Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Ç’është Software-i i Lirë?

“Software i lirë” do të thotë software që respekton lirinë e përdoruesve dhe bashkësinë. Afërsisht, do të thotë se përdoruesit gëzojnë lirinë ta xhirojnë, kopjojnë, shpërndajnë, studiojnë, ndryshojnë dhe përmirësojnë software-in. Ndaj, “software-i i lirë” është punë lirie, jo çmimi. Që të kuptoni konceptin, duhet ta mendoni “i lirë” si tek “fjala e lirë”, jo si te “birra falas”. Ndonjëherë e quajmë “libre software”, duke huazuar fjalën frënge, ose spanjolle për “i lirë” si te liria, për të treguar se nuk nënkuptojmë se është falas.

Mund të keni paguar para për të pasur kopje të software-it të lirë, ose mund t’i keni marrë kopjet falas. Por pavarësisht se si i siguruat kopjet tuaja, gëzoni përherë lirinë për ta kopjuar dhe ndryshuar software-in, madje edhe për të shitur kopje të tij.

Ne i mbrojmë këto liri sepse i meriton çdokush. Me këto liri, përdoruesit (individualisht dhe kolektivisht) e kontrollojnë programin dhe ato që ky bën për ta. Kur përdoruesit nuk e kontrollojnë programin, e quajmë program “jo të lirë” ose “pronësor”. Programi jo i lirë e ka vetë kontrollin mbi përdoruesit dhe programuesit kontrollojnë programin; kjo e bën programin instrument pushteti të padrejtë mbi tjetrin.

“Burimi i hapët” është diçka e ndryshme: ka një filozofi shumë të ndryshme të bazuar në vlera të tjera. Edhe përkufizimi praktik i tij është i ndryshëm, por thuajse krejt programet me burim të hapët janë në fakt të lirë. Dallimin e shpjegojmë te Pse “Burimi i Hapët” Nuk e Rrok Thelbin e Software-it të Lirë.

Përkufizimi i Software-it të Lirë

Përkufizimi i software-it të lirë përfaqëson kriterin nëse një program software i caktuar duhet konsideruar software i lirë. Kohë pas kohe, ne e rishikojmë këtë përkufizim, për ta qartësuar ose për të zgjidhur pyetje dhe probleme të holla. Për një listë të ndryshimeve që prekin përkufizimin e software-it të lirë, shihni ndarjen Historik më poshtë.

Katër liritë thelbësore

Një program është software i lirë nëse përdoruesit e programit gëzojnë mbi të katër liritë thelbësore: [1]

  • Liria për ta xhiruar programin si të doni, për çfarëdo qëllimi (liria 0).
  • Lirinë për të studiuar se si funksionon programi dhe për ta ndryshuar, që kështu të punojë si doni ju (liria 1). Hyrja në kodin burim është parakusht për këtë.
  • Lirinë për të rishpërndarë kopje, që kështu të mund t’i vini në ndihmë të tjerëve (liria 2).
  • Liria për t’u shpërndarë të tjerëve kopje të versioneve tuaja të ndryshuara (liria 3). Duke bërë kështu, mund t’i jepni bashkësisë një shans të përfitojë nga ndryshimet tuaja. Hyrja në kodin burim është parakusht për këtë.

Një program është software i lirë nëse u jep përdoruesve në mënyrë të mjaftueshme krejt këto liri. Përndryshe është jo i lirë. Teksa mund të dallojmë skema të ndryshme shpërndarjeje jo të lirë lidhur me sa thellë s’janë të lira, i konsiderojmë të tëra njësoj jo etike.

Në çfarëdo skenari të dhënë, këto liri duhet të zbatohen mbi çfarëdo kodi që kemi në plan të përdorim, ose bëjmë të tjerët të përdorin. Për shembull, le të marrim një program A i cili nis automatikisht një program B që të bëjë disa gjëra. Nëse kemi në plan ta shpërndajmë A-në siç është, kjo nënkupton që përdoruesve do t’u duhet B-ja, kështu që na duhet të gjykojmë nëse që të dy, A-ja dhe B-ja janë të lirë. Por nëse kemi në plan ta ndryshojmë A-në që të mos e përdorë B-në, vetëm A-ja na duhet i lirë; mund ta shpërfillim B-në.

Software-i i lirë mund të jetë komercial

“Software i lirë” s’do të thotë “jokomercial”. E kundërta, një program i lirë duhet të jetë e mundur të përdoret si komercial, për zhvillim komercial dhe shpërndarje komerciale. Ky rregull është i një rëndësie themelore—pa të, software-i i lirë s’do të mund të arrinte synimet e veta.

Duam të ftojmë këdo të përdorë sistemin GNU, përfshi bizneset dhe punonjësit e tyre. Kjo kërkon doemos përdorim komercial. Shpresojmë që programe të lira zëvendësuese do të zënë vendin e programe të ngjashëm pronësorë, por këtë s’mund ta bëjnë po qe se bizneseve u ndalohet t’i përdorin. Dëshirojmë që produkte komerciale që përmbajnë software të tillë të përfshijnë sistemin GNU dhe kjo do të përbënte shpërndarje komerciale kundrejt një çmimi. Zhvillimi komercial i software-it të lirë s’është më gjë e pazakontë; software komercial i tillë është shumë i rëndësishëm. Asistenca profesionale, me pagesë për software-in e lirë përmbush një nevojë të rëndësishme.

Ndaj, të përjashtosh përdorimin komercial, zhvillimin komercial ose shpërndarjen komerciale do të sakatonte bashkësinë e software-it të lirë dhe do të bllokonte rrugën e tij drejt suksesit. Duhet të themi se një program i licencuar me kufizime të tilla nuk kualifikohet si software i lirë.

Një program i lirë duhet të ofrojë katër liritë për cilindo përdorues që merr një kopje të software-it, duke pranuar se përdoruesi deri në atë pikë është në pajtim me kushtet e licencës së lirë që mbulon software-in në çfarëdo shpërndarje të mëparshme të tij. Vendosja e disa lirive nën kufizim për disa përdorues, ose kërkesa që përdoruesit të paguajnë, në para ose të ngjashme, për t’i ushtruar ato, është thuajse njësoj me mos-akordimin e lirive në fjalë dhe duke e bërë kështu programin jo të lirë.

Qartësim i Vijës Ndarëse Mes të Lirit dhe Jo të Lirit

Në pjesën e mbetur të këtij artikulli shpjegojmë më saktësisht se deri ku lypset të shtrihen liritë e ndryshme, lidhur me probleme të ndryshme, që një program të jetë i lirë.

Lirinë për ta xhiruar programin si të doni

Liria për të xhiruar programin nënkupton lirinë për çfarëdo lloj personi apo organizmi ta përdorë në çfarëdo sistemi kompjuteri, për çfarëdo pune apo qëllimi në përgjithësi, pa iu dashur të komunikojë për këtë me zhvilluesin apo çfarëdo njësie tjetër të veçantë. Në këtë liri, ajo që ka vlerë është qëllimi i përdoruesit, jo ai i zhvilluesit; ju si përdorues jeni të lirë ta xhironi programin për qëllimet tuaja dhe nëse ia shpërndani dikujt tjetër, ai është mandej i lirë ta përdorë për qëllimet e veta, por ju s’keni ndonjë tagër të impononi qëllimet tuaja mbi të.

Liria për ta xhiruar programin si të doni, do të thotë që s’është e ndaluar, as mund t’ju ndalë kush të bëni kështu. S’ka të bëjë fare me funksionet që ka programi, nëse është apo jo teknikisht i aftë të funksionojë në çfarëdo mjedisi të dhënë, apo nëse është apo jo i dobishëm për atë që doni të bëni.

Për shembull, nëse kodi hedh tej arbitrarisht disa input-e të kuptimtë—ose madje dështon, sido qoftë—kjo mund ta bëjë programin më pak të dobishëm, ndoshta madje tërësisht të pavlerë, por nuk u mohon përdoruesve lirinë ta xhirojnë programin, ndaj nuk bie ndesh me lirinë 0. Nëse programi është i lirë, përdoruesit mund ta përballojnë humbjen e dobishmërisë, ngaqë liritë 1 dhe 3 u lejojnë përdoruesve dhe bashkësive të krijojnë dhe shpërndajnë versione të ndryshuara pa kod arbitrar ndotës.

“Sipas dëshirës” përfshin, si mundësi, “aspak”-un, nëse kjo është ajo që dëshironi. Ndaj s’ka nevojë për një “liri për të mos e xhiruar një program” më vete.

Lirinë për të studiuar kodin burim dhe për të bërë ndryshime

Që liritë 1 dhe 3 (liria për të bërë ndryshime dhe liria për të botuar versionet e ndryshuara) të kenë kuptim, duhet të keni hyrje te kodi burim i programit. Ndaj, hyrja në kodin burim është kusht i domosdoshëm për software-in e lirë. “Kodi burim” i errësuar s’është kod burim i njëmendtë dhe nuk vlen si kod burim.

Kodi burim përcaktohet si forma e parapëlqyer e programit për bërje ndryshimesh në të. Ndaj, çfarëdo forme që një zhvillues ndryshon për të zhvilluar programin është kodi burim i versionit të atij zhvilluesi.

Liria 1 përfshin lirinë për ta përdorur versionin tuaj të ndryshuar në vend të origjinalit. Nëse programi shpërndahet si pjesë e një produkti të konceptuar të xhirojë versione të ndryshuar të dikujt tjetër, por nuk pranon të xhirojë tuajt — praktikë e njohur si “tivoizim” ose “kyçje”, ose (sipas terminologjisë së mbrapshtë të praktikuesve të saj) si “nisje e sigurt” — liria 1 bëhet një pretendim i zbrazët, në vend se një realitet praktik. Këta dyorë s’janë software i lirë, edhe pse kodi burim prej nga u përpiluan është i lirë.

Një rrugë e rëndësishme për të ndryshuar një program është ajo përmes përzierjes në të nënrutina dhe module të passhëm lirisht. Nëse licenca e programit thotë se nuk mund të përzieni në të një modul ekzistues të licencuar në mënyrë të përshtatshme — për shembull, nëse lyp domosdo që të jeni i zoti i të drejtave të kopjimit të çdo kodi që shtoni — atëherë licenca është shumë kufizuese për t’u cilësuar si e lirë.

Nëse një ndryshim përbën apo jo një përmirësim, është diçka subjektive. Nëse e drejta juaj për të ndryshuar programin kufizohet, në thelb, me ndryshime që përmirësime i konsideron dikush tjetër, ai program s’është i lirë.

Një rast i veçantë i lirisë 1 është fshirja e kodit të programit, që kështu të mos bëjë asgjë, ose për ta bërë të futë në punë ndonjë program tjetër. Në këtë mënyrë, liria 1 përfshin “lirinë për të fshirë programin”.

Lirinë për ta rishpërndarë, nëse doni: kushte të domosdoshme

Liria për të shpërndarë (liria 2 dhe 3) nënkupton që jeni të lirë të rishpërndani kopje, me ose pa ndryshime, falas ose duke zbatuar një çmim për shpërndarjen, ndaj kujtdo, kudo. Të jesh i lirë për të bërë këto do të thotë (mes të tjerash) që nuk ju duhet të kërkoni apo paguani ndonjë leje për të bërë ashtu.

Duhet gjithashtu të gëzoni lirinë për të bërë ndryshime dhe përdorur ato privatisht në punën apo zbavitjen tuaj, pa u dashur as të përmendni diku që ato ekzistojnë. Nëse i bëni publike ndryshimet tuaja, s’duhet t’ju duhet të njoftoni dikë veçanërisht, apo në çfarëdo mënyre të veçantë.

Liria 3 përfshin lirinë për të hedhur në qarkullim si software të lirë versionet tuaj të ndryshuar. Një licencë e lirë mundet të lejojë gjithashtu rrugë të tjera të hedhjes së tyre në qarkullim; me fjalë të tjera, s’ka pse të jetë medoemos licencë copyleft1. Por, një licencë e cila kërkon që versionet e ndryshuar të jenë jo të lirë, nuk kualifikohet si licencë e lirë.

Liria për të rishpërndarë kopje duhet të përfshijë formatet dyore apo të ekzekutueshme të programit, si dhe kodin burim, për të dy llojet e versioneve, të ndryshuar ose jo. (Shpërndarja e programeve në formë të xhirueshme është e domosdoshme për sisteme operativë të lirë të instalueshëm lehtësisht.) Nëse s’ka rrugë për të prodhuar një formë dyore, ose të ekzekutueshme për një program të dhënë (ngaqë disa gjuhë nuk e mbulojnë këtë veçori), s’ka gjë, por duhet të gëzoni lirinë për rishpërndarje formash të tilla, nëse gjeni ose zhvilloni një rrugë për t’i krijuar ato.

Copyleft-i

Disa lloje rregullash mbi mënyrën e shpërndarjes së software-it të lirë janë të pranueshme, kur nuk përplasen me liritë qendrore. Për shembull, copyleft (e thënë shumë thjesht) është rregulli sipas të cilit, kur rishpërndani programin, s’mund të shtoni kufizime për t’u mohuar të tjerëve liritë qendrore. Ky rregull nuk ka përplasje me liritë qendrore; në fakt i mbron ato.

Në projektin GNU, copyleft-in e përdorim për të mbrojtur ligjërisht katër liritë për këdo. Besojmë se ka arsye të rëndësishme pse është më mirë të përdoret copyleft-i. Megjithatë, software i lirë jo nën copyleft është gjithashtu etik. Për një përshkrim rreth se si lidhen me njëri-tjetrin “software-i i lirë” “software-i nën copyleft” dhe të tjera kategori software-i, shihni Kategori Software-i të Lirë.

Rregulla mbi paketimin dhe hollësi shpërndarjeje

Rregullat se si të paketohet një version i ndryshuar janë të pranueshme, nëse nuk e kufizojnë në thelb lirinë tuaj për të hedhur në qarkullim versione të ndryshuar, ose lirinë tuaj për të bërë dhe përdorur privatisht versione të ndryshuar. Ndaj, është e pranueshme që licenca të kërkojë të ndryshoni emrin e versionit të ndryshuar, të hiqni një logo, ose t’i identifikoni ndryshimet si tuajat. Për sa kohë që këto domosdoshmëri s’janë edhe aq të rënda, sa t’ju pengojnë faktikisht të hidhni në qarkullim ndryshimet tuaja, ato janë të pranueshme; jeni duke bërë tashmë ndryshime në program, ndaj s’do ta keni problem të bëni edhe ca të tjera.

Rregullat sipas të cilave “nëse e bëni versionin tuaj të passhëm në këtë mënyrë, duhet ta bëni të passhëm edhe në atë mënyrën tjetër” mund të jenë të pranueshme, me të njëjtat kushte. Shembull i një rregulli të tillë të pranueshëm është ai që thotë se nëse keni shpërndarë një version të ndryshuar dhe zhvilluesi i mëparshëm kërkon një kopje të tij, duhet t’i dërgoni një të tillë. (Kini parasysh që një rregull i tillë ju lë ende mundësinë e zgjedhjes mbi pyetjen ta shpërndani apo jo versionin tuaj.) Janë të pranueshme edhe rregullat që kërkojnë hedhjen në qarkullim për përdoruesit të kodit burim për versione që i kaloni në përdorim publik.

Një çështje e veçantë shfaqet kur një licencë lyp ndryshimin e emrit me të cilin një program përdoret brenda programesh të tjerë. Kjo faktikisht ju pengon hedhjen në qarkullim të versionit tuaj të ndryshuar, që kështu ai të mund të zëvendësojë origjinalin, kur përdoret nga këta programe të tjerë. Kjo lloj domosdoshmërie është e pranueshme vetëm nëse ka ndonjë mundësi të përshtatshme aliasing2 që ju lejon të caktoni emrin origjinal të programit si një alias për versionin e ndryshuar.

Rregulla eksportimi

Ka raste kur rregulloret e kontrollit të eksporteve dhe sanksionet tregtare qeveritare mund ta ngushtojnë lirinë tuaj për shpërndarje ndërkombëtare kopjesh programesh. Zhvilluesit e software-it nuk kanë fuqi të eliminojnë apo anashkalojnë këto kufizime, por ajo që mund dhe duhet të bëjnë është të mos pranojnë imponimin e tyre si kushte për përdorimin e programit. Në këtë mënyrë, kufizimet nuk do të kenë ndikim mbi veprimtaritë dhe njerëzit jashtë juridiksionit të atyre qeverive. Kështu që, licencat e software-it të lirë nuk duhet të kërkojnë bindje ndaj çfarëdo rregulloresh jotriviale eksporti, si kusht për ushtrimin e cilësdo prej lirive thelbësore.

Thjesht përmendja e ekzistencës së rregullave të eksportit, pa i bërë ato një kusht te vetë licenca, është e pranueshme, sa kohë që nuk kufizohen përdoruesit. Nëse një rregullore eksportesh është praktikisht triviale për software-in e lirë, atëherë bërja e saj e domosdoshme si kusht s’është problem; por është problem potencial, ngaqë një ndryshim i mëvonshëm në ligjin e eksportit mund ta bëjë domosdoshmërinë jotriviale, duke e bërë kështu jo të lirë software-in.

Që këto liri të jenë të njëmendta, ato duhet të jenë përhershme dhe të pashfuqizueshme, sa kohë që s’bëni gjë të keqe; nëse zhvilluesi i software-it ka fuqinë ta shfuqizojë licencën, ose të shtojë në kushtet e saj kufizime pas dasme, pa bërë ju diçka që t’i japë shkak, software-i është jo i lirë.

Një licencë e lirë nuk duhet të kërkojë pajtueshmëri me licencën e një programi jo të lirë. Ndaj, për shembull, nëse një licencë kërkon që të pajtoheni me licencat e “krejt programeve që përdorni”, në rastin e një përdoruesi që xhiron programe jo të lira kjo do të kërkonte pajtueshmëri me licencat e këtyre programeve jo të lira;kjo e bën licencën jo të lirë.

Është e pranueshme për një licencë të lirë të specifikojë se cili ligj i juridiksionit e prek, ose se ku duhen trajtuar mosmarrëveshjet, ose që të dyja.

Licenca me bazë kontrata

Shumica e licencave të software-it të lirë bazohen në të drejta kopjimi dhe ka kufizime mbi se ç’lloj domosdoshmërish mund të bëhen të detyrueshme përmes të drejtash kopjimi. Nëse një licencë e bazuar në të drejta kopjimi e respekton lirinë në mënyrat e përshkruara më sipër, ka shumë pak mundësi të ketë ndonjë lloj problemi tjetër që s’e kemi marrë parasysh tashmë (kjo ndodh, me raste). Por, disa licenca software-i të lirë bazohen në kontrata dhe kontratat mund të imponojnë një gamë shumë më të gjerë kufizimesh të mundshme. Kjo do të thotë se ka mjaft mënyra të mundshme që një licencë e tillë të jetë kufizuese dhe jo e lirë, aq sa për të mos u pranuar më.

S’mund të radhitim dot gjithë mënyrat se si mund të ndodhë kjo. Nëse një licencë me bazë kontrata e kufizon përdoruesin në një mënyrë jo të zakonshme sipas të cilës licencat e bazuara në të drejta kopjimi nuk munden dhe e cila s’është përmendur këtu si e ligjshme, do të na duhet të mendohemi për të dhe gjasat janë që do të dalim me përfundimin se është jo e lirë.

Përkufizimi i Software-it të Lirë në Praktikë

Si i interpretojmë këto kritere

Së fundi, vini re që kritere si ato të pohuara në këtë përkufizim të software-it të lirë kërkojnë përsiatje të kujdesshme për interpretimin e tyre. Për të vendosur nëse licenca e një software-i të caktuar kualifikohet si licencë software-i të lirë, gjykojmë duke u bazuar në këto kritere, për të përcaktuar nëse pajtohet me frymën e tyre, si dhe për fjalët e sakta. Nëse një licencë përfshin kufizime të papranueshme, e hedhim poshtë, edhe pse nuk e patëm parashikuar problemin te këto kritere. Ndonjëherë ndonjë domosdoshmëri licence nxjerr një çështje që kërkon mendim të thelluar, përfshi diskutime me një jurist, përpara se të mund të vendosim nëse domosdoshmëria është e pranueshme. Kur mbërrijmë në një përfundim rreth një problemi të ri, shpesh i përditësojmë këto kushte për ta bërë më të lehtë të shihet pse licenca të caktuara kualifikohen ose jo.

Merrni ndihmë rreth licencash të lira

Nëse interesoheni se kualifikohet apo jo si licencë software-i të lirë një licencë e caktuar, shihni listën tonë të licencave. Nëse licenca për të cilën interesoheni nuk gjendet atje, mund të na pyesni rreth saj duke na dërguar një email te <licensing@gnu.org>.

Nëse po mendoheni për të hartuar një licencë të re, ju lutemi, lidhuni me Free Software Foundation së pari, duke u shkruar te kjo adresë. Shtimi i licencave të ndryshme për software-in e lirë do të thotë shtim i përpjekjeve të përdoruesve për t’i kuptuar licencat; mund të jemi në gjendje t’ju ndihmonin të gjenit një licencë ekzistuese Software-i të Lirë që i plotëson nevojat tuaja.

Nëse kjo s’është e mundur, nëse vërtet keni nevojë për një licencë të re, me ndihmon tonë mund të sigurohet që licenca të jetë vërtet licencë Software-i të Lirë dhe të shmangë probleme të ndryshme praktike.

Përdorni fjalët e duhura kur flisni mbi software-in e lirë

Kur flitet rreth software-it të lirë, është mirë të shmangen terma të tillë si “dhënë falas” ose “falas”, ngaqë këto terma nënkuptojnë se punë këtu është te çmimi, jo te liria. Disa terma të rëndomtë, të tillë si “pirateri” trupëzojnë opinione që shpresojmë se nuk do t’i bëni tuajt. Për një diskutim të këtyre termave, shihni Fjalë Që Duhen Shmangur (ose Përdorur me Kujdes) Ngaqë Janë Me Spec ose Ngatërruese. Kemi gjithashtu edhe një listë përkthimesh të përshtatshme të “free software” në gjuhë të ndryshme.

Një grup tjetër përdor termin “burim i hapët” për të nënkuptuar diçka të afërt (por jo identike) me “software-in e lirë”. Ne parapëlqejmë termin “software i lirë”, ngaqë pasi të dëgjoni se i referohet lirisë dhe jo çmimit, ju sjell në mendje lirinë. Fjala “i hapët” nuk i referohet kurrë lirisë.

Tej Software-it

Doracakët e software-it duhet të jenë të lirë, për të njëjtat arsye që software-i duhet të jetë i lirë dhe ngaqë doracakët janë në fakt pjesë e software-it.

Të njëjtët argumente vlejnë për lloje të tjera veprash të përdorimit praktik — domethënë, për vepra që trupëzojnë dije të dobishme, fjala vjen, vepra edukative apo vepra referimi. Wikipedia është shembulli më i mirënjohur.

Çfarëdo lloj vepre mund të jetë e lirë dhe përkufizimi i software-it të lirë është zgjeruar në një përkufizim veprash kulturore të lira i zbatueshëm mbi çfarëdo lloji veprash.

Historik

Përkufizimin e Software-it të Lirë e rishikojmë herë pas here. Ja një listë e ndryshimeve thelbësore, tok me lidhje për të parë saktësisht se ç’kemi ndryshuar.

  • Versioni 1.169: Shpjegim më qartë pse katër liritë duhet të zbatohen mbi veprimtari komerciale. Shpjegim pse katër liritë nënkuptojnë lirinë për të mos e xhiruar programin dhe lirinë për ta fshirë, që të mos duhet për t’i pohuar si domosdoshmëri më vete.
  • Versioni 1.165: Qartësim se bezdisjet arbitrare në kod nuk mohojnë lirinë 0 dhe se liritë 1 dhe 3 bëjnë të mundur që përdoruesit t’i heqin ato.
  • Versioni 1.153:Qartësim se liria për të xhiruar programin do të thotë se asgjë s’mund t’ju ndalojë për ta bërë të xhirojë.
  • Versioni 1.141: Qartësim se cili kod lypset të jetë i lirë.
  • Versioni 1.135: Të thuhet çdo herë që liria 0 është liria për të xhiruar programin si të doni.
  • Versioni 1.134: Liria 0 s’ka lidhje me funksionin e programit.
  • Versioni 1.131: Një licencë e lirë s’duhet të kërkojë pajtueshmëri me një licencë jo të lirë të një programi tjetër.
  • Versioni 1.129: Pohim shprehimisht se lejohet zgjedhja e ligjit dhe zgjedhja e specifikimeve të forumit. (Ky ka qenë përherë rregulli ynë.)
  • Versioni 1.122: Një domosdoshmëri nga kontrolle eksportesh është vërtet problem nëse kërkesa s’është triviale; përndryshe është vetëm një problem potencial.
  • Versioni 1.118: Qartësim: problemi janë kufizimet mbi të drejtën tuaj për të ndryshuar, jo mbi çfarë ndryshimesh keni bërë. Dhe ndryshimet nuk kufizohen te “përmirësime”
  • Versioni 1.111: Qartësim i 1.77 duke thënë se të papranueshme janë vetëm kufizimet me prapaveprim. Mbajtësit e të drejtave të kopjimit munden përherë të akordojnë leje shtesë për përdorimin e veprës duke e hedhur veprën në qarkullim paralelisht në një mënyrë tjetër.
  • Versioni 1.105: Pasqyrim, te pohimi i shkurtër i lirisë 1, i idesë (tashmë të pohuar në versionin 1.80) se përfshin përdorimin përnjëmend të versionit tuaj të ndryshuar për punët tuaja në kompjuter.
  • Versioni 1.92: Sqarim se kodi i errësuar s’kualifikohet si kod burim.
  • Versioni 1.90: Sqarim se liria 3 nënkupton të drejtën për të shpërndarë kopje të versionit tuaj të ndryshuar ose të përmirësuar, jo ndonjë të drejtë për të marrë pjesë në projektin e dikujt tjetër.
  • Versioni 1.89: Liria 3 përfshin të drejtë për të hedhur në qarkullim si software i lirë të versioneve të ndryshuara.
  • Versioni 1.80: Liria 1 duhet të jetë praktike, jo teorike; thënë ndryshe, jo tivo-izim.
  • Versioni 1.77: Sqarim se krejt ndryshimet me prapaveprim te licenca janë të papranueshme, edhe pse s’përshkruhet si një zëvendësim i plotë.
  • Versioni 1.74: Katër sqarime pikash jo aq eksplicite sa duhet, ose pohuar diku, por pa u pasqyruar kudo:
    • “Përmirësime” s’do të thotë që licenca mund të kufizojë në thelb çfarë lloje versionesh të ndryshuara mund të hidhni në qarkullim. Liria 3 përfshin shpërndarjen e versioneve të ndryshuar, jo thjesht të ndryshimeve.
    • E drejta për të përzierë module ekzistues iu referohet atyre që janë të licencuar në mënyrë të përshtatshme.
    • Pohim shprehimisht përfundimin e pikës mbi kontrolle eksporti.
    • Imponimi i një ndryshimi licence përbën shfuqizim të licencës së vjetër.
  • Version 1.57: Shtim i ndarjes “Tej Software-it”.
  • Versioni 1.46: Sqarim se cili synim është domethënës te liria për ta xhiruar programin për çfarëdo qëllimi.
  • Versioni 1.41: Qartësim i shprehjes rreth licencash me bazë kontrata.
  • Versioni 1.40: Shpjegim se një licencë e lirë duhet t’ju lejojë përdorimin e tjetër software-i të lirë të passhëm, për të krijuar ndryshimet tuaja.
  • Versioni 1.39: Të vihet re se është e pranueshme për një licencë të kërkojë të jepni burimin për versione të software-it që kaloni në përdorim publik.
  • Versioni 1.31: Të vihet re se është e pranueshme për një licencë të kërkojë të identifikoni veten si autor i ndryshimeve. Të tjera qartësime të vockla nëpër tekst.
  • Versioni 1.23: Trajton probleme të mundshme të lidhura me licenca të bazuara në kontrata.
  • Versioni 1.16: Shpjegim pse shpërndarja e dyorëve është e rëndësishme.
  • Versioni 1.11: Të vihet re që një licencë e lirë mund të lypë që t’u dërgoni autorëve të mëparshëm një kopje të versioneve që shpërndani, nëse jua kërkojnë.

Ka mungesa në numrat e versioneve të treguar më sipër, ngaqë ka ndryshime të tjera në këtë faqe që nuk prekin përkufizimin, ose interpretime të tij. Për shembull, lista nuk përfshin ndryshimet te anësoret, formatimi, drejtshkrimi, shenjat e pikësimit, apo pjesë të tjera të kësaj faqeje. Listën e plotë të ndryshimeve te faqja mund ta shqyrtoni përmes ndërfaqes cvsweb.

Poshtëshënim

  1. Arsyeja pse numërohen si 0, 1, 2 dhe 3 ka të bëjë me historinë. Aty rreth 1990-s kishte tre liri, të numërtuara 1, 2 dhe 3. Mandej kuptuam se liria për ta xhiruar programin lypsej të përmendej shprehimisht. Ishte e qartë se qe më elementare se tre të tjerat, ndaj duhet t’u paraprinte atyre. Në vend që të rinumërtonim të tjerat, e bëmë liria 0.