Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.

Shpërndarje GNU/Linux të lira

Në këtë faqe paraqiten shpërndarje GNU/Linux që janë tërësisht të lira, si te liria. Shpërndarje të lira sistemesh me bazë Jo-GNU paraqiten veçmas.

Free Software Foundation i rekomandon dhe u del zot këtyre shpërndarjeve GNU/Linux, por pa provuar t’i gjykojmë ose krahasojmë bazuar në ndonjë kriter tjetër veç atij të lirisë; prandaj, i paraqesim në rend alfabetik.

Këto shpërndarje janë sisteme të plota, gati për përdorim, zhvilluesit e të cilave kanë deklaruar përkushtim për ndjekjen Udhëzimeve për Shpërndarje Sistemesh të Lirë. Kjo do të thotë se do të përfshijnë dhe propozojnë përjashtimisht software të lirë. Do të hedhin poshtë aplikacione jo të lira, platforma jo të lira programimi, përudhës jo të lirë, “blobs” firmware-i jo të lirë, lojëra jo të lira dhe çfarëdo software-i tjetër jo të lirë, si dhe doracakë apo dokumentim jo të lirë.

Nëse një nga këto shpërndarje përfshin ose propozon ndonjëherë çfarëdo qoftë jo të lirë, kjo duhet të ndodhë gabimisht dhe zhvilluesit përkushtohen ta heqin. Nëse gjeni software ose dokumentim jo të lirë në një nga këto shpërndarje, mund ta raportoni problemin dhe të fitoni GNU Bucks, teksa ne informojmë zhvilluesit, që kështu ta zgjidhin problemin.

Ndreqja e të metave lidhur me lirinë është një domosdoshmëri etike për të qenë pjesë e listës së këtushme të shpërndarjeve; ndaj, paraqesim vetëm shpërndarje me një ekip zhvillimi që na ka thënë se do të heqë çfarëdo software-i jo të lirë që mund të gjendet në to. Zakonisht, ekipi përbëhet nga vullnetarë dhe këta nuk u bëjnë përdoruesve premtime me detyrime ligjore; por nëse mësojmë se një shpërndarje s’mirëmbahet si duhet, do ta heqim nga lista.

Shpresojmë se shpërndarje të tjera ekzistuese GNU/Linux do të bëhen plotësisht software i lirë, që të mund t’i paraqesim këtu. Nëse dëshironi të përmirësoni gjendjen e një shpërndarjeje të lirë, dhënia e ndihmës për zhvillimin e një shpërndarjeje ekzistuese vlen më tepër se sa fillimi i një të reje.

Ju lutemi, kini parasysh se në botën e lirë s’funksionon krejt hardware-i; sajti i çdo shpërndarjeje duhet të thotë se çfarë hardware-i mbulohet. Sugjerojmë që, pas leximit të përshkrimit të shkurtër më poshtë, të shihni këto sajte, si edhe informacionin e gatshëm, për të gjykuar se cila shpërndarje është më me leverdi për ju.


Free Software Foundation s’mban përgjegjësi për sajte të tjerë, apo se sa i përditësuar është informacioni në to.


Shpërndarje GNU/Linux për PC dhe stacione pune

Shpërndarjet që vijojnë janë të instalueshme në diskun e një kompjuteri ose mund të xhirohen live.

Shpërndarje Përshkrim i Shkurtër
Dragora GNU/Linux-Libre Dragora GNU/Linux-Libre, një shpërndarje e pavarur GNU/Linux e bazuar në konceptin e thjeshtësisë.
Dyne:bolic Dyne:bolic, një shpërndarje GNU/Linux me theks të posaçëm në përpunim audioje dhe videoje. Kjo është një shpërndarje “statike”, normalisht e xhiruar nga një CD live. Ngaqë s’do të përfitojë përditësime sigurie, duhet përdorur offline.
guix Guix System, një shpërndarje e përparuar GNU/Linux e ngritur mbi GNU Guix (i shqiptuar “geeks”), një përgjegjës paketash funksional për sistemin GNU.
Hyperbola Hyperbola GNU/Linux-libre, një shpërndarje e përqendruar në thjeshtësinë, me asistencë afatgjatë, bazuar në Arch GNU/Linux.
Parabola GNU/Linux-libre Parabola GNU/Linux-libre, një shpërndarje e bazuar në Arch, që si përparësi ka administrim të thjeshtë paketash dhe sistemi.
PureOS PureOS, një shpërndarje GNU/Linux e bazuar në Debian, me fokus te privatësia, siguria dhe volia.
Trisquel Trisquel, një shpërndarje GNU/Linux e bazuar në Ubuntu, që është e orientuar drejt ndërmarrjeve të vogla, përdoruesve shtëpiakë dhe qendrave edukativo-arsimore.
Ututo Ututo S, një shpërndarje GNU/Linux 100% e lirë. Qe sistemi i parë GNU/Linux plotësisht i lirë i njohur nga Projekti GNU.

Shpërndarje GNU/Linux të vockla

Më poshtë gjendet një listë shpërndarjesh sistemesh të vegjël. Këto shpërndarje janë konceptuar për pajisje me burime të kufizuara, për shembull, një rrugëzues pa fill. Një shpërndarje siste mi të vogël të lirë nuk është e vetëstrehueshme, por duhet të jetë e zhvillueshme dhe e montueshme mbi një nga sistemet e plotë të lirë të radhitur më sipër, ndoshta me ndihmën e mjeteve të lira të shpërndara tok me vetë shpërndarjen e sistemit të vogël.

Shpërndarje Përshkrim i Shkurtër
libreCMC libreCMC është një shpërndarje GNU/Linux-i të trupëzuar, për pajisje me burime shumë të kufizuara. I menduar kryesisht për rrugëzues, ofron mbulim për një gamë të gjerë pajisjesh dhe rastesh përdorimi. Më 2015-n, LibreWRT u shkri në libreCMC.
ProteanOS ProteanOS është një shpërndarje e re, e vockël dhe e shpejtë për pajisje të trupëzuara. Veçoria e saj për formësim platforme lejon që paketa dyore të formësohen gjatë kohës së montimit dhe gjatë kohës së xhirimit, për hardware dhe raste të ndryshme përdorimi.

Si të merren shpërndarje GNU/Linux të lira

Përveç se te sajtet e tyre përkatës, mjaft prej këtyre shpërndarjeve mund të merren te mirror.fsf.org. Mos ngurroni të shkarkoni ose pasqyroni shpërndarje që prej andej, mundësisht duke përdorur rsync-in. Mirëmbajtësit e shpërndarjeve të lira mund të kërkojnë një pasqyrë për projektin e tyre duke u shkruar përgjegjësve të sistemit në FSF.

Paketat GNU individuale (shumica e të cilave përfshihen te shpërndarjet e lira të këtushme) përshkruhen veçmas.

Shoqëritë që shesin hardware të parainstaluar me një shpërndarje GNU/Linux të lirë i paraqesim veçmas.

Ka ndonjë që e harruam?

Dini një shpërndarje që prisnit ta gjenit në listën tonë, por s’qe? Së pari, shihni faqen tonë rreth pse nuk u dalim zot shpërndarjeve të rëndomta. Ajo faqe shpjegon arsyet pse disa shpërndarje të mirënjohura nuk plotësojnë udhëzimet tona. Nëse shpërndarja s’paraqitet as atje dhe mendoni se sipas udhëzimeve tona kualifikohet për të qenë te lista, atëherë, ju lutemi, bëjini të ditur mirëmbajtësit të shpërndarjes këtë faqe dhe nxiteni të lidhet me ne—do të donim të dëgjonim mendimin e tyre.

Nëse mirëmbani një shpërndarje që ndjek Udhëzimet për Shpërndarje Sistemi të Lirë dhe do të donit të ishte këtu, ju lutemi, na shkruani te to <webmasters@gnu.org> me një përshkrim të shkurtër dhe me një lidhje te sajti i projektit. Kur ta bëni, do t’ju shpjegojmë më tepër mbi procesin tonë të vlerësimit dhe do ta fillojmë atë pa humbur kohë. Presim lajme nga ju!

Të dikurshme

Shpërndarjet që vijojnë qenë paraqitur sipër më herët, por nuk rekomandohen më.

Shpërndarje Përshkrim i Shkurtër Informacion Daljeje Në Pension
BLAG Linux dhe GNU BLAG Linux dhe GNU, një shpërndarje GNU/Linux bazuar në Fedora. Hequr në qershor të 2018-s, me kërkesën e mirëmbajtësve, ngaqë reshtën së mirëmbajturi atë.
gNewSense gNewSense, një shpërndarje GNU/Linux bazuar në Debian, me sponsorizim nga FSF-ja. Hequr në prill të 2021-shit.
Musix GNU+Linux Musix, një shpërndarje GNU+Linux e bazuar në Knoppix, me theks të veçantë në prodhim audio. Kjo është një shpërndarje “statike”, e xhiruar normalisht nga një CD live. Ngaqë s’do të përfitojë përditësime sigurie, duhet përdorur offline. Hequr në mars të 2019-s, me kërkesën e mirëmbajtësit, ngaqë reshti së mirëmbajturi atë.