Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Linux-i dhe Sistemi GNU

Mjaft përdorues kompjuteri xhirojnë përditë ndonjë version të modifikuar të sistemit GNU, pa e ditur. Përmes një kthese të veçantë të ngjarjeve, versioni i GNU-së që përdoret gjerësisht sot, shpesh thirret “Linux” dhe mjaft nga përdoruesit e tij nuk janë të ndërgjegjshëm se në thelb bëhet fjalë për sistemin GNU, hartuar nga Projekti GNU.

Ka vërtet një Linux dhe këta njerëz po e përdorin, por bëhet fjalë vetëm për një pjesë të sistemit që përdorin. Linux-i është kerneli: programi në sistem që shpërndan aftësitë e makinës te programet e tjera që xhironi. Kerneli është pjesë themelore e një sistemi operativ, por në vetvete i padobi; mund të marrë kuptim vetëm në kontekstin e një sistemi të plotë operativ. Linux-i përdoret normalisht i ndërthurur me sistemin operativ GNU: sistemi i plotë është në thelb GNU me Linux-in shtuar atij, ose GNU/Linux. Krejt të ashtuquajturat shpërndarje “Linux” janë përnjëmend GNU/Linux.

Mjaft përdorues nuk e kuptojnë ndryshimin mes kernelit, që është Linux-i, dhe krejt sistemit, të cilin edhe këtë e quajnë “Linux”. Përdorimi i dykuptimtë i emrit nuk ndihmon të kuptuarit nga ana e njerëzve. Këta përdorues, shpesh mendojnë se Linus Torvalds-i zhvilloi krejt sistemin operativ më 1991, me pakëz ndihmë.

Programuesit përgjithësisht e dinë që Linux-i është një kernel. Por ngaqë dëgjojnë të quhet krejt sistemi “Linux” po ashtu, shpesh përfytyrojnë një historik që do të përligjte thirrjen e krejt sistemit sipas kernelit. Për shembull, ka plot që besojnë se sapo Linus Torvalds-i përfundoi së shkruari Linux-in, kernelin, përdoruesit e tij hodhën sytë përqark për ndonjë software tjetër të lirë që mund t’i përshtatej dhe u doli se (pa ndonjë arsye të veçantë) shumica e gjërave të nevojshme për të ndërtuar një sistem të ngjashëm me Unix-in qenë gati që më parë.

Çka gjetën, nuk qe rastësi — qe sistemi jo-dhe-aq-i-plotësuar GNU. Software-i i lirë, i passhëm deri atëherë, i shkonte për shtat një sistemi të plotë, ngaqë Projekti GNU kish që më 1984-n që punonte për një të tillë. Me Manifestin e GNU-së ne shpalosëm synimin e zhvillimit të një sistemi të lirë të ngjashëm me Unix-in, të quajtur GNU. Njoftimi Fillestar mbi Projektin GNU përvijon po ashtu disa nga planet origjinale për sistemin GNU. Në kohën që Linux-i zuri fill, GNU thuajse kish përfunduar.

Shumica e projekteve të software-it të lirë synojnë hartimin e një programi të veçantë për një punë të veçantë. Për shembull, Linus Torvalds-i i hyri shkrimit të një kerneli të ngjashëm me Unix-in (Linux); Donald Knuth-i i hyri shkrimit të një formatuesi tekstesh (TeX); Bob Scheifler-i i hyri zhvillimit të një sistemi dritaresh (Sistemi i Dritareve X). Është e kuptueshme të matet kontributi në këtë lloj projektesh sipas programeve që erdhën nga projektet.

Po të provonim të matnim kontributin e Projektit GNU me këtë rrugë, ç’do të na dilte? Një shitës CD-ROM-esh pa se në “shpërndarjen e tij Linux”, software-i GNU qe kontingjenti më i madh, me gati 28% të kodit burim gjithsej dhe këtu përfshiheshin disa nga përbërësit më të rëndësishëm, pa të cilët nuk mund të ketë sistem. Linux-i në vetvete qe rreth 3%. (Përpjesëtimet më 2008 qenë të ngjashëm: në depon “kryesore” të gNewSense-it, Linux-i kap 1.5% dhe paketat GNU zënë 15%.) Ndaj, po qe se do të zgjidhnit një emër për sistemin, bazuar në atë se kush shkroi programet e sistemit, zgjedhja e vetme më e përshtatshme do të ishte “GNU”.

Por kjo nuk është mënyra më e thellë për të parë çështjen. Projekti GNU nuk qe, as nuk është, një projekt për të hartuar paketa software-i specifik. Nuk qe projekt për hartimin e një përpiluesi, edhe pse e bëmë dhe këtë. Nuk qe projekt për të hartuar një përpunues tekstesh, edhe pse ndërtuam një të tillë. Projekti u hartua për të ndërtuar një sistem krejt të lirë të ngjashëm me Unix-in: GNU.

Te sistemi kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për software-in e lirë mjaft vetë dhe të tërë e meritojnë t’u jepet haka për software-in e tyre. Por shkaku pse është sistem i integruar—dhe jo thjesht një koleksion programesh të dobishme—është ngaqë Projekti GNU i hyri punës për të ndërtuar një të tillë. Hartuam një listë të programeve të domosdoshme për ndërtimin e një sistemi të plotë të lirë dhe, në mënyrë sistematike, gjetëm, shkrojtëm, ose gjetëm njerëz për shkrimin e gjithçkaje në listë. Shkruam përbërësit thelbësorë, por ama të pabujë [1], ngaqë pa ta nuk mund të kihet sistem. Disa nga përbërësit e sistemit tonë, mjetet e programimit, u bënë popullorë për hesap të vet në qarqet e programuesve, por shkruam mjaft përbërës që nuk janë mjete [2]. Hartuam madje edhe një lojë shahu, Shah GNU, ngaqë një sistem i plotë lyp edhe lojëra.

Në fillimet e viteve '90 e bëmë tok krejt sistemin, hiq kernelin. E kishim filluar dhe kernelin, GNU Hurd, i cili xhiron përsipër Mach-ut. Zhvillimi i këtij kerneli doli shumë më i vështirë se sa mendonim; GNU Hurd zuri të punonte në mënyrë të besueshme më 2001, por ka ende shumë rrugë derisa të jetë gati për përdorim të përgjithshëm.

Për fat, falë Linux-it, s’na u desh të pritnim Hurd-in. Sapo Torvalds-i e kaloi të lirë Linux-in, më 1992-shin, ky zinte vendin e fundit të zbrazët te sistemi GNU. Pas kësaj, njerëzit mund të ndërthurnin Linux-in me sistemin GNU, për të pasur një sistem të plotë të lirë — një version të sistemit GNU që përmbante gjithashtu Linux. Me fjalë të tjera, sistemin GNU/Linux.

Përputhja e tyre, që të punonin mirë tok, nuk qe punë e lehtë. Disa përbërës GNU [3] lypnin ndryshime thelbësore që të mund të punonin me Linux-in. Edhe integrimi i një sistemi të plotë, si shpërndarje që do të punonte “drejt e sa të hapej”, qe punë e madhe. Lypte trajtimin e çështjes se si të instalohej dhe nisej sistemi—problem që s’ishte zënë me dorë, ngaqë nuk kishim mbërritur në atë pikë. Ndaj, njerëzit që hartuan shpërndarjet e ndryshme të sistemit kryen shumë punë me rëndësi. Por qe punë e cila, për nga natyra e vet, sigurisht që do të bëhej nga dikush.

Projekti GNU mbulon si sistemet GNU/Linux, ashtu edhe sistemin GNU. FSF financoi rishkrimin e zgjerimeve të nevojshëm për Linux-in të librarisë GNU C, e kështu tani janë të integruar më së miri dhe sistemet më të rinj GNU/Linux përdorin hedhjen e tanishme në qarkullim të librarisë pa e ndryshuar. FSF-ja financoi gjithashtu një fazë të hershme të zhvillimit të Debian GNU/Linux-it.

Sot ka mjaft variante të ndryshëm të sistemit GNU/Linux (shpesh të quajtura “shpërndarje (distro)”). Shumica e tyre përfshijnë software jo të lirë—hartuesit e tyre ndjekin filozofinë e “burimit të hapët që i përshoqërohet Linux-it, në vend se filozofinë e “software-it të lirë” të GNU-së. Por ka edhe shpërndarje GNU/Linux krejtësisht të lira. FSF-ja mbulon infrastrukturën kompjuterike për pak prej tyre.

Bërja e një shpërndarjeje GNU/Linux të lirë nuk është thjesht punë heqjeje programesh të ndryshëm jo të lirë. Sot, edhe versioni i zakonshëm i Linux-it përmban programe jo të lira. Këto programe janë konceptuar të ngarkohen në pajisjet I/O, kur niset sistemi dhe përfshihen, si vargje të gjatë numrash, në “kodin burim” të Linux-it. Ndaj, pasja e shpërndarjeve të lira GNU/Linux tani nënkupton po aq pasjen e një versioni të lirë të Linux-it.

E përdorni a jo GNU/Linux-in, ju lutemi, mos e ngatërroni publikun duke përdorur emrin “Linux” në mënyrë të dykuptimtë. Linux është kerneli, një nga përbërësit më të rëndësishëm të sistemit. Sistemi, si i tërë, është në fakt sistemi GNU, me Linux-in të shtuar aty. Kur flisni rreth kësaj ndërthurje, ju lutemi, quajeni “GNU/Linux”.

Nëse doni të krijoni një lidhje te “GNU/Linux”, për referencë të mëtejshme, kjo faqe dhe https://www.gnu.org/gnu/thegnuproject.html janë zgjedhje e mirë. Nëse përmendni Linux-in, kernelin dhe doni të shtoni një lidhje për referenca të mëtejshme, https://foldoc.org/linux është një URL e mirë për ta përdorur.

PS

Përveç GNU-së, një tjetër projekt ka prodhuar në mënyrë të pavarur një sistem operativ të lirë të ngjashëm me Unix-in. Ky sistem njihet si BSD, dhe qe hartuar në UC Berkeley. S’qe i lirë në vitet ’80, por u kalua i lirë në fillim të viteve ’90. Sistemet e lirë operativë që ekzistojnë sot [4] janë, pothuaj me siguri, ose variante të sistemit GNU, ose ndonjë lloj sistemi BSD.

Ndonjëherë njerëzit pyesin nëse edhe BSD-ja është version i GNU-së, si GNU/Linux-i. Zhvilluesit e BSD-së u frymëzuan nga shembulli i Projektit GNU kur e kaluan kodin e tyre si të lirë dhe në bindjen e tyre ndihmuan thirrje të bëra shprehimisht nga veprimtarë të GNU-së, por kodi në fjalë puqet pak me GNU-në. Sistemet BSD sot përdorin disa programe GNU, ashtu si edhe sistemet GNU dhe variantet e tyre përdorin disa programe BSD; megjithatë, shqyrtuar në tërësi, janë dy sisteme të ndryshëm që kanë bërë përpara ndarazi. Zhvilluesit e BSD-së nuk shkruan ndonjë kernel dhe t’ia shtonin sistemit GNU dhe ndonjë emër si GNU/BSD nuk do të pasqyronte gjendjen e njëmendtë [5].

Poshtëshënime

  1. Këta përbërës të pabujë, por thelbësorë, përfshijnë asemblerin GNU (GAS) dhe linker-in (GLD), që të dy tani pjesë e paketës GNU Binutils, GNU tar dhe shumë të tjerë.
  2. Sa për shembull, The Bourne Again SHell (BASH), interpretuesi PostScript Ghostscript dhe libraria GNU C s’janë mjete programimi. As GNUCash, as GNOME dhe as GNU Chess.
  3. Sa për shembull, libraria GNU C.
  4. Pas shkrimit të këtij artikulli, u zhvillua një sistem thuajse-krejt-i-lirë, i ngjashëm me Windows-in, por teknikisht nuk është fare i ngjashëm me GNU-në apo Unix-in, ndaj përnjëmend nuk hyn fare këtu. Shumica e kernelit të Solaris-it është kaluar si i lirë, por nëse doni të nxirrni prej tij një sistem të lirë, veç plotësimit të pjesëve që mungojnë te kerneli, do t’ju duhej edhe ta bënit të hynte te GNU-ja ose BSD-ja.
  5. Nga ana tjetër, përgjatë viteve, qëkur u shkrua ky artikull, Libraria C GNU është përshtatur për disa versione të kernelit BSD, çka e bëri fare të thjeshtë ndërthurjen e sistemit GNU me atë kernel. Ashtu si GNU/Linux-i, këta në fakt janë variante të GNU-së, ndaj edhe quhen, fjala vjen, GNU/kFreeBSD dhe GNU/kNetBSD, në varësi të kernelit të sistemit. Përdoruesit e zakonshëm zor të dallojnë një desktop GNU/Linux nga një desktop GNU/*BSD.