Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Opinioni i FSF-së mbi licencën Apple Public Source License (APSL) 2.0

Apple Public Source License (APSL) version 2.0 kualifikohet si një licencë software-i të lirë. Juristët e Apple-it punuan me FSF-në për të prodhuar një licencë që do të kualifikohej si e tillë. Problemet e përshkruar më herët në këtë faqe janë ende probleme potenciale për licenca të tjera të mundshme, por s’kanë më vend për versionin 2.0 të APSL-së. E nxisim këdo që përdor çfarëdo versioni Apple Software nën APSL të përdorë kushtet e versionit 2.0, në vend të atyre të cilësdo licencë më të hershme.

Në versionin 2.0 të APSL-së, përkufizimi i “ Zhvilluar Së Jashtmi” është ngushtuar në një mënyrë që është e përshtatshme për respektimin e lirive të përdoruesit. Ka qenë përherë pozicioni i FSF-së se liria e Software-it të Lirë është pikësëpari për përdoruesit e atij software-i. Teknologjitë, bie fjala aplikacionet web, po ndryshojnë mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me software-in. APSL 2.0, ashtu si GNU Affero GPL, përpiqet të mbrojë lirinë e atyre që përdorin software përmes këtyre mënyrave të reja, pa penguar në mënyrë të tepruar privatësinë e përdoruesve dhe as lirinë e përdorimit të software-it.

FSF-ja tanimë e konsideron APSL-në se është një licencë software-i të lirë me dy probleme praktike të mëdha, që të kujtojnë NPL-në:

  • S’është vërtet copyleft, ngaqë lejon lidhje me kartela të tjera që mund të jenë tërësisht pronësore.
  • S’është në pajtim me GPL-në.

Për këtë arsye, rekomandojmë që të mos hidhni në qarkullim software duke përdorur këtë licencë; por s’ka problem të përdoret dhe përmirësohet software që persona të tjerë e hedhin në qarkullim sipas kësaj licence.

Përveç kësaj, duhet të mos harrojmë se vetëm një pjesë e Mac OS X-it po hidhet në qarkullim sipas APSL-së. Edhe sikur të metat fatale të APSL-së të ndreqeshin dhe edhe sikur të zgjidheshin problemet praktike, kjo nuk sjell të mirë për pjesët e tjera të Mac OS X-it, kodi burim i të cilave nuk hidhet faqe në qarkullim. S’duhet të gjykojmë krejt shoqërinë sipas një pjese të asaj që bën.

GNU-Darwin është një ndërthurje e GNU-së dhe Darwin-it që supozohet se përfshin vetëm software të lirë.