Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

15 Vjet Software-i të Lirë

U mbushën 15 vjet që nga fillimi i Lëvizjes për Software të Lirë dhe Projektit GNU. Kemi bërë goxha udhë.

Më 1984 qe e pamundur të përdorej një kompjuter modern pa u dashur të instalohej një sistem operativ pronësor, të cilin duhej ta merrnit sipas një licence shtrënguese. Askujt nuk i lejohej të ndante lirisht software me të tjerë përdorues kompjuteri, dhe zor se ndokush mund të ndryshonte software për t’ua përshtatur nevojave të tij vetjake. Pronarët e software-it patën ngritur mure për të na ndarë nga njëri tjetri.

Projekti GNU u themelua për ta ndryshuar krejt këtë. Synimi i parë i tij: të zhvillohej një sistem operativ, i ngjashëm me Unix-in, që do të ishte software i lirë 100%. Jo 95% i lirë, jo 99.5%, por 100%—që kështu përdoruesit të ishin të lirë ta rishpërndanin krejt sistemin, të lirë ta ndryshonin dhe të kontribuonin në çdo pjesë të tij. Emri i sistemit, GNU, është një shkurtim ripërsëritës që do të thotë “GNU's Not Unix”—një mënyrë për t’u dhënë hakën ideve teknike të Unix-it, teksa në të njëjtën kohë nënvizohet që GNU-ja është diçka tjetër. Teknikisht, GNU-ja ngjan me Unix-in. Por ndryshe nga Unix-i, GNU-ja u jep përdoruesve të vet lirinë.

U deshën shumë vjet punë, nga qindra programues, që të zhvillohej ky sistem operativ. Disa janë paguar nga Free Software Foundation dhe nga shoqëri software-i të lirë; shumica qenë vullnetarë. Ca pak prej tyre u bënë të famshëm; shumica njihen kryesisht brenda rretheve të zanatit të tyre, nga hacker-a të tjerë merren me kodin e tyre. Të tërë tok kanë dhënë ndihmesë në çlirimin e potencialit të rrjetit të kompjuterave për krejt njerëzimin.

Më 1991, përbërësi i fundit i thelbësor i një sistemi të ngjashëm me Unix-in u ndërtua: Linux, kerneli i lirë i shkruar nga Linus Torvalds. Sot, ndërthurja e GNU-së me Linux-in përdoret nga miliona vetë anembanë botës, dhe popullariteti i tij po rritet. Këtë muaj, njoftuam hedhjen në qarkullim të GNOME 1.0, desktopi grafik i GNU-së, që shpresojmë se do ta bëjë sistemin GNU/Linux po aq të lehtë për t’u përdorur, sa cilido sistem operativ tjetër.

Por liria jonë nuk është e siguruar përgjithmonë. Bota nuk rri në vend, dhe nuk e flemë dot mendjen se do të jemi të lirë këtu e pas pesë vjetësh, thjesht meqë jemi të tillë sot. Software-i i lirë përballet me sfida dhe rreziqe të vështira. Lypsen përpjekje të vendosura për të ruajtur lirinë tonë, ashtu siç u deshën për të fituar së pari lirinë. Ndërkohë, sistemi operativ sapo ka hedhur shtat—tani na duhet të shtojmë aplikacione të lira që të mbulojnë krejt punët që duan të kryejnë përdoruesit.

Në artikujt të ardhshëm, do të shkruaj rreth sfidash specifike që duhet të përballojë bashkësia e software-it të lirë, dhe të tjera çështje që prekin lirinë e përdoruesve të kompjuterave, si dhe zhvillimet që lidhen me sistemin operativ GNU/Linux.