Ky është përkthim i një faqeje në Anglisht në origjinal.
Përdorues GNU Që Nuk Kanë Dëgjuar Kurrë për GNU-në
nga Richard Stallman
Për të mësuar më tepër mbi këtë çështje, mund të lexoni edhe FAQ mbi GNU/Linux, faqen tonë mbi Pse GNU/Linux? dhe faqen tonë mbi Linux-in dhe Projektin GNU.
Shumica e njerëzve nuk kanë dëgjuar kurrë për GNU-në. Madje dhe shumica e njerëzve që përdorin sistemin GNU nuk kanë dëgjuar kurrë për GNU-në, falë kaq shumë njerëzve dhe shoqërive që i mësojnë ta quajnë “Linux”. Sido që të jetë, emri GNU ka disa përshoqërime, të cilat njerëzit do t'i zbulojnë pasi t'i dëgjojnë emrin. GNU-ja përshoqërohet me idealet e lirisë së lëvizjes për software të lirë. Ky përshoqërim nuk është i rastit; motivi për zhvillimin e GNU-së qe pikërisht bërja e mundur të përdoret kompjuteri dhe të kihet liri.
Përshoqërimi mes emrit GNU dhe synimeve tona për liri dhe solidaritet shoqëror gjenden në mendjet e qindra mijëra përdoruesve të GNU/Linux-it që kanë njohuri mbi GNU-në. Gjendet në Wikipedia. Dhe gjendet edhe në web; nëse këta përdorues kërkojnë rreth GNU-së, do të gjejnë www.gnu.org, që flet mbi software-in e lirë dhe lirinë.
Një person që e sheh emrin “GNU” për herë të parë te “GNU/Linux” s'ka për ta përshoqëruar menjëherë me diçka. Por, kur njerëzit ta dinë që sistemi është në thelb GNU, kjo i sjell një hap më pranë te njohja e idealeve tona. Fjala vjen, mund të bëhen kureshtarë dhe të kërkojnë më tepër të dhëna rreth GNU-së.
Po nuk kërkuan për të, mund ta hasin prapëseprapë. Retorika e “burimit të hapur” priret ta shpjerë vëmendjen e njerëzve larg nga problemet e lirisë së përdoruesve, por jo krejtësisht; prapë diskutohet mbi GNU-në dhe software-in e lirë, dhe njerëzit prapë kanë gjasa ta ndeshin. Kur kjo ndodh, lexuesi ka më tepër gjasa ta drejtojë vëmendjen nga të dhënat mbi GNU-në (të tillë si vepër e një fushate për liri dhe bashkësi) nëse e di se është përdorues i sistemit GNU.
Parë në shtrirje kohore, quajtja e sistemit “GNU/Linux” përhap ndërgjegjësimin mbi idealet e lirisë për të cilat ne zhvilluam sistemin GNU. Është po ashtu e dobishme si kujtues për njerëzit në bashkësinë tonë që kanë dijeni për këto ideale, në një botë ku mjaft nga diskutimi mbi software-in e lirë i nënshtrohet një trajtimi krejtësisht praktik (e prandaj edhe të pamoral). Kur ju kërkojmë që ta quani sistemin “GNU/Linux”, e bëjmë ngaqë ndërgjegjësimi mbi GNU-në, ngadalë, por me hapa të sigurt sjell me vete ndërgjegjësimin mbi idealet e software-it të lirë dhe bashkësisë.
