English [en]   العربية [ar]   Deutsch [de]   français [fr]   日本語 [ja]   한국어 [ko]   Shqip [sq]  

Ky është përkthim i një faqeje në Anglisht në origjinal.

Deklaratë e GNU-së Mbi Hyrshmërinë

Projekti GNU u kërkon me forcë personave që merren me software-in e lirë të ndjekin standardet dhe udhëzimet për hyrshmëri universale në GNU/Linux dhe sistemet e tjera operative. Projektet shumëplatformëshe do të duhej të përdornin ndërfaqe e mundshme ndërplatformëshe për hyrshmërinë që përfshijnë shpërndarjet GNU/Linux dhe desktopi GNOME. Projekti GNU u këshillon gjithashtu zhvilluesve të site-eve web të ndjekin uhdëzimet e vendosura nga Nisma e Konsorciumit World Wide Web për Hyrshmërinë.

Sipas Kombeve të Bashkuara më 2005, në botë kish 600 milionë vetë me paaftësi të ndryshme. Që të përdorin kompjuterat, shumë prej tyre kanë nevojë për software special, të njohur si “teknologji hyrshmërie”. Ashtu si edhe programet e tjera, këta mund të jenë të lirë ose pronësorë. Ata që janë software i lirë respektojnë lirinë e përdoruesve; pjesa tjetër, programet pronësorë, ua nënshtrojnë përdoruesit pushtetit të të zotit të programit.

Që teknologjia e hyrshmërisë të mund të funksionojë, software-i tjetër në përdorim duhet të ndërveprojë me të. Shumica e programeve të kompjuterit dhe e site-eve web (85% sipas një vlerësimi) nuk pajtohen me standardet dhe udhëzimet mbi hyrshmërinë, ndaj edhe nuk funksionojnë me teknologjinë e hyrshmërisë. Japin kështu një ndjesi të bezdisshme, dhe mund t'i pengojnë përdoruesit veprimtaritë shkollore ose të punës.

Formatet pronësorë për kartelat, që kërkojnë programe pronësorë për t'u trajtuar, janë helm si për hyrshmërinë, ashtu edhe për liritë që ne veprimtarët e software-it të lirë shpresojmë të ngulitim. Shkelësi më i rëndë është formati Flash; ky zakonisht kërkon software pronësor që nuk bashkëpunon me hyrshmërinë. Microsoft Silverlight është i ngjashëm. PDF gjithashtu është i vështirë; edhe pse ka software të lirë për ta hapur këtë, ky nuk mbulon software të lirë teknologjie hyrshmërie. GNU PDF synon ta bëjë këtë punë më mirë.

Personat me paaftësi e meritojnë të kenë në dorë fatin e tyre edhe në pikëpamjen teknologjike. Kur këta përdorin teknologji pronësore për hyrshmërinë, kanë pak ose aspak mundësi të ndreqin çfarëdo ane që nuk shkon me to. Praktikisht krejt vendimet e rëndësishme të zhvillimeve pronësore merren nga persona që nuk kanë paaftësi; përvoja njëzetvjeçare tregon që personat me raste jo të zakonshme ndërthurjesh paaftësish, të cilët kërkojnë software relativisht jo të zakonshëm, ose që ndeshin në një të metë e cila i pengon të kryejnë punë, nuk kanë ndonjë rrugë që të fusin ndryshimet që u duhen. Këto produkte ndryshohen ose përmirësohen vetëm kur tregtuesit e tyre shohin një arsye biznesi për ta bërë këtë; kështu lihen mbrapa mjaft përdorues. Si problem dytësor, software-et pronësorë për hyrshmërinë janë shumë më të shtrenjtë se vetë PC-ja. Mjaft përdorues nuk ia dalin dot të heqin dorë nga liria e tyre në këtë mënyrë.

Për përdorues me paaftësi, si edhe për krejt përdoruesit e tjerë, software-i i lirë është rruga e vetme me të cilën përdoruesit mund të kontrollojnë punën e tyre me kompjuter, shansi i tyre i vetëm për ta bërë software-in të puqet me nevojat e tyre, në vend që të pranojnë në mënyrë pasive çfarëdo që programuesit zgjedhin t'u ofrojnë atyre.

Kombet me popullsi të madhe kanë po ashtu numër të madh personash me paaftësi. Vende si Brazili dhe Rusia po diskutojnë të standardizojnë apo jo blerjet qeveritare drejt platformash GNU/Linux. Këto kombe janë të tëra nënshkruese të Konventës së Kombeve të Bashkuara të Drejtave të Njeriut dhe të Personave me Paaftësi, dhe e kanë përfshirë teknologjinë në planet e tyre për mundësimin e këtyre të drejtave. Kjo do t'u kërkojë të punësojnë programues që do të merren me software hyrshmërie për popullsitë e tyre. Në qoftë software i lirë, edhe pjesa tjetër e botës do të jetë në gjendje ta përdorë. Hacker-at që merren me teknologjitë e lira të hyrshmërisë do të ofrojnë mjete që personat me paaftësi mund t'i përdorin për të zgjeruar pa masë horizontin e tyre.

Bërja e mundur që zbatimi apo site-i juaj web të jetë i përdorshëm nga cilido është gjëja e duhur. Dhe përputhet në mënyrë natyrale me software-in e lirë.

Rekomandime

Zhvilluesit e zbatimeve software do të duhej të mësonin se si të përdorin veçoritë mbi hyrshmërinë te IDE ose grupi i tyre mjeteve që përdorin për krijimin e ndërfaqeve të përdoruesit. Programuesit që kanë nevojë të sendërtojnë teknologji hyrshmërie, ose që merren me një problem hyrshmërie desktopi apo sistemi operativ, është e nevojshme të kuptojnë API-n e hyrshmërisë, dhe do të duhek të zgjidhnin një që është e përputhshme me OS/desktopë të lirë. Këtu përfshihen API e GNOME-s mbi hyrshmërinë (vetëm për platforma GNU/Linux), API-n Java për hyrshmërinë (GNU/Linux dhe Windows) dhe iAccessible2 (GNU/Linux dhe Windows).

Free Software Foundation është sponsori organizativ kryesor i Sistemit Operativ GNU. Misioni ynë është të ruajmë, mbrojmë dhe përhapim lirinë për të përdorur, studiuar, kopjuar, ndryshuar dhe rishpërndarë software kompjuterash, dhe të mbrojmë të drejtat e përdoruesve të Software-it të lirë. Përkrahni GNU-në dhe FSF-në përmes blerjesh të doracakëve dhe sendeve tona, anëtarësimit shok te FSF-ja, ose duke dhuruar, qoftë drejtpërsëdrejti te FSF, qoftë përmes Flattr-it.

sipër në krye