Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Pyetje të Bëra Rëndom Rreth Software-it të Lirë dhe Edukimit

Mjaft militantë të Software-it të Lirë hasin vështirësi, kur bisedojnë me përgjegjës të institucioneve arsimore rreth përparësive të përdorimit dhe dhënies mësim të Software-it të Lirë. Shpesh përgjegjës shkollash s’kanë dëgjuar kurrë për Software-in e Lirë, ose kanë dëgjuar vetëm mbi “burimin e hapët”, ndaj shfaqin mjaft dyshime. Këtu mbledhim tok disa nga pyetjet më të rëndomta dhe përgjigjet më të mira të mundshme për të eliminuar paqartësi.

Si mësues, jam përpjekur shumë t’i shpjegoj administratorëve të shkollës përparësitë që software-i me burim të hapët mund t’i sjellë shkollë sonë, por nuk duket se u intereson.

“Burim i hapët” i referohet vetëm përparësive teknike të software-it. Shkollat mund të jenë të interesuara në atë pikëpamje, ngaqë ka shumë mundësi që domosdoshmëritë teknike të jenë plotësuar tashmë nga software-i pronësor në përdorim. Duhet t’u flisni me terma të Software-it të Lirë, jo atij me “burim të hapët”, që të mund t’u shpjegoni arsyet filozofike dhe etike pse institucionet arsimore duhet të hedhin poshtë software-in pronësor.

Njihuni me arsyet pse institucionet arsimore do të duhej të përdornin dhe të jepnin mësim Software të Lirë përjashtimisht.

Do të doja t’i shihja krejt shkollat të migrojnë në Software-in e Lirë, por mendoj se s’ka sy kjo punë. Shoqëritë e software-it pronësor kanë shumë më tepër fuqi, qoftë edhe mbi shkollat. Gjendja është dekurajuese.

Teksa është e vërtetë që korporatat e software-it pronësor kanë arritur të imponojnë produktet e tyre në shoqëri duke përdorur shkollat si agjentë propagande, është gjithashtu e vërtetë se mjaft shkolla anembanë botës kanë adoptuar Software të Lirë me rezultate të shkëlqyera. Për disa shembuj, shihni ndarjen tonë Shembuj.

Kur nisëm Projektin GNU dikur më 1983-shin, gjendja qe shumë dekurajuese edhe për ne. Filluam nga zeroja dhe sot miliona njerëz anembanë botës përdorin Software të Lirë.

Jam kreu i një instituti teknik dhe do të doja t’u mësoja nxënësve tanë përdorimin dhe administrimin e një platforme të Lirë, por më duhet të jem në pajtim me planet mësimore të caktuara nga Ministria e Arsimit, që kërkojnë doemos dhënien mësim të platformave dhe programeve pronësore.

Nëse jeni troç të detyruar të përdorni software jo të lirë, duhet t’u thoni nxënësve tuaj se e konsideroni jo etik këtë software, se e bëni vetëm ngaqë jeni i detyruar dhe se do ta shfrytëzoni sa më pak të jetë e mundur, që të mund të kaloni në software që respekton lirinë.

S’duhet të harrojmë që shkollat kanë ndikim të madh në shoqëri, ndaj ndërgjegjësimi i nxënësve tanë mbi përparësitë e Software-it të Lirë është një rrugë bërje presioni mbi vendimmarrësit. Mund t’ia filloni duke u treguar nxënësve tuaj mbi Software-in e Lirë dhe vlerat etike të tij, ngaqë mund të mos kenë dëgjuar kurrë për të. Duke e marrë ju përsipër dhe duke e përkrahur, kjo mund të sjellë formimin e një Grupi Software-i të Lirë në shkollën tuaj. Mandej grupi mund të bëjë të dëgjohet zëri i tij duke i shkruar letra ministrisë, duke zhvilluar veprimtari që promovojnë Software-in e Lirë dhe veprimtari të tjera të ngjashme.

Kur përdoruesit e kompjuterave do të kërkojnë të drejtat e tyre, qeverive do t’u duhet të nxjerrin ligje për këtë. Kjo është arsyeja pse ndërgjegjësimi politik dhe shoqëror është një aspekt themelor që s’mund të lihet mënjanë, kur flitet për Software-in e Lirë.