Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Sqarim Pse Përqafojmë Sisteme të Tjera

This page is maintained by the Free Software Foundation's Licensing and Compliance Lab. You can support our efforts by making a donation to the FSF. Have a question not answered here? Check out some of our other licensing resources or contact the Compliance Lab at licensing@fsf.org.

Shpesh na pyesin pse nuk përqafojmë një sistem të caktuar—zakonisht një shpërndarje popullore GNU/Linux. Përgjigja e shkurtër për atë pyetje është se ata nuk ndjekin udhëzimet për shpërndarje sistem i lirë. Por ngaqë jo gjithmonë është e qartë se ku dështon një sistem i caktuar në ndjekjen e udhëzimeve, kjo listë jep më tepër informacion rreth problemeve të disa prej shpërndarjeve të mirënjohura sistem jo i lirë.

Për të mësuar më tepër rre sistemesh GNU/Linux që përqafojmë, shihni listën tonë të shpërndarjeve GNU/Linux të lira.

Hiq atje ku shënohet ndryshe, krejt shpërndarjet e treguara në këtë faqe dështojnë në plotësimin e udhëzimeve në të paktën dy rrugë të rëndësishme:

Ja një listë e disa shpërndarjeve GNU/Linux popullore jo të lira, renditur alfabetikisht, me shënime të shkurtra se pse s’plotësojnë udhëzimet. Nuk synojmë për të qenë shterues; sapo dimë disa arsye për të mos e përqafuar një shpërndarje të caktuar, nuk vazhdojmë të gjejmë krejt arsyet.

Një shpërndarje mund të ketë ndryshuar që nga hera e fundit që përditësuam informacionin mbi të; nëse mendoni se një nga problemet e përmendura këtu është ndrequr, ju lutemi, na e bëni të ditur. Sido qoftë, një shpërndarje do ta studiojmë dhe përqafojmë vetëm nëse kjo na kërkohet prej zhvilluesve të saj.

Arch GNU/Linux

Arch s’ka rregull kundër shpërndarjes së software-it jo të lirë përmes kanaleve të veta normale, dhe me kernelin e tij, Linux, shpërndan copëza jo të lira.

Canaima

Canaima GNU/Linux është një shpërndarje e krijuar nga qeveria e Venezuelës për të shpërndarë kompjutera me GNU/Linux. Teksa plani në përgjithësi është për t’u admiruar, Canaima është me cene, për shkak të përfshirjes së software-it jo të lirë.

Menuja e saj kryesore ka një mundësi, “Instaloni software jo të lirë”, me të cilën instalohen krejt përudhësit jo të lirë (madje edhe ata që s’janë të nevojshëm). Shpërndarja jep gjithashtu copëza të kernelit, Linux, dhe bën ftesë për instalim aplikacionesh jo të lirë, përfshi Flash Player.

CentOS

S’jemi në dije për probleme te CentOS-i, hiq dy të zakonshmit: s’ka rregull të qartë se çfarë software-i mund të përfshihet në të, dhe dhënien e copëzave jo të lira me Linux-in, kernelin. Kuptohet, pa një rregull të fortë në fuqi, mund të ketë tjetër software jo të lirë të përfshirë, që mund të mos e kemi parë.

Debian GNU/Linux

Në Kontratën Shoqërore të Debian-it deklarohet synimi i bërjes së Debian-it tërësisht software të lirë, dhe Debian-i me ndërgjegje e mban software-in jo të lirë jashtë sistemit zyrtar Debian. Megjithatë, Debian-i mban gjithashtu një depo software-i jo të lirë. Sipas projektit, ky software “s’është pjesë e sistemit Debian,” por depoja strehohet në mjaft nga shërbyesit kryesorë të projektit, dhe njerëzit mund t’i gjejnë kollaj këto paketa jo të lira duke shfletuar bazën e të dhënave të paketave Debian dhe wiki-n e tij.

Ka gjithashtu një depo “contrib”; paketat e saj janë të lira, por disa prej tyre ekzistojnë për të ngarkuar programe pronësorë të shpërndarë veçmas. Edhe kjo s’është tërësisht e ndarë nga shpërndarja kryesore Debian.

Debian-i është e vetmja nga shpërndarjet e rëndomta jo të përqafuara prej nesh që copëzat jo të lira i mban jashtë kanaleve kryesorë të shpërndarjes. Megjithatë, problemi pjesërisht mbetet. Kartelat e firmware-it jo të lirë jetojnë në depon jo të lirë të Debian-it, e cila referohet te dokumentimi në debian.org, dhe instaluesi në disa raste rekomandon të tillë për pajisje periferike te makina.

Veç kësaj, disa programe të lira që janë pjesë zyrtare e Debian-it e ftojnë përdoruesin të instalojë disa programe jo të lira. Më hollësisht, versionet Debian të Firefox-it dhe Chromium-it sugjerojnë shtojca jo të lira për instalim në to.

Faqja wiki e Debian-it përfshin gjithashtu faqe mbi instalim firmware-i jo të lirë.

Fedora

Fedora ka një rregull të qartë mbi se çfarë mund të përfshihet te shpërndarja, dhe duket se ky ndiqet me kujdes. Rregulli kërkon që shumica e software-it dhe krejt shkronjat të jenë të passhme nën një licencë të lirë, por bën një përjashtim për disa lloje firmware-i jo të lirë. Mjerisht, vendimi për të lejuar atë lloj firmware-i te rregulli e mban Fedora-n jashtë plotësimit të kuadrit për shpërndarje sistemi të lirë.

Gentoo GNU/Linux

Gentoo përfshin receta instalimi për një numër programesh jo të lirë te sistemi i tij parësor i paketave.

Mandriva GNU/Linux

Mandriva ka një rregull të deklaruar rreth se ç’mund të përfshihet në sistemin e vet kryesor. Ky bazohet në atë të Fedora-s, që do të thotë se edhe ky lejon të përfshihen disa lloje firmware-i jo të lirë. Dhe përsipër kësaj, lejon të përfshihet software i hedhur në qarkullim nën licencën origjinale Artistic License, edhe pse kjo s’është një licencë e lirë.

Mandriva shpërndan gjithashtu software jo të lirë përmes deposh enkas.

Manjaro GNU/Linux

Manjaro përfshin software jo të lirë përmes kanaleve të tij normalë, dhe shpërndan përmes kernelit të vet Linux pjesë jo të lira, Linux. Përfshin një suitë pronësore zyrash dhe lojëra pronësore me DRM. Shpërndarja rekomandon gjithashtu instalimin e përudhësve jo të lirë.

Mint GNU/Linux

Mint-i s’ka ndonjë rregull kundër përfshirjes së software-it jo të lirë, përfshin pjesë dyore jo të lira te përudhës të paketuar me kernelin, dhe përfshin në depot e veta programe jo të lira. Përfshin madje edhe kodekë pronësorë.

openSUSE

openSUSE ofron një depo software-i jo të lirë. Ky është një rast se si “i hapur” është më i dobët se sa “i lirë”.

Red Hat GNU/Linux

Shpërndarja Enterprise e Red Hat-it ndjek kryesisht të njëjtat rregulla licencimi si Fedora, me një përjashtim. Ndaj, nuk e marrim përsipër, për të njëjtat arsye. Veç këtyre, Red Hat-i s’ka ndonjë rregull kundër bërjes së passhëm të software-it jo të lirë për sistemin përmes kanalesh shtesë shpërndarjeje.

Slackware

Slackware-i ka dy problemet e zakonshme: s’ka rregull të qartë rreth se çfarë software-i mund të përfshihet, dhe ka të pranishme pjesë jo të lira në Linux, kerneli. Veç kësaj, jepet me programin jo të lirë për parje figurash, xv. Sigurisht, pa rregull të fortë kundër tyre, në çfarëdo kohe mund të hyjnë edhe programe të tjerë jo të lirë. Ka një listë jozyrtare të software-it jo të lirë në Slackware.

SteamOS

SteamOS, një version i GNU/Linux-it që do të shpërndahet nga Valve. Përmban software pronësor, përfshi klientin për platformën Steam dhe përudhës pronësorë. Steam përdor Administrim Dixhital Kufizimesh (DRM) për të imponuar kufizime te software-i që shpërndan, si edhe te software-i pronësor që promovon përmes shitores Steam.

SUSE GNU/Linux Enterprise

Si shtesë ndaj dy problemeve të zakonshme, nga sajti zyrtar FTP i SUSE-s mund të shkarkohen disa programe software jo të lirë.

Tails

Tails përdor versionin versionin bazë të Linux-it, i cili përmban copëza firmware-i jo të lirë.

Ubuntu GNU/Linux

Ubuntu administron depo specifike software-i jo të lirë, dhe Canonical-i promovon dhe rekomandon shprehimisht software jo të lirë nën emrin Ubuntu në disa prej kanaleve të tyre të shpërndarjes. Ubuntu ofron mundësinë e instalimit vetëm të paketave të lira, që do të thotë se ofron edhe mundësinë edhe të instalimit të paketave jo të lira. Për më tepër, versioni i Linux-it, kernelit, i përfshirë në Ubuntu përmban pjesë firmware.

“Ubuntu Software Center” radhit programe pronësorë dhe programe të lira përzierë tok. Është e vështirë të thuhet se cilët janë të lirë, ngaqë programe pronësorë për shkarkim pa pagesë etiketohen si “free”.

Ubuntu duket se lejon rishpërndarje komerciale kopjesh ekzakte me shenja tregtare; heqja e shenjave tregtare është e domosdoshme vetëm për versione të ndryshuar. Kjo është politikë e pranueshme për shenja tregtare. Në të njëjtën faqe, ca më poshtë, bëhet një pohim i vagët dhe ogurzi rreth “patentash Ubuntu,” pa dhënë hollësi të mjaftueshme për të treguar se përbën apo jo një agresion.

Ajo faqe përhap konfuzion duke përdorur termin e shtrembër “të drejta pronësie intelektuale”, çka pandeh në mënyrë të rreme se ligjet e shenjave tregtare dhe ligjet e patentave dhe disa ligje të tjera janë pjesë e një kuadri të vetëm konceptual. Përdorimi i këtij termi është i dëmshëm, pa asnjë përjashtim, ndaj pasi i referohemi përdorimit të termit nga dikush tjetër, duhet gjithmonë ta hedhim poshtë. Por, ky s’është problem thelbësor rreth Ubuntu-së si një shpërndarje GNU/Linux.

Disa Shpërndarje të Tjera

Këtu do të diskutojmë mbi disa shpërndarje të mirënjohura ose me peshë sistemesh jo-GNU/Linux që nuk kualifikohen si të lira.

Android

Android, ashtu siç hidhet në qarkullim nga Google, përmban mjaft pjesë jo të lira, ashtu si edhe mjaft pjesë të lira. Shumica e pjesëve të lira mbulohen nga një licencë pushover (jo copyleft), kështu që, prodhuesit që shpërndajnë Android-in në një produkt, ndonjëherë i bëjnë edhe këto pjesë jo të lira.

Sisteme BSD

FreeBSD, NetBSD, dhe OpenBSD, të të treja, përfshijnë udhëzime se si të merren programe jo të lirë në sistemet përkatës port. Veç kësaj, kernelat e tyre përfshijnë pjesë firmware.

Programet firmware jo të lira të përdorura me Linux-in, kernelin, quhen “blobs”, dhe me këtë kuptim e përdorim termin. Në zhargonin BSD, termi “blob” do të thotë diçka tjetër: një përudhës jo të lirë. OpenBSD dhe ndoshta edhe shpërndarje të tjera BSD (të quajtura “projekte” nga zhvilluesit e BSD-së) e kanë si rregull mospërfshirjen e tyre. Ky është rregulli i duhur, për sa i takon përudhësve; por kur zhvilluesit thonë se këto shpërndarje “s’përmbajnë blobs”, shkaktohet moskuptim. Nuk e kanë fjalën për blobs firmware-i.

Asnjë prej këtyre shpërndarjeve BSD s’ka rregulla kundër firmware-i pronësor në formë dyorësh që mund të ngarkohet madje edhe nga përudhës të lirë.

Chrome OS

Pjesa qendrore e Chrome OS-it është shfletuesi jo i lirë Chrome. Mund të përmbajë edhe software jo të lirë tjetër.

/e/

/e/ (ish eelo) është një version i ndryshuar i Android-it, që përmban librari jo të lira.

Haiku

Haiku përfshin ca software të cilin s’ju lejohet ta ndryshoni. Përmban gjithashtu copëza firmware jo të lira.

LineageOS

LineageOS (ish CyanogenMod) është një version i ndryshuar i Android-it, i cili përmban librari jo të lira. Në të shpjegohet gjithashtu si të instalohen aplikacionet jo të lira që Google shpërndan me Android-in.

ReactOS

ReactOS është menduar si një zëvendësim i lirë dyor për Windows-in. Përdorimi me software dhe përudhës pronësorë të menduar për Windows-in është një nga synimet e deklaruara të projektit.

Gati për këtë faqe:

[en] English   [ar] العربية   [de] Deutsch   [es] español   [fr] français   [hr] hrvatski   [it] italiano   [ja] 日本語   [lt] lietuvių   [nl] Nederlands   [pl] polski   [pt-br] português   [ro] română   [ru] русский   [sq] Shqip   [tr] Türkçe   [uk] українська   [zh-cn] 简体中文   [zh-tw] 繁體中文  

 [Logo FSF-je]  “The Free Software Foundation (FSF) është një ent jofitimprurës me një mision mbarëbotëror: promovimin e lirisë së përdoruesit të kompjuterit. Ne mbrojmë të drejtat e krejt përdoruesve të software-it.”