht vijnë tok me Android-in janë edhe këto jo të lira.

Android-i është shumë i ndryshëm nga sistemi operativ GNU/Linux, ngaqë përmban shumë pak gjëra nga GNU. Vërtet, i vetmi përbërës që Android-i dhe GNU/Linux-i kanë të përbashkët është Linux-i, kerneli. Personat që gabimisht mendojnë se “Linux” i referohet krejt ndërthurjes GNU/Linux bëhen lëmsh nga këto fakte dhe bëjnë pohime paradoksale të llojit “Android-i përmban Linux, por s’është Linux”.(1) Pa këtë konfuzion, gjendja është e thjeshtë: Android-i përmban Linux, por jo GNU; ndaj Android-i dhe GNU/Linux-i janë më së shumti të ndryshëm, ngaqë krejt ç’kanë të përbashkët është Linux-i.

Brenda Android-it, kerneli Linux mbetet një program veçmas, me kodin e vet burim nën GNU GPL version 2. Të ndërthurësh Linux-in me kod nën licencë Apache 2.0 do të përbënte shkelje të drejtash kopjimi, ngaqë GPL version 2 dhe Apache 2.0 janë të papërputhshëm. Fjalët se Google e ka konvertuar Linux-in në një farë mënyre sipas licencës Apache janë të gabuara; Google s’ka fuqi të ndryshojë licencën në kodin e Linux-it dhe s’provoi ta bënte një gjë të tillë. Nëse autorët e Linux-it do të lejonin përdorimin e tij sipas GPL version 3, atëherë ai kod mund të ndërthurej me kod të licencuar nën Apache dhe ndërthurja mund të hidhej në qarkullim nën GPL version 3. Por Linux-i s’është hedhur në qarkullim në atë mënyrë.

Google është pajtuar me domosdoshmëritë e licencës GNU General Public License për Linux, por licenca Apache mbi pjesën tjetër të Android-it nuk kërkon doemos hedhjen në qarkullim të burimit. Google është shprehur se nuk do të bëjë kurrë publik kodin burim të Android 3.0 (hiq Linux-in). Kodi burim i Android 3.1 edhe ky u mbajt i fshehtë, duke e bërë Android 3-shin, hiq Linux-in, software jo të lirë thjesht dhe paq.

Google tha se e mbajti të fshehtë kodin burim të 3.0-shit ngaqë qe me të meta dhe njerëzit duhet të presin për hedhjen pasuese në qarkullim. Kjo mund të jetë këshillë e mirë për njerëz që thjesht duan të xhirojnë sistemin Android, por këtë duhet ta vendosin vetë përdoruesit. Sido qoftë, zhvillues dhe të tjerë që fusin duart në sisteme, të cilët duan të përfshijnë ndryshime në versione të tyret, mund të përdorin atë kod fare mirë.

Për fat, Google më vonë hodhi në qarkullim kodin burim për Android 3.*, kur hodhi në qarkullim versionin 4 (edhe ky me kodin burim). Problemi më sipër doli të ishte një devijim i përkohshëm, se sa një ndryshim politike. Por, ajo që ndodhi një herë, mund të ndodhë prapë.

Sido që të jetë, shumica e kodit burim të versioneve të ndryshme të Android-it është hedhur në qarkullim si software i lirë. A do të thotë kjo se produktet që përdorin këto versione respektojnë lirinë e përdoruesve? Jo, për një numër arsyesh.

Para së gjithash, shumica e tyre përmbajnë aplikacione jo të lirë Google për të komunikuar me shërbime të tilla si YouTube dhe Google Maps. Këto zyrtarisht s’janë pjesë e Android-it, por kjo s’e bën të mirë produktin. Mjaft nga aplikacionet e lira, që mund të përdoreshin në versione të dikurshëm Android, janë zëvendësuar nga aplikacione jo të lira; më 2013-n u shfaqën pajisje Android të cilat s’jepnin ndonjë rrugë për të parë foto, përveç se përmes aplikacionit jo të lirë Google+. Më 2014-n Google-i njoftoi se versionet Android për televizorë, sahate dhe automjete, në pjesën më të madhe do të ishin jo të lirë.

Shumica e pajisjeve Android vijnë me software-in jo të lirë Google Play (ish- “Android Market”). Ky software i fton përdoruesit me një llogari Google të instalojnë aplikacione jo të lira. Ai përmban edhe një deriçkë të pasme me të cilën Google mund të instalojë ose çinstalojë aplikacione me zor. (Kjo, sipas gjasash, e bën atë një deriçkë të pasme universale, por kjo s’është vërtetuar.) Google Play s’është pjesë e Android-it zyrtarisht, por kjo s’e bën më pak të ligë.

Google ka kaluar mjaft mjete elementare të përgjithshme nën bibliotekën jo të lirë Google Play Services. Nëse kodi i një aplikacioni është software i lirë, por varet nga Google Play Services, ai aplikacion, si i tërë, është faktikisht jo i lirë; s’mund të xhirojë në një version të lirë të Android-id, fjala vjen, Replicant-i.

Nëse liria ka vlerë për ju, nuk i doni aplikacionet jo të lira që ofron Google Play. Që të instaloni aplikacione Android të lira, s'ju duhet Google Play, se mund t’i merrni prej f-droid.org.

Produktet Android vijnë gjithashtu me biblioteka jo të lira. Zyrtarisht këto s’janë pjesë e Android-it, por ngaqë funksione të ndryshme të Android-it varen prej tyre, ato janë pjesë e cilitdo instalim faktik të Android-it.

Edhe vetë programet që janë zyrtarisht pjesë e Android-it, mund të mos përkojnë me hedhjet në qarkullim të kodit burim nga Google. Prodhuesit e telefonave mund ta ndryshojnë këtë kod dhe shpesh nuk hedhin në qarkullim kodin burim të versioneve të tyre. GNU GPL lyp që të japin kodin për versionet e tyre të Linux-it, nëse pajtohem me të. Pjesa tjetër e kodit, nën licencën dorëlëshuar Apache, nuk kërkon prej tyre të hedhin në qarkullim versionin burim që përdorin në të vërtetë.

Një përdorues pikasi se, mjaft programe në sistemin Android që qe pjesë e telefonit të tij, qenë ndryshuar për të dërguar të dhëna personale te Motorola. Disa prodhues shtojnë një paketë të fshehur survejimi të përgjithshëm, bie fjala Carrier IQ.

Replicant është versioni i lirë i Android-it. Zhvilluesit e Replicant-it kanë zëvendësuar mjaft nga bibliotekat jo të lira, për disa modele pajisjesh. Aplikacionet jo të lira janë përjashtuar, por ju sigurisht që s’doni të përdorni të tilla. Përkundrazi, CyanogenMod (një tjetër version i ndryshuar i Android-it) është jo i lirë, ngaqë përmban disa programe jo të lira.

Mjaft pajisje Android janë “tiranike”: janë konceptuar që përdoruesit të mos mund të instalojnë dhe xhirojnë software të vetin të ndryshuar, por vetëm versionet e miratuara nga ndonjë shoqëri. Në këtë situatë, të ekzekutueshmit s’janë të lirë, edhe nëse janë krijuar nga burime të cilat janë të lira dhe të përdorshme nga ju. Megjithatë, për disa pajisje Android mund të arrihet kontroll i plotë; pra përdoruesit mund të instalojnë software tjetër.

Firmware ose përudhës të rëndësishëm janë gjithashtu pronësorë, përgjithësisht. Këta mbulojnë transmetimin në rrjetin telefonik, WiFi-n, bluetooth-in, GPS-në, anën grafike 3D, kamerën, altoparlantin dhe në disa raste edhe mikrofonin. Në disa modele, pak nga këta përudhësa janë të lirë dhe ka disa, pa të cilët s’do t’ju gjente gjë—por s’mund të bëni dot pa mikrofonin apo rrjetin telefonik.

Firmware-i për rrjetin telefonik vjen i instaluar. Nëse krejt ajo çka bënte do të ishte të komunikojë me rrjetin telefonik kur doni ju, mund ta konsideronim si të barasvlershmin me një qark. Kur këmbëngulim se software-i në një pajisje kompjuterike duhet të jetë i lirë, mund të anashkalojmë firmware të instaluar që s’do të përmirësohet kurrë, ngaqë për përdoruesin s’ndërron gjë nëse është një program apo një qark.

Mjerisht, në këtë rast do të ishte një qark keqdashës. Veçoritë dashakeqe janë të papranueshme, pavarësisht se si sendërtohen.

Në shumicën e pajisjeve Android, ky firmware ka aq shumë kontroll, sa që mund ta kthejë produktin në një pajisje përgjuese. Në disa, kontrollon mikrofonin. Në të tjerë mund të përfitojë kontroll të plotë të pjesës kryesore kompjuterike, përmes kujtese të përbashkët dhe mundet pra të anashkalojë ose zëvendësojë çfarëdo software-i të lirë që keni instaluar. Me disa, ndoshta me të tërë, modele është e mundur të ushtrohet kontroll së largëti të këtij firmware-i për të mbishkruar pjesën tjetër të software-it në pajisje. Thelbi i software-it të lirë është të kemi kontroll të software-it dhe punës tonë me kompjuterat; një sistem me një deriçkë të pasme s’është për ne. Teksa cilido sistem kompjuterik mund të ketë të meta që mund të shfrytëzohen për spiunim, këto pajisje mundet të jenë pajisje spiunimi. (Craig Murray, në Vrasje në Samarkand, përshkruan përfshirjen e tij në një operacion zbulimi, që shndërroi së largëti në një pajisje përgjimi telefonin celular jo Android të një objektivi që nuk dyshonte.)

Sido që të jetë, firmware-i i rrjetit telefonik, në një telefon Android, s’është i barasvlershëm me një qark, ngaqë hardware-i lejon instalim versionesh të rinj dhe kjo është ajo që bëhet. Ngaqë është një firmware pronësor, në praktikë vetëm prodhuesi mundet të realizojë versione të rinj—përdoruesit s’munden.

Duke i mbledhur tok këto pika, mund të tolerojmë firmware jo të lirë rrjeti telefonik, me kusht që versionet e rinj për të të mos ngarkohen, të mos mund të marrë kontrollin e pjesës kryesore kompjuterike dhe se mund të komunikojë vetëm kur dhe qysh e lë sistemi i lirë operativ të komunikojë. Me fjalë të tjera, kur të jetë i barasvlershëm me qark dhe ai qark s’duhet të jetë dashakeq. S’ka pengesa teknike për krijimin e një telefoni Android që do të kishte këto karakteristika, por nuk dimë të jetë krijuar ndonjë.

Android-i s’është një sistem i vetëstrehueshëm; zhvillimi për Android lypset të kryhet në ndonjë sistem tjetër. Mjetet në “software development kit” (SDK) të Google-it duket të jenë të lira, por është punë e zorshme të kontrollohet nëse është kështu. Kartelat përkufizim për disa API Google s’janë të lira. Instalimi i SDK-së lyp nënshkrimin e një licence software-i pronësor, nënshkrimin e të cilës duhet ta refuzoni. SDK-ja e Replicant-it është një zëvendësim i lirë.

Mbulimi i Android-it së fundi nga shtypi përqendrohet te betejat e patentave. Gjatë 20 vjetëve fushatë për heqjen patentave mbi software-in kemi paralajmëruar se do të ndodhnin beteja të tilla. Patentat mbi software-in mund të detyrojnë eliminim veçorish nga Android-i, ose madje ta bëjnë jo të passhëm. Për më tepër hollësi se pse duhen zhdukur patentat mbi software-in, shihni endsoftpatents.org.

Megjithatë, sulmet për patenta dhe përgjigjet e Google-it s’janë të lidhura drejtpërdrejt me subjektin e këtij artikulli: si e trajtojnë pjesërisht produktet Android një sistem etik shpërndarjeje dhe se si e humbin këtë shans. Edhe ky problem meriton vëmendjen e shtypit.

Android-i është një hap i madh drejt një telefoni celular etik, të kontrolluar nga përdoruesit, me software të lirë, por ka ende shumë rrugë për të bërë dhe Google-i po e shpie në udhë të shtrembër. Hacker-a po punojnë me Replicant-in, por është punë e madhe të mbulohet një model i ri pajisjeje dhe mbetet ende problemi i firmware-it. Edhe pse telefonat Android të sotëm janë shumë më pak të liq se sa telefonat Apple ose Windows, s’mund të thuhet se respektojnë lirinë tuaj.

Poshtëshënim

  1. Shembulli i skajshëm i këtij konfuzioni shfaqet në sajtin linuxonandroid.com, që ofron ndihmë si të “instaloni Linux-in [sic] në pajisjet tuaja Android”. Kjo është tërësisht e rreme: ajo çka instalohet është një version i sistemit GNU, hiq Linux-in, i cili është tashmë i pranishëm si pjesë e Android-it. Ngaqë ky sajt mbulon vetëm shpërndarje GNU/Linux jo të lira, nuk e rekomandojmë.