Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Manifesti i GNU-së

Manifesti i GNU-së (që jepet më poshtë) u shkrua nga Richard Stallman më 1985-n, për të kërkuar përkrahje në zhvillimin e sistemit operativ GNU. Një pjesë e tekstit u mor prej njoftimit fillestar të 1983-shit. Gjatë 1987-s, u përditësua pakëz, për ta mbajtur në një hap me zhvillimet; që atëherë, duket se më e mira është të lihet i pandryshuar.

Që prej asaj kohe, kemi nxjerrë ca mësime mbi disa keqkuptime të rëndomta, të cilat, me ndihmën e një shprehjeje ndryshe, mund të shmangen. Poshtëshënimet e shtuara më 1993 ndihmojnë në kthjellimin e këtyre pikave.

Nëse dëshironi të instaloni sistemin GNU/Linux, ju këshillojmë të përdorni një nga shpërndarjet GNU/Linux 100% software i Lirë. Se si të jepni ndihmesë, shihni gnu.org/help.

Projekti GNU është pjesë e Lëvizjes për Software të Lirë, një fushatë mbi lirinë e përdoruesve të software-it. Është gabim të përshoqërohet GNU-ja me termin “burim i hapët”—ky term u sajua më 1998-n nga njerëz që s’pajtoheshin me vlerat etike të Lëvizjes për Software të Lirë. E përdorin për të promovuar një trajtim të pamoral të së njëjtës fushë.


Ç’është GNU-ja? Gnu-ja Nuk Është Unix!

GNU-ja, që është shkurtim për Gnu's Not Unix, është emri i një sistemi të plotë software-i, të ngjashëm me Unix, të cilin po e shkruaj që ta jap lirisht te cilido që mund ta përdorë [1]. Po më ndihmojnë disa vullnetarë të tjerë. Kontribute në kohë, para, programe dhe pajisje na janë shumë të nevojshme.

Deri sot kemi përpunuesin Emacs të teksteve me Lisp, për shkrim urdhrash për përpunuesin, një diagnostikues në nivel burimi, një gjenerator përtypjesh (“parser”) të përputhshëm me yacc-in, një “linker” dhe nja 35 mjete të dobishme (“utilities”). Thuajse është përfunduar një shell (interpretues urdhrash). Një përpilues C i ri, i bartshëm, optimizimesh, ka arritur të përpilojë veten dhe mund të hidhet në qarkullim këtë vit. Ekziston një kernel fillestar, por i duhen ende shumë karakteristika që të arrijë të imitojë Unix-in. Kur të jenë përfunduar kerneli dhe përpiluesi, do të jetë e mundur të shpërndahet një sistem GNU i përshtatshëm për zhvillim programesh. Do të përdorim TeX-in si formatues tekstesh, por po punohet për një nroff. Do të përdorim gjithashtu sistemin e lirë dhe të bartshëm X të dritareve. Pas kësaj do të shtojmë një Common Lisp të bartshëm, një lojë “Empire”, një fletëllogaritës dhe qindra gjëra të tjera, plus dokumentim internetor. Shpresojmë të furnizojmë, tek e fundit, gjithçka të dobishme që vjen normalisht me një sistem Unix dhe më tepër.

GNU-ja do të jetë në gjendje të xhirojë programe Unix, por s’do të jetë identik me Unix-in. Do të bëjmë krejt përmirësimet që ia vlejnë, bazuar në përvojën tonë me sisteme të tjera operative. Veçanërisht, kemi në plan të realizojmë emra më të gjatë kartelash, numra versioni kartelash, një sistem kartelash të pathyeshëm, ndoshta plotësim emrash kartelash, mbulim shfaqjeje të pavarur nga terminali dhe, ndoshta në fund, edhe sistem dritaresh me bazë Lisp, përmes të cilit disa programe Lisp dhe programe të zakonshëm Unix të ndajnë së bashku të njëjtin ekran. Do të mund të përdoren të dyja, si C, ashtu edhe Lisp, si gjuhë programimi sistemi. Për komunikime, do të provojmë të ofrojmë mbulim për protokollet UUCP, MIT Chaosnet dhe Internet.

GNU-ja synon fillimisht makinat e llojit 68000/16000 me kujtesë virtuale, ngaqë këto janë makinat më të thjeshta për ta bërë të xhirojë në to. Përpjekjet ekstra për ta bërë të xhirojë në makina më të vogla do t’u lihen atyre që duan ta përdorin në to.

Për të shmangur ngatërresa të tmerrshme, ju lutemi, shqiptojeni g-në te fjala ‘GNU’, kur është fjala për emrin e projektit.

Pse Duhet Ta Shkruaj GNU-në

Jam i mendimit se Rregulli i Artë kërkon që, nëse më pëlqen një program, ta ndaj atë me të tjerë persona që mund ta pëlqejnë. Shitësit e software-it duan t’i përçajnë përdoruesit dhe t’i mposhtin, duke e bërë çdo përdorues të pranojë se s’do të ndajë gjë me të tjerët. Nuk pranoj ta thyej solidaritetin me përdoruesit e tjerë në këtë mënyrë. Nuk mundem, me dëshirën time, të nënshkruaj një marrëveshje moszbulimi apo një marrëveshje licence software-i. Për vite të tëra u përpoqa brenda Laboratorit të Inteligjencës Artificiale t’u bëja qëndresë këtyre prirjeve dhe të tjerave të ngjashme, por në fund ato patën përparuar shumë: s’mund të rrija më në një institucion ku gjëra të tilla bëhen kundër vullnetit tim.

Ndaj që të mund të vazhdoj të përdor kompjuterat pa humbur në nder, kam vendosur të bëj tok një trupë të mjaftueshme software-i të lirë, që të mund të jem në gjendje të vazhdoj pa ia pasur nevojën ndonjë software-i që s’është i lirë. Kam dhënë dorëheqjen nga laboratori IA, që t’i heq MIT-it çfarëdo justifikimi ligjor për të më ndaluar ta jap GNU-në falas [2].

Pse GNU-ja Do Të Jetë i Përputhshëm me Unix-in

Unix-i s’është sistemi im ideal, por s’është dhe aq i keq. Veçoritë thelbësore të Unix-it duket se janë nga ato të mirat dhe mendoj se mund të plotësoj ato që i mungojnë Unix-it, pa cenuar të parat. Dhe një sistem i përputhshëm me Unix-in do të ishte i përshtatshëm për t’u birësuar nga mjaft të tjerë.

Si Do të Mund të Kihet GNU-ja

GNU-ja nuk është në përkatësi publike. Gjithkush do të mundë të ndryshojë dhe rishpërndajë GNU-në, por asnjë shpërndarës s’do të lejohet të kufizojë shpërndarjen e tij të mëtejshme. Ose, e thënë ndryshe, ndryshimet pronësore nuk do të lejohen. Dua të sigurohem që çdo version i GNU-së do të mbesë i lirë.

Pse Duan të Ndihmojnë Kaq Shumë Programues

Kam gjetur mjaft programues të tjerë që janë të ngazëllyer për GNU-në dhe duan të ndihmojnë.

Mjaft programues janë të pakënaqur me komercializimin e software-it të sistemit. Mund t’u sjellë më tepër para, por në përgjithësi u kërkon të ndihen në përplasje me të tjerë programues, se sa të ndihen si shokë. Akti themelor i miqësisë mes programuesve është shkëmbimi i programeve; ujditë e tregtimit të përdorura përgjithësisht tani, në thelb, ua ndalojnë programuesve ta trajtojnë tjetrin si shok. Blerësi i software-it duhet të zgjedhë mes miqësisë dhe bindjes ndaj ligjit. Natyrisht, shumë vetë e ndajnë mendjen që miqësia është më e rëndësishme. Por ata që besojnë në ligj, shpesh s’ndihen mirë me asnjë prej zgjedhjeve. Shndërrohen në cinikë dhe mendojnë se programimi është thjesht një rrugë për të bërë para.

Duke punuar për GNU-në dhe duke e përdorur atë në vend të programeve pronësore, mund të jemi mikpritës për këdo që i bindet ligjit. Për më tepër, GNU-ja shërben si një shembull frymëzues dhe flamur për mbledhjen rreth nesh të të tjerëve që duan të shkëmbejnë. Kjo mundet të na japë ndjenjën e harmonisë, e cila është e pamundur të vijë nga përdorimi i software-it që s’është i lirë. Për gati gjysmën e programuesve me të cilët bisedoj, kjo është ndjenjë e rëndësishme gëzimi që s’mund ta zëvendësojë paraja.

Si Mund të Jepni Ndihmesë

(Sot, për punë software-i me të cilat mund të merreni, shihni listën e Projekteve me Përparësi të Lartë dhe listën Kërkohet Ndihmë për GNU-në, lista e përgjithshme e punëve për paketat e software-it GNU. Për rrugë të tjera ndihmese, shihni udhërrëfyesin se si të ndihmoni për sistemin operativ GNU.)

U kërkoj prodhuesve të kompjuterave dhurime në formë makinash apo paraje. U kërkoj individëve të dhurojnë në formë programesh dhe pune.

Një pasojë që mund të prisni, nëse dhuroni makina, është që GNU-ja do të xhirojë në to më herët. Makinat duhet të jenë të plota, sisteme gati për përdorim, me miratim për përdorim në zona të banuara dhe që s’kanë nevojë për ftohje ose ushqim të sofistikuar.

Kam gjetur mjaft programues që mezi presin të japin kontribut me kohë të pjesshme te GNU-ja. Për shumicën e projekteve, një funksionim i tillë i shpërndarë, me kohë të pjesshme, do të ishte shumë i vështirë për t’u bashkërenduar; pjesët e shkruara në mënyrë të pavarur s’do të punonin dot bashkë. Por për rastin e veçantë të zëvendësimit të Unix-it, ky problem nuk qëndron. Një sistem i plotë Unix përmban qindra programe të dobishme, secili i dokumentuar veçmas. Shumica e parametrave për ndërfaqen janë të fiksuara nga standardet për përputhje me Unix-in. Nëse çdo kontribues mundet të shkruajë një zëvendësim të përputhshëm, për një nga mjetet e Unix-it dhe ta bëjë të punojë si duhet, në vend të origjinalit në një sistem Unix, atëherë këto mjete do të punojnë si duhet kur t’i bëjmë tok. Edhe duke lejuar një koeficient për Murphy-in, që të krijojë ndoca probleme të paparashikuara, mbledhja tok e këtyre përbërësve do të jetë punë që bëhet. (Kerneli do të kërkojë komunikim më nga afër dhe do të punohet nga një grup i vogël, i ngushtë.)

Nëse marr dhurime në para, mund të jem në gjendje të punësoj një dorë njerëzish me kohë të pjesshme ose të plotë. Rroga s’do të jetë e lartë, sipas standardeve të programuesve, por po kërkoj njerëz për të cilët formimi i frymës së bashkësisë është po aq i rëndësishëm sa edhe fitimi i parave. E shoh këtë si një rrugë për t’u mundësuar njerëzve të përkushtuar t’ua kushtojnë tërë energjitë punës me GNU-në, duke u kursyer atyre nevojën e fitimit të bukës së përditshme me mënyra të tjera.

Pse Do të Kenë Përfitim Tërë Përdoruesit

Pasi GNU-ja të jetë shkruar, gjithkush do të jetë në gjendje të ketë software sistemi të mirë dhe lirisht, njësoj si ajrin [3].

Kjo do të thotë shumë më tepër se sa kursimi për këdo i parave sa çmimi i një licence Unix-i. Do të thotë që do të shmangen shumë nga përpjekjet e çuara dëm për bërjen dy herë të programimit të sistemit. Këto përpjekje mund të përdoren më mirë për çuarjen përpara të gjendjes së tanishme të gjërave.

Burimin e plotë të sistemit do të mund ta ketë kushdo. Për pasojë, një përdorues që ka nevojë për ndryshime në sistem do të jetë përherë i lirë t’i bëjë vetë ato, ose të punësojë cilindo programues apo shoqëri të gatshme për t’ia bërë. Përdoruesit nuk do të jenë më në mëshirë të një programuesi apo një shoqërie që zotëron burimin dhe është e vetmja që mund të bëjë ndryshimet.

Shkollat, përmes nxitjes së tërë nxënësve ta studiojnë dhe ta përmirësojnë kodin e sistemit, do të jenë në gjendje të ofrojnë një mjedis shumë më tepër edukues. Laboratori i kompjuterave në Harvard kish dikur një rregull sipas të cilit s’instaloje dot një program në sistem, nëse kodi i tij nuk mund të shihej publikisht dhe i qëndroi, duke mos pranuar faktikisht instalimin e disa programeve. Kjo më ka frymëzuar jo pak.

Së fundi, dilema se cili është pronar i software-it të sistemit dhe se çfarë ka ose nuk ka të drejtë të bëjë me të, do të zhduket.

Ujditë për t’i bërë njerëzit të paguajnë përdorimin e një programi, përfshi lejimin e kopjeve, sjellin përherë një kosto të rëndë për shoqërinë, përmes mekanizmave kaba të nevojshëm për të nxjerrë se sa (domethënë, cilët programe) duhet të paguajë një person. Dhe vetëm një shtet policor mund të detyrojë gjithkënd t’i bindet atij. Mendoni një stacion hapësinor ku ajri duhet prodhuar me një kosto të madhe: të paguajë secili sipas litrash ajri mund të jetë e ndershme, por të mbash të veshur natë e ditë maskën me matës të ajrit është e padurueshme, edhe sikur gjithkush të kish mundësi të paguante llogarinë e ajrit. Dhe kamerat televizive të kudogjendura, për të parë se mos e hiqni ndonjëherë maskën, të çakërdisin nervat. Më mirë të mbështesësh një fabrikë ajri e një taksë për kokë dhe t’i hedhësh maskat në tokë.

Kopjimi i krejt programit, ose një pjese të tij, është po aq i natyrshëm për programuesin sa edhe frymëmarrja dhe po aq frytdhënës. Duhet të jetë i lirë.

Disa Kundërshtime ndaj Synimeve të GNU-së, Që Hidhen Poshtë Lehtë

“S’ka për ta përdorur kush, po qe se është i lirë, ngaqë kjo do të thotë se nuk mund të kenë shpresa për asistencë.”
“Duhet të zbatoni njëfarë çmimi për programin, që të mbuloni dhënie asistence.”

Nëse njerëzit më mirë do të paguanin për GNU-në plus shërbim, se sa të merrnin GNU-në falas pa shërbim, një shoqëri që do të ofronte thjesht shërbim për njerëzit që e kanë marrë falas GNUpnë, i bie të ishte me leverdi [4].

Duhet të bëjmë dallimin mes asistencës në trajtën e punës me programim të njëmendtë dhe asaj në trajtën thjesht të dorës mbi shpatulla. E para është diçka për të cilën nuk mund të mbështeteni te një shitës software-i. Nëse problemin tuaj s’e kanë edhe mjaft të tjerë, shitësi do t’ju thotë "Thyej qafën!".

Nëse biznesi juaj ka nevojë të mbështetet në asistencë, rruga e vetme është të zotërojë krejt burimet dhe mjetet e nevojshme. Mandej mund të punësoni cilindo person të përshtatshëm për të ndrequr problemin tuaj; kështu s’jeni në dorën e ndonjë individi. Me Unix-in, çmimi i burimeve e qit jashtë diskutimi këtë, për shumicën e bizneseve. Me GNU-në kjo do të jetë e lehtë. Ekziston prapë mundësia që të mos ketë dikë të zotin e të gatshëm, por ky problem nuk rrjedh nga ujditë e shpërndarjes. GNU-ja nuk zhduk krejt problemet e botës, vetëm disa prej tyre.

Ndërkohë, përdoruesit që s’dinë gjë mbi kompjuterat, kanë nevojë për një dorë: kryerjen për ta të ca gjërave që mund t’i bënin vetë lehtësisht, por që s’dinë se si.

Shërbime të tilla mund të ofrohen nga shoqëri që thjesht shesin shërbime asistence të thjeshtë dhe riparimi. Po qe se është e vërtetë që përdoruesit më mirë do të shpenzonin para dhe të kishin një produkt të shoqëruar me shërbim, i bie që do të donin të blinin shërbimin, meqë produktin e kanë falas. Shoqëritë e shërbimit do të ushtrojnë konkurrencën mes tyre për cilësinë dhe çmimet; përdoruesit nuk do të jenë të lidhur te një dikush i veçantë. Ndërkohë, ata prej nesh, që s’kanë nevojë për shërbimin, do të jenë në gjendje të përdorin programin pa u dashur të paguajnë për shërbimin.

“Pa reklamë s’mund të mbërrini te shumë njerëz dhe duhet të vini një çmim për programin, që ta bëni të mundur këtë”.
“S’ka vlerë reklama për një program që njerëzit mund ta marrin falas”.

Ka forma të ndryshme reklame falas, ose shumë të lirë, që mund të përdoreshin për të njoftuar përdorues kompjuterash mbi diçka si GNU-ja. Por mund të thuhej edhe se dikush mund të mbërrijë te më tepër përdorues mikrokompjuterash përmes reklamës. Nëse është vërtet kështu, një biznes që reklamon rreth shërbimit të kopjimit dhe dërgimit me postë të GNU-së, kundrejt një pagese, i bie të jetë aq i suksesshëm, sa të paguajë për reklamën e vet dhe më tepër. Në këtë mënyrë, vetëm përdoruesit që përfitojnë prej reklamës paguajnë për të.

Nga ana tjetër, nëse mjaft njerëz e marrin GNU-në nga miq të tyre dhe shoqëri të tilla s’kanë sukses, kjo do të tregonte që reklama s’do të qe vërtet e nevojshme për përhapjen e GNU-së. Pse mbrojtësit e tregut të lirë s’duan ta lënë tregun e lirë të vendosë këtu? [5]

“Shoqëria ime ka nevojë për një sistem operativ pronësor që të ketë një shans në konkurrencë”.

GNU-ja do ta heqë software-in e sistemeve operativë nga lëmi i konkurrencës. Nuk do të jeni në gjendje të keni një shans në këtë zonë, por as konkurrentët tuaj s’do të jenë në gjendje të kenë përparësi mbi ju. Ju dhe ata do të konkurroni në zona të tjera, ndërkohë që të dy palët do të përfitojnë nga e këtushmja. Nëse fusha e biznesit tuaj është shitja e një sistemi operativ, s’keni për ta dashur GNU-në, por për të keqen tuaj. Nëse biznesi juaj është diçka tjetër, GNU-ja mund t’ju shpëtojë të mos përfundoni në krahët e bizneseve të shtrenjta që merren me shitje sistemesh operativë.

Do të doja ta shihja zhvillimin e GNU-së të përkrahur përmes dhurimesh nga plot prodhues dhe përdorues, duke ulur kështu kostot për të dy palët [6].

“A nuk e meritojnë programuesit një shpërblim për krijimtarinë e tyre”?

Po qe se ka diçka që meriton shpërblim, është kontributi shoqëror. Krijimtaria mund të jetë kontribut shoqëror, por vetëm atëherë kur shoqëria është e lirë të përdorë përfundimet e saj. Nëse programuesit meritojnë të shpërblehen, kur krijojnë programe risore, sipas të njëjtit kut meritojnë të ndëshkohen, në rast se kufizojnë përdorimin e këtyre programeve.

“A s’do të duhej që një programues të ishte në gjendje të kërkonte një shpërblim për krijimtarinë e tij”?

S’ka asgjë të keqe të duash pagesë për punën, ose të kërkosh të shtosh të ardhurat, për sa kohë që dikush s’përdor mjete që janë shkatërruese. Por mjetet e zakonshme të fushës së software-it, sot janë të bazuara në shkatërrimin.

Të nxjerrësh para nga përdoruesit e një programi duke kufizuar përdorimin e tij është shkatërruese, ngaqë kufizimi zvogëlon shkallën dhe mënyrat sipas të cilave programi mund të përdoret. Kjo zvogëlon sasinë e pasurisë që njerëzimi përfton prej programit. Kur bëhet fjalë për një zgjedhje me dashje të kufizimit, pasojat e dëmshme janë shkatërrim me dashje.

Arsyeja pse një qytetar i mirë s’përdor rrugë të tilla shkatërruese për t’u bërë më i pasur është se, nëse këtë e bën gjithkush, ne të gjithë do të bëheshim më të varfër prej shkatërrimit të ndërsjellët. Kjo është etika kantiane; ose, Rregulli i Artë. Ngaqë s’më pëlqejnë pasojat që vijnë po qe se secili vë mënjanë informacion, më duhet ta shoh si rrugë të gabuar për ta ndjekur. Më troç, dëshira e dikujt për t’u shpërblyer për krijimtarinë, nuk përligj lënies e botës pa këtë krijimtari, ose pa një pjesë të saj.

“A s’do të vdesin urie programuesit”?

Mund të përgjigjesha se askush nuk është bërë programues me zor. Shumica jonë s’ia dalin dot të nxjerrin një dyshkë duke ndenjur në rrugë e duke përqeshur kalimtarët. Por s’jemi, për pasojë, të dënuar ta kalojmë jetën duke ndenjur në rrugë e përqeshur kalimtarët, duke ngordhur urie. Bëjmë diçka tjetër.

Por kjo është përgjigja e gabuar, ngaqë pranon pikënisjen e nënkuptuar të pyetësit: që pa pronësi software-i, programuesit nuk ka gjasa të paguhen ndonjë qindarkë. Pra, sikur të qe ose gjithçka, ose asgjë.

Arsyeja e vërtetë pse programuesit s’do të vdesin urie është se prapë do të jetë e mundur për ta të paguhen për programim; vetëm se jo kaq shumë sa tani.

Kufizimi i kopjimit nuk është baza e vetme për biznes me software-in. Është baza më e zakonshme [7], sepse sjell më shumë para. Po të qe e ndaluar, ose e papranuar nga klientët, biznesi i software-it do të kalonte mbi baza të tjera organizimi, të cilat tani përdoren më pak. Përherë ka shumë mënyra për organizimin e çfarëdo lloji biznesi.

Ka gjasa që programimi, mbi bazën e re, s’do të jetë kaq fitimprurës sa tani. Por ky s’është argument për të mos ndryshuar. S’quhet padrejtësi që nëpunësit e shitjeve marrin rrogat që marrin sot. Sikur të ndodhte kështu me programuesit, as këtu s’do të kishte padrejtësi. (Praktikisht, prapë do të fitonin shumë më tepër se aq.)

“A s’kanë njerëzit të drejtën të kontrollojnë se si përdoret krijimtaria e tyre”?

“Kontrolli mbi përdorimin e ideve të dikujt” përbën vërtet kontroll mbi jetën e të tjerëve; dhe zakonisht përdoret për t’ua bërë jetën më të vështirë.

Njerëzit që kanë studiuar me kujdes çështjen e të drejtave të pronësisë intelektuale [8] (juristët, fjala vjen) thonë se s’ka të drejta qenësore për pronësi intelektuale. Llojet e të drejtave të supozuara mbi pronësinë intelektuale që qeveria njeh, kanë qenë krijuar nga akte të veçanta ligjvënëse, për qëllime të veçanta.

Për shembull, sistemi i patentave u vendos për të nxitur shpikësit të nxjerrin në dritë të diellit hollësitë e shpikjeve të tyre. Qëllimi i tij ishte të ndihmohej shoqëria, më shumë se sa të ndihmoheshin shpikësit. Në atë kohë jetëgjatësia prej 17 vitesh për një patentë që e shkurtër, krahasuar me shkallën e përparimit të fushës përkatëse. Ngaqë patentat janë problem vetëm mes prodhuesve, për të cilët kostoja dhe përpjekjet për një marrëveshje licence janë pak gjë, krahasuar me bërjen gati për hedhje në prodhim, patentat shpesh s’bëjnë shumë dëm. S’u mbyllin rrugët shumicës së individëve që përdorin produkte të patentuar.

Ideja e të drejtave të kopjimit nuk ka ekzistuar në kohët e lashta, kur autorët rëndom kopjonin gjerë e gjatë autorë të tjerë në vepra jo letrare. Kjo praktikë qe e dobishme dhe është e vetmja mënyrë me të cilën mbijetuan veprat e shumë autorëve, qoftë edhe pjesërisht. Sistemi i të drejtave të kopjimit u krijua shprehimisht për qëllimin e nxitjes së autorësisë. Në fushën për të cilën u shpik—librat, të cilët ekonomikisht mund të kopjoheshin vetëm në shtypshkronja—bëri pak dëm dhe nuk u zuri rrugën shumicës së individëve që lexojnë libra.

Krejt të drejtat e pronësisë intelektuale janë thjesht licenca të akorduara nga shoqëria, sepse mendohej, me të drejtë ose gabimisht, që shoqëria si e tërë do të përfitonte nga akordimi i tyre. Por në cilëndo situatë të veçantë duhet të shtrojmë pyetjen: vërtet na del më mirë të akordojmë licencë të tillë? Ç’lloj veprimi po i lejojmë një personi të kryejë?

Rasti i programeve sot është shumë i ndryshëm nga ai i librave njëqind vjet më parë. Fakti që mënyra më e lehtë për kopjimin e një programi është nga një fqinj te tjetri, fakti që një program ka kod burim dhe kod objekt, të cilët janë të dallueshëm, si dhe fakti që një program përdoret dhe jo lexohet apo shijohet, ndërthuren për të krijuar një situatë në të cilën një person, i cili bën të detyrueshme një të drejtë kopjimi, e dëmton shoqërinë si të tërë, qoftë materialisht, qoftë shpirtërisht; një situatë në të cilën një person nuk duhej të bënte kështu, pavarësisht se e lejon a jo ligji.

“Konkurrenca i bën gjërat të bëhen më mirë”.

Thelbi i konkurrencës është gara: duke shpërblyer fituesin, nxisim këdo të rendë më shpejt. Kur kapitalizmi vërtet funksionon në këtë mënyrë, e bën mirë punën; por mbrojtësit e tij e kanë gabim që e marrin për të mirëqenë se funksionon përherë kështu. Nëse vrapuesit harrojnë se për çfarë po ofrohet shpërblimi dhe mendjen e kalojnë te fitorja, pak rëndësi ka se si, mund të gjejnë të tjera strategji—fjala vjen, duke sulmuar vrapuesit e tjerë. Po filluan vrapuesit të zihen me grushte, të tërë do të mbërrijnë vonë në finish.

Software-i pronësor dhe i fshehtë është njëvlerësi moral i vrapuesve në grushte e sipër. E trishtë të thuhet, por i vetmi arbitër që kemi, s’duket se është kundër sherreve; thjesht i sistemon ato (“Për çdo dhjetë metra vrap, mund të godisni një herë”). Në të vërtetë, ai duhej t’i ndante dhe të dënonte vrapuesit edhe nëse vetëm provonin të ziheshin.

“A nuk do të reshtë kushdo së programuari, pa një nxitje monetare”?

Në fakt, mjaft vetë do të programojnë pa as edhe një nxitje monetare. Programimi ushtron një tërheqje të papërballueshme për disa njerëz, zakonisht për ata që janë më të mirët në të. S’kanë të mbaruar muzikantët profesionistë që s’i ndahen muzikës, edhe pse nuk kanë shpresa se me të mund të fitojnë jetesën.

Por kjo pyetje, edhe pse e bërë shpesh, vërtet nuk është e përshtatshme për situatën. Paga për programuesit nuk do të zhduket, vetëm se do të pakësohet. Ndaj pyetja e duhur është, a do të programojë njeri me nxitje monetare më të ulët? Përvoja ime tregon se kjo do të ndodhë.

Për më tepër se dhjetë vjet, mjaft nga programuesit më të mirë të botës punuan në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale për shumë më pak para se sa mund të merrnin kudo gjetkë. Patën mjaft shpërblime jomonetare: famë dhe vlerësim, për shembull. Dhe fryma krijuese është zbavitëse, në vetvete shpërblim edhe ky.

Mandej shumica prej tyre ikën, kur iu dha një shans të bënin të njëjtën punë interesante për goxha para.

Ajo çka tregojnë faktet është se njerëzit do të programojnë për arsye të tjera tej pasurimit; por nëse u jepet mundësia të bëjnë edhe goxha para ndërkohë, do të mësohen ta presin këtë dhe ta kërkojnë. Entet ku paguhet pak, dalin dobët në konkurrencë me ato ku paguhet shumë, por s’ka arsye të dalin keq, nëse ato ku paguhet shumë nxirren jashtë loje.

“Programuesit na duhen se s’bën. Nëse ata kërkojnë që të reshtim së ndihmuari fqinjët tanë, duhet të bindemi”.

Nuk jeni kurrë kaq të pashpresë, sa t’ju duhet t’i bindeni kërkesës së këtij lloji. Mos harroni: miliona për mbrojtjen, por as edhe një dysh për detyrimin!

“Programuesit duhet të nxjerrin shpenzimet e jetesës në një farë mënyre”.

Parë në perspektivë afatshkurtër, kjo është e vërtetë. Megjithatë, ka plot mënyra me të cilat programuesit mund të fitonin të ardhurat për jetesën, pa u dashur të shesin të drejta përdorimi të një programi. Kjo mënyrë është e përhapur tani, ngaqë u sjell programuesve dhe biznesmenëve më shumë para, jo ngaqë është e vetmja mënyrë për të siguruar jetesën. Është e lehtë të gjenden mënyra të tjera nëse doni t’i gjeni ato. Ja një numër shembujsh.

Një prodhues që po krijon një kompjuter të ri, do të paguajë për kalimin e sistemeve operative në hardware-in e ri.

Programuesit mundet të punësoheshin gjithashtu në mësimdhënie, asistencë dhe shërbime të mirëmbajtjes me pagesë.

Njerëzit me ide të reja mund t’i shpërndanin programet si “freeware” [9], duke kërkuar dhurime nga përdorues të kënaqur, ose duke shitur shërbime asistence. Kam takuar persona që punojnë me sukses në këtë mënyrë.

Përdoruesit me nevoja të përafërta mund të krijojnë grupe përdoruesish dhe të paguajnë çfarë nevojitet. Një grup mund të lidhet me shoqëri programimi për shkrim programesh të cilat anëtarët e grupit do të donin t’i përdornin.

Me një Taksë Software-i mund të financoheshin krejt llojet e programimeve:

Le të hamendësojmë që gjithkush që blen një kompjuter të paguante x përqind të çmimit si një taksë për software-in. Qeveria ia jep këtë një agjencie si NSF për ta shpenzuar për zhvillim software-i.

Por nëse blerësi i kompjuterit bën vetë një dhurim për zhvillim software-i, mund t’i jepet një lehtësim te taksa. Mund ta bëjë dhurimin te projekti që dëshiron—zgjedhur, shpesh, ngaqë shpreson të përdorë përfundimet, kur të mbarojë zhvillimi. Mund të lehtësohet me çfarëdo sasie, deri në shumën gjithsej që i duhej të paguante për taksën.

Përqindja gjithsej e taksës do të duhej të vendosej përmes votës së paguesve të taksës, peshuar në përputhje me sasinë mbi të cilën do të vendoset taksa.

Pasojat:

  • Bashkësia e përdorimit të kompjuterave mbështet zhvillimin e software-it.
  • Kjo bashkësi vendos se çfarë shkalle mbështetje lypset.
  • Përdoruesve që u intereson se në cilët projekte shpenzohet paraja e tyre, mund ta zgjedhin vetë këtë.

Parë në perspektivë, t’i bësh programet të lirë është një hap më tej drejt botës post-skarcitet, në të cilën askujt s’do t’i duhet të punojë shumë, vetëm sa për të siguruar jetesën. Njerëzit do të jenë të lirë t’i kushtohen veprimtarive që janë zbavitëse, të tilla si programimi, pasi të harxhojnë dhjetë orët e nevojshme në javë në punë të domosdoshme si ligjvënie, këshillim familjesh, riparim robotësh dhe eksplorim asteroidesh. S’do të ketë nevojë të jesh në gjendje të sigurosh jetesën nga programimi.

Ne tashmë e kemi zvogëluar fort vëllimin e punës që do t’i duhej të kryente shoqërisë, si e tërë, për prodhimtarinë e saj të tanishme, por vetëm pak nga kjo është pasqyruar si lehtësim për punonjësit, ngaqë veprimtarinë prodhuese e shoqëron shumë veprimtari joprodhuese. Shkaqet kryesore të kësaj janë burokracia dhe betejat e paprera kundër konkurrencës. Software-i i lirë do t’i zvogëlojë mjaft këto rrjedhje në fushën e prodhimit të software-it. Duhet ta bëjmë këtë, me qëllim që përfitimet teknike në prodhimtari të pasqyrohen si më pak punë për ne.

Poshtëshënime

  1. Shprehja këtu qe e pakujdesshme. Ideja qe që askujt s’do t’i duhej të paguante për leje për të përdorur sistemin GNU. Por fjalët nuk e bëjnë të qartë këtë dhe njerëzit shpesh e interpretojnë si të thuhej që kopjet e GNU-së do të duhej të shpërndaheshin përherë ose pa pagesë, ose me shumë pak. Ky s’ka qenë kurrë mendimi ynë; më poshtë, manifesti përmend mundësinë e ekzistencës së shoqërive që ofrojnë, për fitim, shërbimin e shpërndarjes. Më pas mësova të bëj me kujdes dallimin mes “të lirës” në kuptimin e lirisë dhe “të lirës” në kuptimin e çmimit. Software i lirë është software-i të cilin përdoruesit janë të lirë ta shpërndajnë dhe ndryshojnë. Disa përdorues mund të marrin kopje të tij pa pagesë, ndërkohë që të tjerë paguajnë për të pasur kopjet—dhe nëse fondet ndihmojnë për mbështetjen e përmirësimeve të software-it, aq më mirë. E rëndësishme është që gjithkush që ka një kopje, është i lirë të bashkëpunojë me të tjerët gjatë përdorimit të saj.
  2. Shprehja “jap” është një tjetër tregues që ende s’e kisha ndarë qartë çështjen e çmimit nga ajo e lirisë. Tani ne këshillojmë të shmanget kjo shprehje, kur flitet për software të lirë. Për më tepër shpjegime, shihni Fjalë dhe Fjali Që të Ngatërrojnë.
  3. Ky është një vend tjetër ku s’arrita të bëj me kujdes dallimin mes dy domethënieve të ndryshme të “së lirës”. Pohimi, ashtu si është, s’është i rremë—mund të merrni kopje të software-it GNU pa pagesë, prej miqve apo nga rrjeti. Por ta shpie mendjen te ideja e gabuar.
  4. Ekzistojnë disa shoqëri të tilla.
  5. Free Software Foundation për 10 vjet e grumbulloi shumicën e fondeve të veta nga shërbimi i vet i shpërndarjeve, edhe pse është më tepër një bamirësi, se sa një shoqëri. Që të përkrahni veprën e tij, mund të porosisni gjëra prej FSF-së.
  6. Një grup shoqërish kompjuteri mblodhën fonde diku aty nga 1991 në mbështetje të mirëmbajtjes së përpiluesit GNU C Compiler.
  7. Mendoj se e pata gabim kur thosha se software-i pronësor qe rruga më e rëndomtë për të bërë para nga software-et. Duket në fakt se modeli më i rëndomtë i biznesit qe dhe mbetet hartimi i software-it të përshtatur. Kjo s’ofron mundësi vjeljeje rente, kështu që biznesit i duhet të bëjë punë të njëmendtë që të ketë të ardhura. Biznesi i software-it të përshtatur do të vazhdojë të ekzistojë, pak a shumë i pandryshuar, në botën e software-it të lirë. Kështu që, nuk pres që programuesit më të paguar të fitojnë më pak në botën e software-it të lirë.
  8. Gjatë viteve ’80 s’e pata kuptuar se sa ngatërruese qe të flitej mbi “çështjen” e “pronësisë intelektuale”. Ky term është pa dyshim i paragjykuar; gjë më e imët është fakti që ai mbledh në një thes ligje krejt të ndryshëm njëri nga tjetri, që merren me çështje fare të ndryshme. Sot i ftoj me forcë njerëzit ta hedhin tej termin “pronësi intelektuale” krejtësisht; më e pakta që bën është se i shpie të tjerët të hamendësojnë që këto ligje formojnë një bllok koherent. Rruga për të qenë të kthjellët është të diskutohet veçmas për patenta, të drejta kopjimi, apo shenja tregtare. Shihni shpjegimin e mëtejshëm se si ky term përhap ngatërresë dhe njëanshmëri.
  9. Më vonë mësuam të bëjmë dallimin mes “software-it të lirë” dhe “freeware”-it. Termi “freeware” do të thotë software që jeni i lirë ta rishpërndani, por zakonisht nuk jeni i lirë ta studioni dhe ndryshoni kodin burim, ndaj shumica e tyre nuk janë software i lirë. Për më tepër shpjegime, shihni “ Fjalë dhe Togfjalësha Ngatërrues”.