English [en]   français [fr]   русский [ru]   Shqip [sq]  

Ky është përkthim i një faqeje Anglisht në origjinal.

Ç’do të Thotë Që Kompjuteri Juaj të Jetë Besnik?

nga Richard Stallman

Themi se xhirimi i software-it të lirë në kompjuterin tuaj do të thotë që veprimet e tij janë nën kontrollin tuaj. Kjo nënkupton që kompjuteri juaj do të bëjë ato çka i kërkon programi juaj të bëjë, dhe asgjë më shumë. Me fjalë të tjera, kompjuteri juaj do t’ju jetë besnik.

Më 1990 këtë e merrnim të mirëqenë; sot, mjaft kompjutera janë konceptuar të mos u jenë besnikë përdoruesve të tyre. Është bërë e nevojshme të thuhet hapur se ç’do të thotë që kompjuteri juaj të jetë një platformë besnike, që u bindet vendimeve tuaja, të cilat i shprehni duke i thënë të xhirojë programe të caktuara.

Përkufizimi ynë paraprak përbëhet nga këto parime.

Instalueshmëri

Çfarëdo software-i që mund të zëvendësohet nga një tjetër, përdoruesi duhet të ketë aftësinë të zëvendësojë.

Ndaj, nëse kompjuteri kërkon një fjalëkalim ose ndonjë të fshehtë tjetër për të mundur të zëvendësojë ndonjë software të vetin, cilido që ju shet kompjuterin, duhet t’ju tregojë edhe atë të fshehtë.

Asnjanësi kundrejt software-it

Kompjuteri do të xhirojë, pa paragjykime, çfarëdo software-i që instaloni në të, dhe do ta lejojë software-in të bëjë ç’të thotë kodi përkatës.

Një mekanizëm për kontrollin e nënshkrimeve të programeve që xhirojnë është i përputhshëm me këtë parim, me kusht që kontrolli i nënshkrimeve të jetë plotësisht nën kontrollin e përdoruesit. Kur është kështu, mekanizmi ndihmon sendërtimin e vendimeve të përdoruesit mbi se cilët programe të xhirojnë, në vend se të pengojë vendimet e përdoruesit. Përkundrazi, kontrolli i nënshkrimeve që nuk është plotësisht nën kontrollin e përdoruesit e cenon këtë parim.

Asnjanësi kundrejt protokollesh

Kompjuteri do të komunikojë, pa paragjykime, përmes çfarëdo protokolli që sendërton software-i i instaluar në të, me çfarëdo përdoruesi dhe kompjuteri tjetër me të cilin e drejtoni të komunikojë.

Kjo do të thotë që kompjuteri nuk imponon një shërbim të caktuar në kurriz të një tjetri, ose një protokoll, në vend se një tjetër. Nuk i kërkon përdoruesit të marrë lejen e dikujt për të komunikuar përmes një protokolli të dhënë.

Asnjanësi kundrejt sendërtimesh

Kur kompjuteri komunikon duke përdorur një protokoll të dhënë, do ta mbështesë kryerjen e kësaj, pa paragjykime, përmes çfarëdo kodi që zgjidhni (po pranojmë që kodi e sendërton protokollin në fjalë), dhe nuk do të bëjë asgjë që do të ndihmonte cilëndo palë tjetër në Internet të dallojë se cilin kod po përdorni, ose se çfarë ndryshimesh keni bërë në të, apo të diskriminojë bazuar në zgjedhjen tuaj.

Kjo kërkon që kompjuteri të hedhë tej kërkesa për dëshmime së largëti, që do me thënë, nuk u lejon kompjuterave të tjerë të përcaktojnë me ndihmën e rrjetit nëse kompjuteri juaj po xhiron një copë të dhënë software-i. Dëshmimi së largëti u jep sajteve pushtetin t’ju detyrojnë të lidheni me ta vetëm përmes një aplikacioni me DRM, të cilën nuk e zhbllokoni dot, duke ju mohuar kështu kontrollin e efektshëm mbi software-in që përdorni për të komunikuar me ta.

Ne e kuptojmë dëshmimin së largëti si një skemë të përgjithshme që u lejon cilitdo sajt të imponojë tivoizim ose “bllokim” te software-i në kompjuterin tuaj përmes të cilit lidheni me të. Tivoizimi i thjeshtë i një programi ua bën të pamundur xhirimin si duhet versioneve të modifikuara; Kjo e bën programin jo të lirë. Dëshmimi së largëti nga sajtet ua bën të pamundur versioneve të modifikuara funksionimin me ato sajte që përdorin dëshmim, çka e bën një program efektivisht jo të lirë, kur përdor këto sajte. Nëse një kompjuter u lejon sajteve t’jua bëjnë të pamundur përdorimin me to të një programi të modifikuar, është besnik kundrejt atyre, jo kundrejt jush.

Asnjanësi kundrejt të dhënash të komunikuara

Kur kompjuteri merr të dhëna duke përdorur çfarëdo protokolli, nuk do të vërë caqe se çfarë mundet të bëjë programi me të dhënat e marra përmes komunikimit.

Çfarëdo DRM-je në nivel hardware-i e cenon këtë parim. Për shembull, hardware-i nuk duhet të transmetojë rrjedha video të koduara në mënyrë të tillë që vetëm monitori të mund t’i çkodojë.

Diagnostikueshmëri

Kompjuteri gjithmonë ju lejon të analizoni funksionimin e programit që xhironi.

Plotësi

Parimet më sipër zbatohen mbi krejt ndërfaqet software të kompjuterit dhe krejt komunikimet që kryen kompjuteri. Kompjuteri nuk duhet të përmbajë ndonjë marifet të programueshëm ose të kryejë komunikime jo besnike ndaj jush.

Për shembull, pjesa AMT në procesorët Intel të kohëve të fundit xhiron software jo të lirë i cili mund të komunikojë së largëti me Intel-in. Kjo e bën jo besnik sistemin, veç në u çaktivizoftë.

Që një kompjuter të jetë plotësisht në shërbimin tuaj, duhet të jetë i shoqëruar me dokumentim të krejt ndërfaqeve të software-it që xhiron në të, dhe që përdoren për të kontrolluar kompjuterin. Një mungesë e tillë dokumentimi nuk do të thotë që kompjuteri është aktivisht jo besnik, por do të thotë që ka disa aspekte të tij që nuk janë në shërbimin tuaj. Në varësi se ç’realizon ai aspekt, kjo mund të jetë ose mund të mos jetë problem.

U kërkojmë lexuesve të na dërgojnë kritikat dhe sugjerimet rreth këtyre përkufizimeve te <computer-principles@gnu.org>.

Historik

Kjo është një listë e ndryshimeve thelbësore në këtë faqe.

SIPËR NË KRYE


[Logo FSF-je]“Misioni ynë është ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i lirisë për të përdorur, studiuar, kopjuar, ndryshuar dhe rishpërndarë software kompjuteri, dhe për të mbrojtur të drejtat e përdoruesve të Software-it të Lirë.”

Free Software Foundation është sponsori organizativ kryesor i Sistemit Operativ GNU. Përkrahni GNU-në dhe FSF-në përmes blerjesh të doracakëve dhe sendeve tona, anëtarësimit në FSF si një anëtar shok, ose duke bërë një dhurim, qoftë drejtpërsëdrejti te FSF-ja ose përmes Flattr-it.