Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Shpërndarje GNU/Linux

Shpërndarjet (ose “distro”) e lira të sistemit GNU/Linux përfshijnë vetëm dhe propozojnë vetëm software të lirë. Ato hedhin tej aplikacione jo të lira, platforma programimi jo të lira, përudhës jo të lirë, “blobs” firmware-i jo të lirë dhe çfarëdo software-i dhe dokumentimi tjetër jo të lirë. Nëse zbulojnë se gabimisht është përfshirë gjë e tillë, e heqin.

Shpërndarje GNU/Linux të Lira

Ju rekomandojmë të përdorni një shpërndaje të lirë sistemi GNU/Linux, një që nuk përfshin fare software pronësor. Në këtë mënyrë mund të jeni të sigurt se nuk po instaloni ndonjë program jo të lirë. Ja lista jonë e shpërndarjeve të tilla:
Shpërndarje GNU/Linux të lira.

Krejt këto shpërndarje ekzistuese mund të përdorin më tepër ndihmë zhvillimi. Ndaj, nëse doni të jepni një ndihmesë efikase në shpërndarjet e lira GNU/Linux, sugjerojmë të bëheni pjesë e zhvillimit të një shpërndarje ekzistuese të lirë, në vend se të filloni një shpërndarje të lirë të re.

Shpërndarje Jo-GNU të Lira

Këto shpërndarje sistemi janë të lira, por goxha të ndryshme nga GNU-ja. Përdorimi i tyre s’është i ngjashëm me përdorimin e GNU/Linux-it. Sidoqoftë, plotësojnë të njëjtin kriter etik që aplikojmë mbi shpërndarje GNU/Linux.
Shpërndarje Jo-GNU të lira.

Krejt këto shpërndarje ekzistuese mund të përdorin më tepër ndihmë zhvillimi. Ndaj, nëse doni të jepni një ndihmesë efikase në këtë fushë, sugjerojmë të bëheni pjesë e zhvillimit të një shpërndarje ekzistuese të lirë, në vend se të filloni një shpërndarje të lirë të re.

Udhëzime Shpërndarjeje të Lirë

Ja një listë e problemeve që mund të t’i pengojnë një shpërndarjeje vlerësimin si tërësisht e lirë:
Udhëzime për shpërndarje sistemi të lirë.

Shpërndarje të Rëndomta

Mjaft shpërndarje të rëndomta dhe të mirënjohura software-i GNU/Linux nuk i plotësojnë udhëzimet tona. Rreth problemeve me to mund të lexoni këtu:
Pse nuk u dalim zot mjaft shpërndarjeve të njohura GNU/Linux.

U bëjmë thirrje zhvilluesve të këtyre shpërndarjeve të heqin pjesët jo të lira dhe t’i bëjnë kështu software tërësisht të lirë.

I lirë Në Mënyrë Opsionale, S’Mjafton

Disa shpërndarje GNU/Linux u lejojnë përdoruesve mundësinë e instalimit vetëm të software-it të lirë. Mund të lexoni:
Pse e lirë në mënyrë opsionale, s’mjafton.

Pse Është e Rëndësishme Kjo?

Kur një shpërndarje GNU/Linux përfshin software jo të lirë, kjo shkakton dy lloje problemesh:

  • Nëse e instaloni, mund të instaloni dhe përdorni software jo të lirë.
  • U jep njerëzve idenë e gabuar se cili është synimi.

Problemi i parë është një problem i drejtpërdrejtë: prek përdoruesit e shpërndarjes, nëse instalojnë software jo të lirë. Por, problemi i dytë është ai më i rëndësishëm, ngaqë ndikon mbi bashkësinë si e tërë.

Zhvilluesit e shpërndarjeve jo të lira nuk thonë, “Kërkojmë ndjesë për praninë e përbërësve jo të lirë në shpërndarjen tonë. Nuk e dimë se ç’na bëri t’i përfshijmë. Shpresojmë se për hedhjen e ardhshme në qarkullim, do ta kemi mendjen te liria”. Po ta bënin, do të kishin më pak ndikim të gabuar.

Përkundrazi, përgjithësisht software-in jo të lirë e paraqitin në sistemet e tyre si një veçori pozitive; shprehen se synimi i tyre është “punimi më i mirë i mundshëm për përdoruesit”, ose diçka të ngjashme, në vend se liria. Me fjalë të tjera, i shpien njerëzit drejt vënies së leverdisë mbi lirinë — duke punuar drejtpërsëdrejti kundër fushatës tonë për bërjen e lirisë synimin parësor.

Fakti që këto shpërndarje nuk furnizojnë liri, është arsyeja pse nuk u dalim zot. Fakti që ato u mësojnë njerëzve të mos vlerësojnë lirinë është arsyeja pse na shqetëson fort kjo çështje.