Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

GCompris

Përshkrim

GCompris-ja është një suitë e plotë edukative, ndërplatformëshe për fëmijë nga 2 deri në 10 vjeç, dhe është pjesë e projektit GNU. Përmban më shumë se 140 veprimtari zbavitëse që i ndihmojnë fëmijët e vegjël të mësojnë aftësi të tilla si njohja e shkronjave dhe numrave, përdorimi i miut dhe tastierës, ushtrim në algjebër elementare, leximin e kohës në një sahat jodixhital, vizatim vektorial, mësim gjuhësh përmes lojërash, dhe mjaft të tjera. Programi përfshin një përpunues të thjeshtë teksti për të prodhuar dokumente në stil elementar teksti. Një tjetër veçori është mjeti i animacioneve, i cili mund të përdoret si një metodë e thjeshtë dhe efikase në tregim përrallash apo historish, duke përmirësuar kështu komunikimin me fëmijët dhe duke i ndihmuar të shprehen.

GCompris-ja përfshin disa veprimtari të grupuara në një shtyllë të verdhë, në të majtë të ekranit, prej nga fëmija mund të zgjedhë sapo të niset programi. Një konceptim i tillë e bën të lehtë të shtohen veprimtari të reja, ose të përshtaten sipas nevojave të secilit. Vetë programi dhe krejt veprimtaritë janë të gatshme në shumë gjuhë të ndryshme.

Për të mësuar më tepër: Drejtoria FSF, Sajti Zyrtar i GCompris-së

Kush e Përdor dhe Si

Ndërtimi i Gcompris-së mbi bazë veprimtarish e bën të lehtë dhe të fuqishme përshtatjen e tij për mjedise të veçantë. Një shembull i përdorimit risor të programi është puna e bërë nga Projekti Insight në Kerala të Indisë. Projekti synon t’u sjellë përfitimet e Software-it të Lirë njerëzve me aftësi të ndryshme në këtë shtet. Panë se GCompris-ja është një mjet i fuqishëm për të përmirësuar aftësitë për të komunikuar dhe lëvizur për persona me probleme mendore, si rasti i fëmijëve me autizëm. Projekti përdor dhe e përshtat programin për nevojat e veçanta të bashkësisë përkatëse.

Ekipi i projektit Insight sendërtoi një modul formimi për mësuesit, që ofron udhëzime se si të përdoren veprimtaritë e ndryshme të GCompris=së kur punohet me fëmijë me nevoja speciale, për t’i ndihmuar këta fëmijë të fitojnë aftësi të tilla si bashkërendim i syve me duart, kujtesë, dëgjim, dhe përmirësim të shkallës së vëmendjes së fëmijës. Moduli merret me shkallë të ndryshme të edukimit, nga ai parashkollor deri te niveli i fillores. Një broshurë e vogël iu shpërnda prindërve dhe edukatorëve të specializuar, për t’i ndihmuar të kuptojnë se si të përdoret programi për të përmirësuar aftësitë e fëmijëve.

GCompris-ja përdoret gjithashtu për të ndihmuar fëmijë më të rritur të kuptojnë marrëdhëniet mes numrave, të mësojnë veprimet elementare të aritmetikës, të ushtrohen në të arsyetuarit analizues, dhe për të përmirësuar aftësitë komunikuese, si dhe shqiptimin, leximin dhe shkrimin.

Pse

Mësuesit thonë se është tejet e lehtë për ta ta inkuadrojnë GCompris-në në planet e tyre mësimore, ngaqë fëmijëve u duket intuitiv dhe zbavitëse përdorimi i tij. Programi është gjithashtu një burim i shkëlqyer për fëmijë dhe të rritur me probleme mendore.

GCompris-ja është bërë një burim i rëndësishëm për të përshpejtuar procesin e të nxënit nga fëmijët, në kontekstin e vendeve në zhvillim, si India, ku shansi i vetëm që një fëmijë të mësohet me kompjuterat është gjatë orëve të shkollës. Në shkollë, kompjuterat shpesh janë të përbashkët dhe fëmijët kanë kohë të kufizuar për të përdorur një të tillë vetëm për vete. GCompris-ja është i lehtë për t’u përdorur dhe intuitiv, ndaj është veçanërisht i dobishëm në këtë mjedis, ngaqë praktikisht nuk do kohë për ta kuptuar se si funksionon programi. Me GCompris-në fëmijët zhvillojnë shpejt aftësitë lëvizëse të domosdoshme për të përdorur një kompjuter.

Përfundime

GCompris-ja respekton liritë themelore të përdoruesve dhe kjo u lejon zhvilluesve dhe specialistëve të projektit Insight ta përshtatin software-in për nevojat e fëmijëve, duke krijuar veprimtari të reja, dhe duke propozuar përdorim novator të programit për të ndihmuar fëmijë me autizëm dhe prindërit e tyre. Ekipi i Insight-it është gjithashtu i lirë të shpërndajë kopje të versionit të ndryshuar për mësues dhe prindër, të cilët mund ta përdorin programin në shtëpi, pa kufizime. Versioni i ndryshuar e ka treguar veten efikas në përmirësimin e aspekteve shkollore dhe intelektuale të fëmijëve me probleme mendore.